Pas informatizimit të sistemit të pagesave, të moshuarit në mbarë vendin do të mund të tërheqin pensionin e pleqërisë në çdo arkë të Postës Shqiptare, pa qenë nevoja e transferimit të gjendjes civile. Lajmi është bërë me dije ditën e djeshme nga kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, i cili thekson se është bërë i mundur lehtësimi i procedurave, pavarësisht vendit ku banon i moshuari.
“Tashmë pensionistët mund ta tërheqin pensionin e pleqërisë në çdo arkë paguese të Postës Shqiptare sh.a në çdo qark të vendit, pa pasur nevojë për të transferuar edhe Gjendjen Civile. Si pasojë e përfundimit të procesit të ndërtimit të bazës së të dhënave elektronike dhe unike të pensioneve, informatizimin e sistemit të pagesave dhe të procesit të kontrollit të tyre, është bërë e mundur lehtësimi i procedurave të transferimit të qendrës paguese të pensionit, pavarësisht nga vendbanimi, sipas regjistrit të gjendjes civile”,-thotë Hado. Ky i fundit shton se zbatimi i kësaj procedure të thjeshtuar të transferimit të qendrës së pagesës shkurton ndjeshëm kohën, si dhe vetëngarkon strukturat e ISSH-së për të kryer procedurat e transferimit dhe njoftimin e qytetarit.