Të gjithë shqiptarët që jetojnë në Greqi do të kenë një trajtim të veçantë në lidhje me lejet e tyre të qëndrimit. Lehtësimet për komunitetin shqiptar do të shtrihen në të gjitha zyrat e emigracionit në vendin fqinj.
“Nga ministri për Migracionin dhe Azilin mora premtimin se komuniteti shqiptar në Greqi do të marrë një trajtim të veçantë përsa i përket lejeve të qëndrimi dhe në përgjithësi të gjithë trajtimit në zyrat e emigracionit këtu në Greqi. Vendosëm një komunikim direkt për çdo shqetësim të shqiptarëve nëpërmjet ambasadores tonë në Athinë”, deklaroi Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi.
Në një tjetër takim të zhvilluar mes Çuçit dhe homologut të tij grek, në fokus të diskutimeve ka qenë bashkëpunimi i dy policive për goditjen e grupeve kriminale që operojnë mes dy vendeve.
“Me ministrin e Brendshëm biseduam për sfidat e përbashkëta që kemi në lidhje me funksionimin e bashkive apo qeverisjes vendore në secilën nga vendet tona. Gjithashtu ramë dakord që strukturat përkatëse të ministrive bashkë me strukturat e bashkive kufitare me Greqinë të bashkëpunojnë për të përfituar nga programet e financuara nga BE”, tha Çuçi.
Ministri i Brendshëm bëri të ditur se bashkia e Athinës po projekton hapjen e një qendre kulturore shqiptare në kryeqytetin grek.