Kryesore

Leksione demokratike: Si po na parakalojnë vendet e rajonit





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 10:11 - 21/10/19 |
mapo.al

Dështimi me hapjen e negociatave dhe sjelljet e kundërta të dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Zaev jep dorëheqjen dhe e çon vendin në zgjedhje të parakohshme, kryeministri Rama nuk pranon asnjë dështim. Metamorfoza e liderit Rama që na la pa integrim në BE, por nuk po na afron në sjellje politike si në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.


Dy kryeministrat e vendeve të vogla Ballkanike, të Shqipërisë dhe Maqedonisë u nisën drejt Brukselit për hapjen e negociatave, por dështimi për t’i marrë, riktheu Ramën në një konferencë të stërzgjatur shtypi, ku fajin ia la Europës, pa mbajtur asgjë mbi veten, ndërsa Zaevi mbërriti me një deklaratë për dorëheqjes dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme. “Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve. Ëndrra evropiane e Maqedonisë nuk do të shuhet. Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare”-deklaroi kryeministri maqedonas Zaev. Dy mentalitete të ndryshme që ndan botët politike, morale dhe institucionale ku njëri del shtetar, ndërsa tjetri pushtetar me çdo kusht, duke shkelur edhe mbi interesat e vendit. Kryeministri Edi Rama po mbahet me thonj pas karriges së pushtetit, ndonëse dështimet janë të shumanshme, jo vetëm në arenën europiane, por më së pari, brenda vendit. Krizë e thellë politike, probleme ekonomike, emigracion masiv të të rinjve të pashpresë, korrupsion, trafiqe, mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë dhe një Parlament qesharak në numra, cilësi, dhe mbi të gjitha kontroll absolut mbi të. Qytetarët shqiptarë sot janë më të dëshpëruar se kurrë, përfshi edhe ata ithtarë të Rilindjes, sepse vendi nuk po i përngjan as fqinjëve tanë halleshumë, si Kosova apo Maqedonia. Në Kosovë u zhvilluan zgjedhje Parlamentare të parakohshme model për ta dhe turp i madh për Tiranën zyrtare, ku rezultati doli vetëm pesë orë pas mbylljes së votimit dhe ku palët politike pranuan verdiktin e qytetarëve. Në Maqedoninë e Veriut gjithashtu një kryeministër mban përgjegjësi për një dështim, ndonëse nuk ishte i tij, duke shkuar drejt krijimit të një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.



Qëndrime qeveritare…


Për të kuptuar batakun politik dhe mbi të gjitha papërgjegjshmërinë e një qeverisjeje, mjafton të lexohet sikurse e tha vetë një qëndrim i zëvendësministrit të Jashtëm me atribute ministri, të lëshuar nga kryeministri, pra Gent Cakaj. I pyetur nëse edhe Rama do jepte dorëheqjen ashtu si Zaev, Cakaj dha një përgjigje epike, që do mbahet mend gjatë në librat e historisë. Ai tha se kryeministri apo askush nga qeveria, s’kishte premtuar se negociatat do të hapeshin. “Në Maqedoninë e Veriut ka pasur zotime se ky proces (hapja e negociatave), do ndodhë pashmangshëm dhe është thënë më herët se do të kishte dorëheqje nëse nuk do hapeshin, ndaj përgjegjësia elektorale është tjetër. Unë, apo kryeministri ose ndonjë përfaqësues i qeverisë nuk ka premtuar se negociatat do hapen. Ne kemi thënë se jemi zotuar se do bëjmë përpjekje, por jo për të dhënë përfundimisht rezultatin që kemi pritur”. Vetë Cakaj, ka qenë në Ministrinë e Jashtme si zëvendës një vit më parë, kur Rama trokiti gotën e shampanjës me të duke u uruar: “gëzuar, u hapën negociatat, Shqipëria ka marrë një datë”… Nëse fjala “dorëheqje” është e paimagjinueshme për kryeministrin shqiptar, as mocioni besim nuk i shkon në mendje, edhe pse ai në fakt do e nxirrte edhe më qesharak parlamentin tonë. Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka arsye t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi, pasi mos hapja e negociatave sipas tij, ndodhi për shkak të përplasjes konceptuale mes Francës dhe Gjermanisë. “Mund t’ia kërkoj parlamentit francez, por atij shqiptar nuk kam për çfarë t’ia kërkoj. Maqedonia ka 14 vjet që pret të çelë negociatat, u detyrua të ndryshojë emrin. Nuk ka lidhje vendimmarrja, ata ndërruan emrin, e imagjinoni dot. Çfarë duhet të bënin më shumë ata? Ndodhi një përplasje e madhe mes Francës dhe Gjermanisë. Mekanizmi është i tillë që mund të jenë dakord të gjithë dhe mjafton që njëri të thotë jo. Nga ana tjetër, dëgjova kryeministrin e Holandës që tha Shqipëria ka bërë progres të mjaftueshëm. Të mjaftueshëm për çfarë? Procesi është bërë gjithmonë e më i vështirë, gjithmonë e më kërkues. Por ne do vazhdojmë ta bëjmë këtë se e bëjmë për vendin tonë,” u shpreh kryeministri Edi Rama. Ai mohoi çdo përgjegjësi, edhe pse në Bruksel u tha qartë: Shqipëria nuk plotëson kushtet për shkak të emigracionit ilegal, shtimit të kërkesave për azil dhe krimit të organizuar që eksportohet nga Shqipëria.

Rama, nuk u ngjan as ballkanikëve

Është një “bast i humbur” i besimit europian që iu dha kryeministrit Rama pak pasi mori pushtetin. Vetë kancelarja gjermane mbërriti në Tiranë në vitin 2015 dhe kjo vizitë nga kreu i qeverisë u lexua me keqdashje si vlerësim për të dhe jo si mundësi që po i jepej Shqipërisë. Kreu i qeverisë luajti në “arenën diplomatike” rajonale me patriotizmin folklorik, por edhe me gafa historike. Ndërsa shfaqej me flamuj kombëtar në mbledhje të përbashkëta me kabinetin e Kosovës, në anën tjetër u hodh në treg një ide për “korrigjimin e kufijve” Kosovë-Serbi. Ideatorë të këtij projekti, sipas dëshmive edhe të ish-kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj, ishte kryeministri Rama, presidenti kosovar Thaçi dhe ai i Serbisë Vuçiç. Kjo ide u shemb në Samitin e Berlinit vitin e kaluar, por shumë ujëra kanë rrjedhur në vijim. Në Kosovë kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqjen tre muaj më parë pasi u thirr nga Gjykata për Krimet e Luftës. Nuk mbajti pushtet me çdo kusht dhe subjektet politike u rreshtuan në garën për zgjedhjet e ardhshme. Qeveria në Kosovë dhe institucioni i pavarur KQZ organizuan zgjedhjet, humbën pushtet partitë tradicionale të dala pas luftës, ndërsa qeveria e re pritet të jetë nën drejtimin e kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti. Pa u shuar ende jehona që Kosova është shumë më lart se Shqipëria në elementin bazë të demokracisë; “zgjedhjet e lira dhe ndershme”, një tjetër lëvizje vjen nga Maqedonia e Veriut, ku një kryeministër më shumë se për pushtet mendon për shtetin dhe qytetarët e tij. Do e provojë veten bashkë me subjektet e tjera në zgjedhje të pakohshme fill pas vendimit që BE mori për të mos hapur negociatat. Në një situatë të tillë vërtet jemi aq shumë larg Europës në qeverisje dhe të drejta qytetare, por tashmë më së paku duam t’i ngjajë në mendësi politike Kosovës apo Maqedonisë së Veriut.


Etiketa: , , , , ,

Pas