Kryeredaktori i gazetës Mapo, Enton Palushi, ishte i ftuar në emisionin Ditari në A2CNN, ku foli për leksionet që mori Shqipëria nga zgjedhjet në Kosovë.
Palushi tha se vlerësimi i parë është për mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet, një leksion demokratik edhe për Shqipërinë. Procesi shkoi pa probleme, votat u numëruan me shpejtësi, humbësit morën përgjegjësitë dhe kaluan në opozitë.
Por Palushi tha se pavarësisht kësaj, Kosova nuk e ka mbyllur historinë me zgjedhjet, pasi do të vazhdojë historia e koalicioneve.
Duke u ndalur në këtë pikë, Palushi tha se Kosova u tregon shqiptarëve një fenomen që po ndodh kudo nëpër Europë: paaftësinë për të krijuar qeverisje solide për shkak të dobësimit të partive. Sipas tij, shumë vende në Europë po shkojnë në votime të parakohshme, siç ndodhi në Kosovë.
Përkundër këtij trendi europian dhe botëror, Shqipëria shënoi një rekord paradoksal në vitin 2017. Palushi tha se qeveria mori një mandat të qartë pa ofruar ndonjë bilanc ekonomik, për më tepër në një palë zgjedhje që rezultuan skandaloze.
“Kjo ka një shpjegim, ose qeverisja ka qenë spektakolare, e shkëlqyer, megjithëse e dyshoj sepse është qeverisje pa bilanc ekonomik ose social, ose manipulimi ka qenë i tillë që ka shkuar në këtë pikë procesi zgjedhor”.
Kryeredaktori i gazetës Mapo tha se paradoksi vazhdoi më pas, kur qeveria u zhyt në krizë brenda më pak se dy vitesh pasi mori mandat të qartë.
“Pse nuk qeveris dot? Sepse e ka marrë si e ka marrë mandat. Nuk ka marrë një mandat popullor dhe ky mandat e ka zhytur menjëherë në krizë. Nuk e ka zhytur në krizë protesta e opozitës sepse protesta zhvillohen kudo, nuk kanë prodhuar protestat ndonjë ngërç, por e ka çuar në krizë mënyra se si ka qeverisur, mënyra se si e ka marrë atë mandat”.
Duke u ndalur tek qeveria e re në Kosovë, Palushi tha se prioritet i saj do jetë lufta ndaj korrupsionit dhe krimit.
“Ne duam të shohim një qeverisje në Kosovë që i jep shembull Shqipërisë edhe në drejtim tjetër, jo vetëm si bëhen zgjedhje, por edhe si luftohet korrupsioni, si luftohet krimi i organizuar, si luftohet nepotizmi”.
Palushi tha se këto zgjedhje në Kosovë treguan edhe njëherë se nuk qëndron miti se amerikanët mbështesin stabilokracinë. Kjo u pa qartë pasi u votua për një lider që ka pasur jo pak fërkime me amerikanët. Por prioriteti i amerikanëve dhe ai i Vetëvendosjes së Albin Kurtit, lufta ndaj korrupsionit, u bënë bashkë.
Duke folur për 18 tetorin dhe vendimin për nisjen e negociatave, Palushi tha se duket se ka një presion të madh brenda BE për të marrë një vendim sidomos në planin gjeostrategjik.
“Nga gjithë ky presion, Shqipëria do përfitojë, jo nga meritat personale, por nga fakti se BE do vendoset përballë një vendimi gjeostrategjik”.
Palushi tha se mund të pranohet nisja e negociatave me kusht, por ai shtoi se kushtet e Bundestagut janë një ‘kurth’ për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Prandaj ky është një shembull që duhet të merret nga Kosova. Sepse zgjedhjet e mira, zgjedhjet e lira si ato në Kosovë, kanë edhe një shpërblim nga pas. Po të shihni mediat e huaja, i bëjnë thirrje BE dhe SHBA që të japin një shpërblim ose mbështetje për Kosovën pasi treguan se dinë të bëjnë zgjedhje”.
“Vetëm me një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, vendi do ketë shanse për të nisur negociatat realisht”.
“Kosova ka një kryq të madh në rrugën drejt BE, por po të jetë për standarde, nuk është habi që të na parakalojë edhe Kosova në rrugën e integrimit dhe me këtë qeveri të ngelim të fundit në rajon”, theksoi Palushi.