Elad Ratson, diplomat dhe Drejtor i Kërkimit dhe Zhvillimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Izrael, ishte i ftuar për të zhvilluar një leksion të hapur në Universitetin Europian të Tiranës. Ai trajtoi një sërë tematikash që kanë të bëjnë me median dhe zhvillimet më të fundit në fushën e komunikimit. Z. Ratson theksoi rëndësinë e mediave sociale, si ato ndikojnë në shpërndarjen e lajmit të rremë ( fake news ) si dhe mënyrën e përdorimit të profileve robotike ( bot ) që bëjnë shpërndarjen e informacionit në bazë të interesave individuale të përdoruesve. Ky leksion ishte mjaft interesant dhe koherent dhe zgjoi interesin veçanërisht tek studentët e Komunikimit, të Fakultetetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET. Gjithashtu, interesit të gazetës MAPO në lidhje me këtë leksion të hapur, ai iu përgjigj një sërë pyetjeve mbi jo vetëm përdorimin e rrjeteve sociale por shfrytëzimit të tyre si mjet i ndikimeve dhe “manipulimeve” të së vërtetës.
Ju i shpjeguat studentëve të Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun, që ishin të pranishëm në leksionin tuaj, se si funksionon lajmi i rremë ( fake news ). Si mund t’i ndalojmë këto taktika, ose këto mjete me të cilat “manipulohet” mendja jonë?
Hapi i parë është të jemi të vetëdijshëm për këtë. Shumë pak njerëz janë të vetëdijshëm. Na është premtuar nga Zuckerberg në 2012 që do të krijojmë platforma të cilat do ta bëjnë botën një vend të hapur, ku gjithçka do të jetë e hapur. Duket sikur kemi akses për të gjitha informacionet por për shkak të arsyeve ekonomike dhe arsyeve që lidhen me biznesin, ne bëjmë më shumë para për Facebook-un, nëse jemi të “ndrydhur” në një ‘dhomë virtuale të izoluar’ ( echo chamber ). Ne jemi të ‘izoluar’ në shijet tona, gjë që na bën më të aksesueshëm ndaj marketingut online. Për ta bërë këtë gjë ata duhet të dijnë kush je ti, kush jam unë dhe për të na njohur më mirë ata na “ndrydhin” në “echo chambers”. Në momentin që jemi të vetëdijshëm që na kanë futur në “echo chambers”, ky është hapi i parë. Dhe ka shumë mënyra që një individ të dalë nga kjo ndrydhje. Filloni të ndiqni dhe të dëgjoni më së shumti njerëzit të cilët nuk ngjasojnë fare me ju. Kërkoni për profile nga fshatrat më të largëta, kërkoni për profile nga partitë politike më halucinative. Ndiqini ato dhe në këtë mënyrë impononi daljen nga “echo chambers”. E di që kjo gjë tingëllon shumë keq në fillim por ju do të shihni të vërtetën e plotë, përkundrejt njërës anë të së vërtetës që shihni zakonisht.
Në gazetari ne themi se lajmi i keq është një lajm i mirë sepse numri i lexuesve rritet. Është instiktive tek njerëzit që kur diçka e keqe ndodh të duan të dijnë më tepër se kur diçka e mirë ndodh. A po ia zënë vendin mediat sociale gazetarisë tradicionale, në këtë epokë dixhitale ku jetojmë sot?
Mund t’ju them se të gjitha kërkimet sugjerojnë që media sociale po e vret gazetarinë tradicionale. Në të vërtetë nëse trendi vazhdon gazetarët shumë shpejt do të mbeten papunë sepse njerëzit besojnë se e kanë të gjithë informacionin përballë tyre, dhe si pasojë thonë “përse duhet të paguaj unë një dollar për të marrë një gazetë?” Tani, nëse nuk kanë arsye përse të paguajnë 1 dollar, si do bëjë gazeta para? Kush do t’i paguajë rrogat e gazetarëve? Kështu që gazeta nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vendosë edhe më tepër reklama në faqet e saj. Ta lemë mënjëanë faktin që vetë reklamuesit e dijnë se është më mirë që paratë t’ja paguajnë Facebook-ut sesa gazetës, por le të themi që vendosin të paguajnë gazetën… Sa më tepër reklama që një gazetë të pranojë aq më tepër është e detyruar t’i përgjigjet interesave të reklamuesve përkundrejt interesave të publikut. Për këtë arsye, profesioni i gazetarit do të jetë gjithnjë e më pak në funksionin e investigimit dhe gjithnjë e më shumë në shërbim të interesave të fuqive të mëdha. Pra gazetaria tradicionale do të vdesë përshkak se njerëzit do të besojnë se mund t’i gjejnë të gjitha informacionet në Facebook. Në Facebook kemi parë tashmë se nuk e perceptojmë dot të gjithë panoramën, shohim atë pjesë të së vërtetës e cila i shërben po të njejtëve reklamues të cilët braktisën gazetën për Facebook. Ne tashmë jemi dëshmitarë se si Facebook nuk po e bën botën më të hapur, por përkundrazi po e polarizon atë. Po na grupon në kampe, po fillojmë ta urrejmë njëri-tjetrin në mënyra që nuk ekzistonin 20 vite më parë. 20 vite më parë ne e dinim që kishim një koleg me një mendim ndryshe nga i joni por komunikonim, shkëmbenim, mësonim nga diferencat ndërkohë që sot po i urrejmë fqinjët tanë, kemi ngecur në një cikël urrejtje. E shohim kudo, e shohim në Amerikë, në Izrael, këtu në Shqipëri. Kudo që media sociale prek dhe infulencon shoqërinë shohim polarizim të shoqërisë.
Në këtë kohë kur ne jetojmë kemi Facebook, Instagram etj dhe duket sikur gjithëkush është gazetar. Të gjithë kanë opinione, të gjithë kanë komente. Sa e keqe është kjo për të vërtetën? A po e ndryshojnë këto platforma dixhitale konceptin e Marrëdhënieve me Publikun dhe Komunikimin? Më përpara flisnim për spin-in dhe spin doctors ndërsa sot po flasim për lajmin e rremë. Po shkojmë gjithë e më larg koncepteve tradicionale. A do të ndryshojmë sjelljen tonë tani?
Kjo pyetje, është një pyetje për një punë kërkimore në doktoraturë. Është e vështirë për t’ju përgjigjur por mund të ndaj me ju mendimin tim personal mbi këtë temë. Unë besoj që e vetmja mënyrë për të prishur këtë rreth vicioz është që qeveritë demokratike të vendosin rregulla mbi mediat sociale në mënyrë që të sigurojnë përgjegjshmërinë mbi të vërtetën dhe përgjegjshmërinë mbi përhapjen e urrejtjes. Nëse ju postoni në Facebook “I urrej të gjithë njerëzit dhe nuk mendoj që meritojnë një hapësirë për të jetuar” keni shkelur kushtet dhe rregullat e Facebook-ut dhe me shumë mundësi keni shkelur edhe ligjin e vendit e vendit tuaj mbi deklaratat e urrejtjes. Por këtë askush nuk e di. Në “echo chamber” tuaj rrethi i policëve nuk është. Polici nuk është miku juaj dhe me shumë mundësi nuk ka për ta parë asnjëherë këtë postim ndërkohë që miqtë tuaj në echo chamber, vërtetë mund të mos e kenë postuar vetë por mund ta besojnë dhe për këtë arsye nuk ju raportojnë në polici. Në vend të kësaj mund të thonë “Ai është një njeri i guximshëm. Tha të vërtetën.”
Tani çfarë ndodh? Mendimi yt përhapet në mënyrë virale dhe bën që njerëzit e tjerë të guxojnë më tepër. Bën që kjo shprehje mendimi të kthehet në normale. Facebook, të cilit ti i dhunove rregullat dhe kushtet e përdorimit, do e shohë postimin të kthehet në viral dhe nuk do e heqë atë por përkundrazi do ta përdorë për të vendosur reklama pasi tërheq vëmendjen e një mase të gjerë. Askush nuk do ta ndalojë këtë sesa nuk ka një ligj faktikisht që ta impojë ndalimin. Vetëm në rast se qeveritë si ajo e vendit tim, vendit tuaj apo një vendi çfarëdo, i thonë Facebook që që këtej e tutje informacionet që përcjellin urrejtje, për çdo ditë që rrethi vicioz vazhdon, je i gjobitur që 1% të fitimeve që merr nga reklamuesit çdo ditë. Pra nëse qeveria juaj i thotë Facebook se “Për aq kohë sa t’i nuk i heq komentet e paligjshme do të të gjobis çdo ditë me paratë që bën nga qytetarët e mi” do ta shihni se si Facebook do të pastrojë gjithçka dhe do ta bëjë gjithçka të bukur. Për aq kohë sa qeveritë nuk vënë kushte, nuk janë më rregullat tuaja, janë rregullat e atyre. Shikoni se si Facebook nuk e pranon urrejtjen por nuk e ndalon atë sepese për aq kohë sa është virale bën para. Ka qenë prirje e njeriut të dojë ta dëgjojë lajmin e keq por që në krye të herës ne kemi organizuar qeveritë si një mënyrë për të jetuar me njeri – tjetrin. Pra përse të mos i vendosim këto rregulla edhe në një platformë të re e cila është dixhitale. Atë mënyrë funksionimi që kemi në jetën reale ta transferojmë edhe në botën dixhitale. Hapi i parë drejt korrigjimit. Për aq kohë sa ata bëjnë para në San Francisco po i nxisin mosmarrëveshjet mes nesh dhe po vjedhin vëmendjen tonë, të gjithë do të vuajmë nga kjo.