Deri tani, jeta e Leonard Rrasës, 21 vjeç, nuk ka asgjë të ngjashme me magjinë e perëndimit të diellit në Divjakë. Ai është fëmijë i viteve 2000, mban në nyje të dorës një orë false Adidas, të dhuruar nga i ati në 23 gusht për ditëlindje. Ai është portreti i varfërisë që asnjëherë nuk vesh një palë këpucë të reja, por ngahera të vjetra që tërhiqen zvarrë ashtu si jeta.
Ai është fytyra e të mjerëve dhe të pafatëve e të braktisurve po ashtu, që jetojnë e kacafyten brenda muresh që s’kanë fjalë, për kaq e kaq pamundësira si energjinë që nuk i paguajnë dot, për miellin që nuk e blejnë dot, për tokën që duhet punuar por s’kanë para ta punojnë, s’kanë mjete, s’kanë asgjë veç të mbjellave që me kursim stina u zë stinën. Punojnë me mëditje ashtu si Leonardi për 10 mijë ose 15 mijë lekë të vjetra vetëm nëse rasti i mirë iu troket në derë.
Por më së shumti paratë e pakta që nuk dalin për shpenzime dhe varfëria që të hipën në qafë kthehet një muzike funebre që i shoqëron përditë. Edhe Leonardin që nuk hyn më dot në atë shtëpi ku për të mos humbur ndjenjat, xhaxhai ia ka mbyllur derën ku ai gjeti të gjakosur nënë e babë. Nëna kishte ndezur zjarrin jashtë, kishte vendosur ujin të ziente që të kapte një pulë në oborr e ta gatuante. Baba u kthye dhe dukej i qetë. Fëmija e tyre nuk e vërejti hijen e zezë të vdekjes që qëndronte mbi çatinë e vjetruar e më së shumti të mbuluar me plastmasë.
Ziheshin nga varfëria, -thotë Leonardi.
Tani që kanë kaluar ditë nga krimi i dyfishtë, Leonardi kthehet e rikthehet në ditën e fundit të fatkeqësisë, kur baba i kthyer në një vrasës qëlloi pa mëshirë mbi nënën e tij.
Për 21 vite Leonardi ka ndjekur çfarë ndodhte. Frymë që rëndohen nga mospasja dhe hakërrehen kundra njëri-tjetrit. Mes prindërish të dorëzuar, fëmijë mes tyre që i deshën të dy mamin dhe babin që veç grindet e në fund vret! Leonardi është fryt i një martese nga ato që djali duhet martuar që të sjellë grua në shtëpi e të bëjë fëmijë. Leonardi që ka marrë prej të dyve në tipare është fëmija që hidhte shtat dhe si ai shtat hidhte edhe mjerimi. Prindërit e hoqën nga shkolla në klasën e nëntë, mbase për shkak të notave të këqija.
Por Leonardi për paradoks çdo natë luante shah me babën. Teksa muret e shtëpisë së ndërtuar me baltë e tulla po bjerreshin, e teksa as baba s’po gjente dot punë deri ditën kur më në fund ai siguroi një punë në Bashkinë e Divjakës. Por babai fitonte 27 mijë lekë në muaj, me to duhet të ushqeheshin tre vetë.
Çdo gjë në atë shtëpi krejtësisht të rrënuar, çdo gjë është e falur. Divanet ia dhuroi gjyshi nga mami. Frigoriferin e pati sjellë baba që në 1993 kur u kthye nga Greqia. Bufeja e falur, televizorin e solli një kushëri. Por dritaret i ka bluar mola, kur e hap derën e shkatërruar ajo bën zhurmë sikur po vajton.
Ja kështu Leonard Rrasa, djali i Thëllënzës dhe i Hekuranit, u rrit nga dy prindër që teksa ai nxitonte për t’u rritur, ata të dy nuk mundën dot ta shkëpusnin nga mjerimi i tyre. As atë dhe as njëri-tjetrin. Mbollën ullinj, por ullinjtë s’kanë prodhuar ende. Mbollën jonxhë mbasi paguan për plugim zetoristin që të ushqenin lopën dhe ajo të ushqente ata.
Por pavarësisht përpjekjeve në Babunjën me tokat pjellore, asgjë nuk ecte përpara, përkundrazi familja zhytej më thellë. Leonardi kreu klasën e nëntë dhe mandej e la shkollën. Bashkëmoshatarët e tij ose emigruan, ose u larguan, ose vazhduan shkollën. Ai jo. Fëmijë i vetëm i Hekuran dhe Thëllënxa Rrasës, megjithëse nga martesa e parë e të atit ai kishte dhe dy fëmijë të tjerë që Leonardi as i njeh dhe as që e di çfarë bëjnë e si iu ka vajtur jeta. Babai ishte nevrik, nëna mundohej të duronte, por ata ziheshin përherë për ekonomi, – qan Leonardi.
Sherret nisnin vetëm nga varfëria pëshpërit teksa rrëshket sytë e përlotur mureve të krisur dhe që së shpejti do rrëzohen. Mbase atë do ta zënë brenda, pasi të kthehet nga xhaxhai i tij që e ka strehuar derisa të kapërcejë dhimbjen nga tragjedia që i ka rënë.
Edhe në jetën virtuale në llogarinë e Facebook dhe në jetën reale, sytë e Leonardit që ia vunë emrin rastësisht nga një film janë të mbytur nga trishtimi. Ka pare një dramë që duhet të ketë nisur përpara se ai të lindte, atëherë kur prindërit e tij u martuan përmes mblesërisë. Të dy vinin nga dy martesa të mëparshme, dhe vazhdimisht grindeshin.
Në xhep ka palosur bashkë me fotografitë e prindërve 500-lekëshen e fundit që ia dha e ëma duke dalë, me të cilat do blinte një paketë dhe do pinte kafen në fshatin e tij të lindjes në Babunjë. I pa në oborrin e shtëpisë duke folur, pranë fuçisë së mbushur me grurë dhe që do bluhej për t’u bërë miell buke.
Për herë të fundit të gjallë, pak orë mbasi i ati Hekurani i ishte betuar se nuk do ngrinte më zë e as dorë ndaj Thëllënzës. Por arma e gjahut që i ati e përdorte për të trembur dhelprat dhe nuselalat, u shkrep prej tij për t’i qëlluar për vdekje të ëmën dhe mandej për t’i dhënë fund jetës. Bash aty, në një shtëpi prej qerpiçi të ndërtuar nga gjyshi prej 1957, dhe ku vëllai i fundit që jetoi me prindërit nuk pati asnjë mundësi të fitonte mbi mjerimin.
Mbasi i vrau të ëmën dhe shtiu mbi veten, ai e la pas të birin, krejt fillikat, në një fushë të egër shahu ku ai do luajë vazhdimisht i bindur se ndaj jetës në fshatin ku ai lindi dhe përcolli në dy varrime të ndara prindërit, nuk do fitojë asnjëherë.