Qytetari dibran, Korab Shehi, akuzon policinë për ushtrime dhune gjatë natës. Ai thotë se forcat e rendit kanë kryer kontrolle të maskuar dhe të armatosur. Sipas tij, dhuna nuk ka kursyer as gratë dhe fëmijët.
“Ishte ora 03.00 e mëngjesit. Unë rri në kat të parë dhe në kat të dytë dhe të tretë i kishin thyer dyert të gjitha. Kur dola unë ata po zbritnin poshtë. Ishin me maksa, kallashnikov dhe gjithçka. Në atë kohë u thashë: Çfarë është? Jo s’kemi punë, më tha kush je. I thashë emrin, pastaj ata shkuan te nusja e kushëririt. Ngaqë e dija që ishte me 3 fëmijë të vegjël shkova atje. Kur shkova atje, ata aty më shtynë, nuk më lanë dhe më përplasën për mur.
Nuk më lanë që të shkoj aty. E dija që kishte për t’i rënë të fikët nuses së kushëririt. Asaj i ra të fikët në rrugë, ndërsa djali i kushëririt shkoi të marrë makinën, policët i thanë; lere të vdesë në rrugë, sepse i ra të fikët në rrugë. Policët na kanë godit mua dhe djalin e kushëririt, na kanë rrahur. I kanë futur dhe në furgon dhe i kanë rrahur me shkop gome, plus që e kanë godit dhe në fytyra”, thotë ai.
LEXO EDHE:
Përplasjet në Dibër, Policia: Arrestohen 12 persona, 39 në kërkim