fbpx

Mapo Letrare

Letër e padërguar





               Publikuar në : 15:45 - 20/07/19 |
Nga Ilir Magjistari

Nga Ilir Magjistari


(Letër e padërguar)



Lërmë!


I kujton guriçkat që hidhnim mbi liqen? Më thoje: – Sa herë hedh një guriçke, shpreh një dëshirë. Unë qeshja. -Pse qesh? -Sepse po të jetë për dëshira … unë e mbush të gjithë liqenin me guriçka. Dhe prapë nuk mjaftojnë! A nuk e kupton se sa herë të flas e të shkruaj kam nevojë për ty? Kam nevojë të jem mirë, të thur ëndrrat më të bukura që i di vetëm unë? Lërmë vetëm pak çaste të marr kurajon e të mbyll sytë afër të tuve … Dhe të bindesh që qepallat do t’i bëj të tejdukshme e prapë do shoh si fle, si përpëlitesh mes ëndrrave, do dëgjoj fjalë të pakuptimta e do qesh aq mirësisht e lumturisht, sa vetëm unë e di. Lërmë të të puth ëmbël siç di unë, të nuhas lëkurën tënde që të vesh atë mish të bukur që më zileps. Plotësomi dëshirat e brishta!

Lërmë të mbështes kokën mbi gjoksin tënd të mrekullueshëm ku zgjerohet qielli im i endërt. Lërmë e lërmë të të jetoj, qoftë edhe pak çaste sado pamjaftushmërisht të jenë për mua te çdo ditë që ndjej se jetoj. Lërmë të marr frymë nga e jotja, e besomë se do të ta kthej, po po, do të ta kthej ditën kur shpirtërisht do jesh në rrëfimin e fundit. Depozitoje tek unë dhe kujtoma si një kredi të pashlyer nëse dyshon se do ta harroj. Lërmë të ta prek kokën, të t’i kreh flokët me gishta, lërmë të të puth siç dua unë, kudo. Lërmë të shijoj lagështinë e gojës tënde, puthjeve të pambarimta, të puth qafën mjellmore që zbardh ujërave të liqenit që bën sikur fle e nuk zgjohet as nga goditjet me gur … Nëm pak nga vetja … e do ta të ta kthej sërish. Do ndihem ti e do ndihesh unë.

Nëm pra nëm … e do të të bekoj çdo gjë tënden, do t’i vesh me shpirtin tim të dlirë e do ta shohësh sa e bukur do bëhesh. … Lërmë të të shoh kur nisesh për diku, e të të fsheh këpucët para se të dalësh. Lërmë të të gudulis sapo ke mbyllur sytë e të qeshësh ëndrrave të blerta. Lërmë të pi kafene nga filxhani yt, aty ku ka gjurmë të kuqe nga përkëdhelja e buzëve të kuqe. Pastaj ti ma vure dorën mbi dorë: -Po, i dashur. Do të të lë! Po jo pa kushte. Dua të më lejosh edhe ti të fle nga ana jote, mbi jastëkun tënd e të ndjej aromën erëmirë të lëngjeve jetësore të trupit tënd. Lërmë edhe ti të mësoj se si dashurohet e mësomë të bëj dashuri … Lërmë të hidhem, të vritem, të ngrihem vetë … E dua këtë vuajtje të ëmbël që më bën të jetoj. Bëj të jem e vetme qofte edhe për pak, vetëm për kohën që do më duhet të të tregoj gruan që jam.Ti do perfekten, ti do të paqenën përderisa shpreson tek ëndrra.

Unë nuk jam perfekte sigurisht. Une jam plot gabime vese, ajo që sa herë të ka bërë të ndjesh netëve dhimbjen e paqte të një dashurie. E di, sa here këpus sikletshëm thonjtë me duar sepse kam frikë natën që afrohet. E di që shpesh gaboj ne te shkruar. E di që nxitoj nga makthet kur ha e pi dhe mbytem në kollë të panevojshme. E di që fle nën grindje të pamata e përpëlitje shpirti. Qaj shpejt për hiçgjë, edhe flokët mbaj mbi kokë mërzitshëm dhe vetëm prania jote me jeton brendinë e shkarravitur pa lidhje. Po po, unë jam ajo, qesh e hidhërohem si fëmijë, urrej këpucët e ikjeve, bezdisem nga çorapet.

Urrej ato çingla pranguese si hajmali të pafata, unazën në gishtin e mesit, byzylykun e lëkurtë, varësen shumëxixëshe në qafe. Oh … asnjë fat s’më kanë sjellë! E vetmja ditë kur nuk i vura, ishte dita që të njoha ty. Jam unë që pi kafe pa sheqer, e po u fiksova në një këngë e dëgjoj qindra herë si manjake autorësh. Ta dish, dollapi im është vetëm me rroba të zeza, jo për modë, por tashmë, unë di të dalloj edhe nëngjyrat e saj … E sheh sa defekte kam?! Lërmë pra edhe ti, të të shoh, të të dua!

Bëmë të mendoj se ti je, e je vetëm për mua aq sa të ndërtoj një kujtim të bukur siç do ti …! Jam unë që grindem me veten, mbarsem, lind e abortoj sa e sa herë brenda natës e mëngjeset nuk i dua më të trishta duke parë mbetje ëndrrash të vdekura. Sepse … më duket të jemi në brigje që nuk do të mund të bashkohen kurrë … as me urën e ëndrrës. I dashur … vazhdojmë hedhim guriçka mbi liqen?


Etiketa:

Pas