Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në vitin 1980 u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar me rastin e 35-vjetorit të revistës “Pionieri”. Më 1989 fitoi çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga Radio – Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.
Në publikun e gjerë njihet si krijuese e talentuar dhe e suksesshme e teksteve të këngëve të lehta në anketa muzikore, festivale kombëtare në RTSH e në koncerte pranvere. Ka shkruar rreth njëqind tekste këngësh.
Ka botuar tetëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, dymbëdhjetë në gjuhën italiane dhe katër në anglisht. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 45 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, Zvicër, në Shqipëri dhe SHBA.
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Bashkëpunon me gazeta të ndryshme në gjuhën shqipe.
Irma Kurti jeton në Bergamo të Italisë.
Letër nënës
Si je nënë? Prej kohësh nuk flasim,
nuk kam marrë prej teje asnjë lajm,
ka shenja që nëpër ditë i deshifroj
si sinjale që ti m’i sjell nga larg.
Premtove se vdekja s’do të na ndante
dhe vetëm për një çast ti do të vije,
të gjitha ditët e mia janë shndërruar
në rrahje të shpejta zemre, në pritje.
Tanimë unë s’mundem që të vij tek ti
se udhën ma zënë vargje poezish plot,
të tjera ide të zbehta të përgjumura
po më presin që mbi letër t’i zgjoj.
Nëpër ditë i sjell ndërmend aq shpesh
kujtimet tona, bisedat për dashurinë,
mbrëmjet e ftohta përreth një furnele
të vogël që ngrohte të tërë shtëpinë.
E shtrenjta ime ti i mbaje premtimet,
këtë herë diçka ka ndodhur me siguri.
Do të ta nis letrën në strehën tënde
që rifreskohet nën hijen e selvisë.
E zakonshme
Është bërë e zakonshme që të fyejmë
me sharje pafund e me etiketa plot,
të nxjerrim mllefin porsi një helm,
të mbjellim urrejtje në tokën tonë.
Është bërë e zakonshme që zemërimi
shpirtin ne të na e brejë çdo ditë,
të shndërrohemi në meskinë nga pak
e t’i largohemi paqes dhe qetësisë.
Është bërë e zakonshme, me të afërm
të shkëmbehemi e mos flasim me gojë,
të ndiejmë se i njejti gjak në vena
nuk na lidh, po më shumë na largon.
Është bërë e zakonshme që të vriten
çdo ditë njerëz krejtësisht të pafaj.
Po dashuria është e jashtëzakonshme,
një relikt në muze, kujtim i rrallë.
Testamenti
Nuk do të doja ta jetoja një stinë të jetës:
pleqërinë e gjatë, monotone edhe të thellë,
kur të gjitha kujtimet vdesin një e nga një
e trupi si një dru i kalbur mbetet në vend.
Në çdo çast do t’më prekin, do t’më afrohen
për t’më ndihmuar njerëz të pandjeshëm plot,
do të ketë nga ata, pas krahësh do të qeshin,
qeshjen e tyre nuk do të mundem ta deshifroj.
Do të më ngrenë krejt pa kujdes nga karroca,
siç lëvizin manekinët që i vënë në vitrinë,
në trupin tim të drobitur do të lënë njolla,
me siguri më tepër do të më lënë në shpirt.
S’dua ta jetoj stinën e zbritjes në greminë,
askush s’dëgjon zërin e dhimbjes që thërret,
më hidhni në det a më braktisni në një pyll,
atje ku veç zogjtë dinë të ndërtojnë foletë.
Ky është një testament, ju lutem që ta hapni
kur truri të më jetë kthyer në një gotë bosh.
Po shkruaj me ngut, tani që unë mundem akoma
me kujtimet e mia të çmallem dhe të bisedoj.
Vend i lodhur
Të gjeta të lodhur këtë herë vendi im,
mbuluar me rrudha njerëzit dhe rrugët,
me mijëra thërrmija pluhuri fluturonin
nëpër parqe, pyje edhe lugje.
I gjeta të lodhur të rinjtë, të humbur
në udhëkryqe, në ankime dhe pakënaqësi,
ëndërronin si të iknin larg prej teje,
të kalonin kufijtë natë e ditë.
Përsëritet koha, trishtimet gjithashtu.
Shumë po të braktisin, ashtu si dikur.
Në krahëror të kanë mbetur veç brinjët
që si degët thyhen pa zhumë.
Një emocion i vogël
Unë po kërkoj një emocion të vogël,
të lehtë porsi një gjethe e delikat,
fëshfërimës së barit në një lëndinë
dhe vibrimit të një vale t’i ngjajë.
S’dua një emocion që gjithë qënien
si tërmet i fuqishëm t’ma trondisë,
të më dhurojë net të gjata pagjumë
dhe buzëqeshje t’më falë me shumicë.
Po kërkoj një emocion fare të vogël
që zemra ime e lodhur ta përballojë.
Kemi harruar
Kemi harruar kënaqësinë që fal
një shëtitje mbrëmjeve në park,
një këngë e kënduar pa kitarë,
drithërima e heshtur e liqenit
kur rosat në të notojnë ngadalë.
Kemi harruar të shtrihemi në bar
e të adhurojmë qiellin e kaltër,
të ledhatojmë gjatë një kafshë,
po mbi të gjitha: të shkëmbejmë
me njeriun që duam veç dy fjalë.