fbpx

Mapo Letrare

Letërsia dhe portat e Europës





               Publikuar në : 16:01 - 02/11/19 |
Nga Mark Simoni

Bashkëbisedim me shkrimtarin e suksesshëm Bardhyl Londo.


Nga Mark Simoni



A mund t’i thoni lexuesit tonë rrethanat e para të marrëdhënies tuaj me letërsinë dhe më tej,zhvillimet e veçanta dhe interesante të raporteve tuaja me librat dhe botimet?


Gjithçka ka filluar si një pasion i veçantë për leximin. Ishte një pasion krejt i veçantë dhe gllabërues. Unë dhe sot e kësaj dite nuk jam në gjendje të shpegoj magjinë dhe veçantinë e këtij akti, do të thoshja pa ndrojtje, pak mistik.

Edhe sot në këtë moshë ky pasion ka mbetur i njëjtë, gjithmonë i ri, gjithmonë i veçantë, gjithmonë përthithës deri sa vjen ora t’i lësh gjithë të tjerat dhe të ulesh të lexosh, të zhytesh në një botë tjetër, të lundrosh në detra të panjohur, të fluturosh në qiej të virgjër.

Mbaj mend që libri i parë që kam lexuar është “Aventurat e Din Pakut dhe shokëve të tij”. Ka kaluar një jetë qysh e kam lexuar por e kam të gjallë para syve. Kam kërkuar mos është bërë ndonjë ribotim por nuk kam parë gjë.

Autori ka qenë një autor rus dhe, me që marrdhëniet politike me rusët për një kohë të gjatë ishin të ngrira si Poli i Veriut, edhe marrëdhëniet letrare, kam parasysh autorët që ishin gjallë, ndoqën po atë udhë.

Sa i përket rrugës sime si shkrimtar është pothuajse e njëjtë me shkrimtrët e brezit. Në fillim vjershat në gazetën letrare të shkollës, pastaj në gazetën letrare të fakultetit. Në fakultet kishim një një rreth letrar shumë cilësor. Disa prej tyre janë nga emrat më të njohur të letërsisë shqipe sot.

Mund të përmend Zija Çelën, Xhevahir Spahiun, Nasi Lerën, Shefqet Tiganin,Adem Istrefin, Gaqo Bushakën. Të tjerë janë ndarë nga kjo botë por kanë lenë emrin e tyre në historinë e letërsisë. Faik Ballanca, një nga zërat më të talentuar dhe shpresa e sprovuar e letërsisë shqipe, mbaroi me vetëvrasje në moshë fare të re. Koçi Petriti dhe Kiço Blushi s’ kanë shumë kohë që kanë ikur në botën e përtejme.

Sa i përket fillimeve të mija letrare ka diçka krejt të veçanta sepse në ciklet e para që kam botuar në gazetën Drita dhe Zëri i Rinisë kam pasur redaktor dy shkrimtarët e shquar, Ismail Kadare dhe Vath Koreshi.

Në Drita çova një tufë vjershash dhe i lashë tek dezhurni me mendimin e fiksuar se Ismaili, aso kohe redaktor i poezisë në gazetë, as që ka për t’i lexuar, jo më të botojë diçka prej tyre.

Në kundershtim me fiksimet e mia, Ismaili jo vetëm i kishte lexuar por edhe kishte botuar diçka në gazetën Drita.

Me Vathin ishte më ndryshe. Ai e mori ciklin, e lexoi një për një, pastaj filloi të jepte mendimin për çdo vjershë. Si përfundim botoi një faqe të plotë të Zërit Rinisë. Qysh atëherë deri ditën që u nda nga kjo botë, me shkrimtarin e shquar mbetëm miq të ngushtë.

Bota e letërsisë, jo vetëm procesi i krijimit, por edhe botimi i saj, në jo pak raste ka diçka me të vërtetë mistike, ose, me fjalë të tjera ka shumë gjëra që nuk i shpegon dot.

Në viti 1986 paraqita në shtëpinë botuese Naim Frashëri librin me poezi “Vetëm Itaka”. Për çudinë time redaksia këmbëngulte për të ndryshuar titullin. Unë nuk e kuptoja dot çfarë kishin me Itakën. Ndoshta vetëm se ajo ndodhej në Greqi dhe Greqia konsiderohej në mos si vend armik, të paktën si vend jodashamirës i Shqipërisë? Pavarësisht këtyre broçkullave politike – nacionaliste, Itaka në librin tim s’kishte të bënte fare me Greqinë, ajo ishte simbol i Atdheut, i tokës mëmë, ashtu siç ka hyrë sot në të gjitha gjuhët e botës.

Sidoqoftë, nuk kisha çfarë të bëja dhe i vura librit titullin “Si ta qetësoj detin”. Por çudija ndodhi më vonë. Pas disa muajsh libri botohet në Prishtinë me titullin “Vetëm Itaka”. Më tepër se botimi i librit, më habiti titulli që i kishte vënë redaktori, Ali Podrimja. Rastësi? Apo ishte një rrjedhë e zakonshme që ta diktonte përmbajtja e librit. Nuk di si ta shpegoj. Prandaj e kam futur në tisin mistik me të cilin, sipas meje, është e mbështjellë letërsia.

Diçka nga letërsia juaj dhe planet për të ardhmen letrare?

Para dy vjetësh, në mos gaboj, botova romanin “Nata e verbër”, roman për tranzicionin shqiptar dhe për ditët e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha. Më vjen keq që nuk ia bëra shërbimin publicitar si duhet: e gjithë reklama kaloi me përurimin në Panair të Librit dhe në dy apo tre televizione, të cilat, ata që lexojnë libra nuk i ndjekin kurrë, ashtu siç ndodh me përurimet në Panairin e Librit ku vijnë ata që e marrin vetë librin, ata që s’kanë nevojë t’i njoftosh se cili libër del.

Tani, së afërmi kam një libër me poezi, të cilin nuk arrita ta botoj për Panair sepse u sëmura. Nuk e kam vendosur kur do ta botoj, në pranverën që vjen apo do ta lë për Panairin e ardhshëm të Librit. Të shohim.

Megjithëse mendohet se letërsia e viteve 30 ka qenë një letërsi me vezullim të veçantë, përsëri e dimë mirë se ajo nuk është ndriçuar sa duhet. A keni të na thoni diçka për letërsinë e kësaj periudhe?

Më pëlqen shumë përcaktimi që bëtë për letërsinë e viteve ’30: letërsi me vezullim të veçantë”. Kështu është vërtetë: e marrë si periudhë letrare ajo mund të jetë periudha më me shkëlqim në historinë tonë letrare. Madje jo vetëm letrare. Në këta vite kemi edhe një gazetari të shkëlqyer, kemi personalitete gazetarësh që edhe sot e kësaj dite të imponohen kur i lexon.

Por le t’i kthehemi letërsisë. Është periudha kur siç themi ne sot por nuk po e arrijmë kurrë, pikërisht kjo letërsi na futi me të dyja këmbët në Europë. Letërsia shqiptare që deri atëhere ishte gjysmë orientale dhe gjysma me tendenca për t’u futur në Europë, në vitet `30 bëhet plotësisht europiane, bashkohet me simotrat e saj.

Si e tillë ajo lindi dhe emra të mëdhenj të cilët jo vetëm kijuan themelet solide të traditës shqiptare, por mbeten edhe gurët e themelit të kësaj letërsie. Në rast se Fishtën dhe Nolin, për arsye thjesht studimore do t’i quajmë si flamurtarë të shkëlqyer që përmbyllin periudhën e letërsisë së Rilindjes Kombëtare, periudha që po vinte, pra vitet ’30 do na sillnin një plejadë shkrimtarësh të cilët nga çdo anë t’i kundrosh janë europianë në mentalitet, në krijimtari, në mënyrën e jetesë, madje edhe në mënyrën si vdesin.

Emrat e Ernest Koliqit, Migjenit, Lasgushit, Mitrush Kutelit etj, janë jo vetëm krenaria e letërsisë sonë, por edhe xhevahiret e kurorës sonë në themel të qenies dhe identitetit kombëtar europian.

A është thënë gjithcka dhe a është ndriçuar plotësisht kjo periudhë?

Natyrisht që jo. Madje ideologjia e vjetër komuniste që është shumë e fuqishme dhe sot, bën përpjekje të pashembullta ose për t`i zbehur, ose për t`i përvetësuar sa të mundet këto personalitete.

Ernest Koliqin e kanë lenë pothuajse si jetim, ndryshe nga shkrimtarë që nuk kanë as çerekun e vlerave të tij. Madje nuk lenë rast, kur u jepet mundësia, të gërmojnë në të kaluarën e tij dhe të sajojnë lloj – lloj inskenimesh që nuk kanë të bëjnë fare as me shkrimtarin as me kriteret si vlerësohet shkrimtari.

Migjenin, në shumicën e rasteve, mundohen që ta paraqesin si “të anës së tyre” dhe harrojnë ose bëjnë sikur harrojnë që poeti është një niçejan i kulluar dhe pikërisht kjo përbën edhe thelbin migjenian. Për Lasgushin kanë gjithë jetën që rropaten ta tregojnë si njeri psikopat, të çuditshëm, madje gjysmë të luajtur mendsh. Ndërsa Mitrush Kutelin mundohen me të gjiha bateritë e artilerisë së tyre famëkeqe ta mbulojnë me perden e rendë dhe të zezë të harresës.

Të mos harrojmë se letërsia e viteve `30 në shumë raste është produkt i murgjve dhe piftërinjve katolikë. Shumë prej tyre, bashkë me dorëshkrimet i zhduku inkuzicioni i kuq komunist. Atëhere kemi të drejtë të mendojmë se letërsia e viteve `30 është shumë më e gjerë se kjo që njohim. Na takon të bëjmë të gjitha përpjekjet të zbulojmë ç`të mundim nga kjo letërsi e zhdukur, ndonse përpjekjet duken si lufta me mullinjtë e erës.

A ka shenja dhe gjeste optimiste në letërsinë tonë të sotme për të thënë se ne kemi një letërsi të mirë?

Pa dyshim që po. Unë kam ndjekur, për shumë arsye që merren me mend, më shumë poezinë. Mund të them me plot gojën se tashmë në poezinë tonë ka hyrë një brez që e ka pasuruar ndjeshëm poezinë. Ata kanë sjellë gjysmën e poezisë që na mungonte. Në rast se deri në vitet `90 në poezinë tonë trajtohej më shumë, ose vetëm bota materiale dhe mungone bota metafizike, shpirti, poezia e sotme, bëri pikërisht këtë; solli shpirtin. Shikoni poezinë deri në vitet `90: është e mbushur e gjitha më male, baltë, shtylla tensioni, etj. Kurse poezia e sotme jell shpirtin e njeriut, ngjyrat dhe aromat e tij ashtu siç bën poezia më e mirë botërore.

.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas