Mapo Letrare

Letërsia e harruar








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:30 - 29/06/19 |
ro ot

– Intervistë me shkrimtarin, përkthyesin dhe leksikografin Hysen Sinani –


Pyetje: Zoti Sinani, ju kemi parë të tërhequr këta dhjetë vitet e fundit nga krijimtaria letrare, madje edhe nga publicistika në përgjithësi dhe nga kritika letrare në veçanti. Çfarë arsyesh ju kanë larguar nga këto fusha.


Përgjigje: Për të qenë i qartë që në fillim, arsyeja kryesore dhe pothuajse e vetme ka qenë: politika e keqe dhe armiqësore në terrenin e letërsisë, të librit dhe të tregut të tij. Ka dy a tre vjet që filloj e rifilloj një roman tragjikomik që e kam shumë për zemër. Ngacmohem në imagjinatën krijuese dhe nis të shkruaj me pasion. Nuk kalojnë kurrë më shumë se dy ditë dhe plas një skandal politik, ku fantazia ime krijuese tulatet si përpara një uragani fantazist dhe kështu do të më duhet shumë kohë që të guxoj e të ngre krye mbi rivalitetin e llahtarshëm të personazheve politike. E di që, po të kem këtë shëndet të mirë, një ditë do t’i vë përfund dhe njerëzit do të kënaqen me karikaturat e tyre, në qoftë se do të ketë ende njerëz që lexojnë. Dhe kjo, i dashur Mark, është thelbësore për një shrimtar: kush do ta lexojë veprën e tij, sa njerëz do ta marrin në dorë? A do të shënohet në ndonjë kronikë botimi e promovimi, apo do të zhduket sikur të mos ketë ardhur kurrë në jetë?… Shkrimtari shqiptar që nuk është “këlysh i përkëdhelur” i ndonjë kapedani politik, e ka shumë të vështirë të besojë se vlerësimi do t’i vijë i natyrshëm, nga zgjedhja e lirë e libërdashësit (në qoftë se kanë mbetur ende disa të tillë)… Pra, zbrazja e terrenit të letërsisë nga çdo aksesor i zhvillimit të saj, është edhe ky një dëm kombëtar që politika i bën kësaj fushe. Sepse, siç mund ta dini, shkrimtarët, mbas shkatërrimit të dhunshëm të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, nuk mundën të krijonin as edhe një kafene si qendër të takimit dhe të bashkëbisedimit të tyre…


 Pyetje: Mendoni se libri, krijimtaria letrare artistike në përgjithësi, ka rënie në krahasim me vitet e mëparshme?


 Përgjigje: Rënia sasiore është e dukshme nëpër panaire, por duhet të ketë edhe rënie cilësore, për mungesë të terrenit që thamë. Në fillim të viteve ’90 e më pas dolën disa shkrimtarë të rinj që tërhoqën shpejt vëmendjen e lexuesit, i cili ende nuk ishte shurdhuar nga pompa e zhurmshme e politikës. Mirëpo, më duket se aktualisht, edhe ndonjë talent i ri që spikat mbi të tjerët, e ka të vështirë të evidentohet në seleksionimet absolutisht pa një kriter vlerësimi që bëhen në median shqiptare. Diçka jep gazeta “Nacional”, por ajo nuk merr përsipër asnjë lloj “klasifikimi” letrar, le ta quajmë. Pa këtë klasifikim, lexuesi e ka të vështirë të orientohet, veçse rastësisht. Unë e kam lexuar romanin tënd dhe më ka pëlqyer shumë. Por e kam lexuar sepse të njoh ty. Por, që t’i lexoj librin një autori të panjohur për mua, duhet të më kenë dhënë më parë një tregues. Ky tregues për librin shqiptar mungon. Po të them një episod. Para disa ditësh isha në Prishtinë për Panairin e Librit. Shkëlqenin kapakët shumëngjyrësh të autorëve të huaj, por unë nuk arrita të blej as edhe një vëllim me poezi nga ndonjë autor i ri i talentuar shqiptar. Jo për ndonjë arsye tjetër, por duhej ta kërkoje shumë për ta gjetur…


 Pyetje: Mos po e shikoni si pa të ardhme letërsinë tonë?

Përgjigje: Po e shikoj të harruar, dhe kjo është shumë e rëndë. Është faza e fundit para përtëritjes. Ta bësh një komb që të harrojë krijimtarinë e tij shpirtërore dhe të kënaqet vetëm me grimasat e një kllouni që u shfaqet në ekran nga mëngjesi në mbrëmje, është me të vërtetë ta vajtosh me kuje gjendjen e mjerueshme të këtij kombi, edhe pse kalimtare. Mund të duket si pa lidhje zhvillimi ose jo i një letërsie në varësi të pehlivanllëqeve të një politikani. Por nuk është ashtu. Goditja që iu bë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në vitin 2007, ishte si një internim nga sytë këmbët i shkrimtarëve dhe artistëve. Dhe këtu nisi harresa e tyre nga politika. Rivaliteti i çdo krijimtarie (me përjashtim të asaj që promovohet jashtë shtetit) me komedianët e përditshëm të politikës, historitë dhe aventurat e tyre për t’i pasur zili edhe Hollivudi, e bën këtë letërsi kaq të largët sa sot, kur shikon në vitrinë një roman të ri, mund të thuash me vete: për çfarë bën fjalë vallë ky libër? Dhe po vetë të përgjigjesh: duhet të bëjë fjalë për ndonjë histori të zakonshme që nuk ka të krahasuar me historitë e jashtëzakonshme të këtyre politikanëve shakaxhinj!… Prandaj, edhe letërsia më duket e harruar, i dashur mik, e harruar nga lexuesit dhe nga vetë ne.

Bashkëbisedoi: Mark Simoni


Etiketa: ,

Pas