Me shkrimtarin dhe studiuesin Gazmend Krasniqi– Bashkëbisedoi Mark Simoni
Megjithëse mendohet se letërsia e viteve ‘30 ka qenë një letërsi me një vezullim të veçantë, përsëri e dimë mirë se ajo akoma nuk është ndriçuar aq mirë nga studiuesit dhe kritika. A keni diçka të na thoni për letërsinë e kësaj periudhe?
Letërsia e traditës sonë u zhvillua në kushte parakombëtare – ku mundësia e komunikimit qe shumë e zbehtë – dhe kombëtare – ku mundësia e komunikimit qe e hapur. Te letërsia e viteve ’30, kur Shqipëria po konsolidohej si shtet më vete, u kthjellua edhe mendimi ynë për letërsinë, duke u bërë bashkëkohës, ose jo i vonuar në kapjen e tij. Atje është “huri” ku lidhen paraardhësit dhe pasardhësit prestigjiozë. Po letërsisë që arriti pikun e komunikimit ia prenë rrënjë e degë. Poradeci i dha vendin që meriton poetikës së letërsisë që i mjafton vetja, kështu Realizmi Socialist, i ngritur mbi të tjera qëllime, siç e dimë, e zhduku nga qarkullimi. Migjeni solli poetikën e toneve të revoltës, por Realizmi Socialist mori dhe zhvilloi anën më të keqe të asaj letërsie: bota e ideve shmangu letraren. Mbi “formulat logjike” – siç i quan kritiku Qemal Draçini disa nga vargjet e tij – kritika e thirrur në ndihmë, me anë të propagandës dhe indoktrinimit, prodhoi pafund epitete madhështie aty ku ekziston një letërsi thjesht minore dhe e parëndësishme për fatet e letrave shqipe, por e aftë t’u ngatërrohet nëpër këmbë vlerave të vërteta, sidomos nga njerëzit me pushtet. Kjo është ndër gjërat më të këqija që i ka ndodhur letërsisë së këtyre viteve. Gjithashtu, të mos harrojmë se, në vitet ’30, në prozë letërsia jonë nxori Koliqin dhe Kutelin, të cilët, përveçse themelues të modernitetit në prozë, mbeten dy nga kritikët më të mirë e më të qëndrueshëm të letrave tona. Në fakt, e vërteta është se studimet për këtë letërsi janë rritur, por zëri kritik nuk është treguar në të njëjtën lartësi. Trashëgimia e fortë e Realizmit Socialist, e cila, e cila, në saje të pushtetit që vazhdon ta ketë, inferioritetin kërkon ta veshë me superioritet, ka penguar akordimin e tyre në mekanizmin e vlerësimit të bashkëkohores. Me këtë rast, kujtoj se edhe i nënshkruari ka botuar studimin “Poezia shqipe, një histori letrare”, duke u marrë jo vetëm me këtë periudhë të rëndësishme, por edhe me diakroni – sintoninë e plotë të prodhimit poetik shqip, për të arritur tek ajo që quhet “e tashmja e letërsisë”, ku leximi do të zhvishej nga çdo historicizëm muzeal.
A ka shenja dhe gjeste optimiste në letërsinë tonë të sotme, për të thënë që ne kemi një letërsi të mirë?
Nuk diskutohet që një letërsi e zhvilluar në liri për 30 vjet të ketë arritjet e saj. Zgjerimi i rrethit të mundësive është vetëm favorizues për letërsinë e një vendi. Një sistem i fabrikuar në bazë të disa qëllimeve të jashtëletrare dhe një sistem i hapur në mënyrën më organike nuk mund ta barazohen. Por duhet shpjeguar më parë çfarë do të thotë se shkruhet “ndryshe”, një “ndryshe” që është më afër të vërtetës së letërsisë, siç kishte ndodhur në vitet ’30, pa harruar se në këto kohë kanë fryrë edhe erërat e modernizmit apo të postmodernizmit. E vërteta është se propaganda e ndihmoi Realizmin Socialist që t’i ngrinte autorët e vet për vetëm 15 vjet, ndërsa në këto 30 vjet lirie nuk mund të flasim për një arritje të tillë. Sot ajo propagandë po funksionon ndryshe: dikush ia del që me eldorazhin e shkrimtarit të djeshëm të prodhojë vota, duke nxjerrë jashtë loje shkrimtarin që i ka hyrë letërsisë thjesht si letërsi, sepse sistemi i sotëm letrar, i hapur ndaj të gjithë prodhimit të vet, por edhe atij botëror, ka një dinamikë tjetër zhvillimi, e cila kërkon kohë për të bluar idetë që duhen të ndriçojnë mendimin letrar. Pra, fabrikimi vazhdon.
Ajo që dhemb më shumë sot është vrasja e zonës së rezistencës apo e refuzimit ndaj asaj që rrezikon vlerat kombëtare. Unë kaloj përditë te një rrugë ku duhej të ishte shtëpia e Poradecit. Nuk ka asnjë shenjë që ajo ka qenë aty. Pse? Le ta ngremë pyetjen: a është Poradeci pjesë e ndonjë eldorazhi që sjell fitimet e mësipërme, që ta gjejmë përgjigjen. As Frederik Reshpja, poeti më i lexuar dhe më i kërkuar sot për sot, i cili është shprehur haptas: unë vazhdoj në rrugën e Poradecit, nuk e ka një pllakë të tillë. Ky “flamur” që tund Rreshpja, bëhet një pikë orientimi me vlerë për studimet tona të infektuara nga sëmundja historiciste, e cila është veçse inkompetencë profesionale, po nëse do të vazhdojnë të mungojnë piketat orientuese nuk dihet se ku do të shkojmë. Edhe vetë Koliqi është shprehur se ishte më afër letërsisë që bënte Lasgush Poradeci, sesa shumë bashkëqytetarëve të tij.
Çfarë mendoni se do ta bënte të lexueshme jashtë letërsinë tonë?
Vetëm qenia Letërsi. Për paraqitjen e letërsisë sonë të re jashtë, jemi në një stad fëminor. Nevoja për ta habitur me historitë gazmore të një jete që vendet perëndimore nuk e kanë njohur, është kalimtare. Aq më keq nëse kjo letërsi nuk zhvillohet në këtë gjuhë: atëherë nuk ka lidhje as me letërsinë shqipe. Për përhapjen e letërsisë sonë jashtë duhen projekte serioze, pra jo të llojit – siç i paraqet Ministria e Kulturës – ku konkursi hapet me datën 1 të muajit dhe mbaron më 31. Për vitin 2019 qe thyer çdo rekord: konkursi ishte i hapur nga data 1 gusht deri më 24 gusht. Brenda këtyre datave, botuesit e huaj duhej ta lexonin veprën, të krijonin shpejt e shpejt mendimin për veprën që do ta shpëtonte nga falimentimi, të merreshin vesh me shtypshkronjën, të noterizonin dokumentet etj. No comment. Kështu funksionon vetëm një letërsi që e prodhojnë njerëzit e diplomacisë sonë, mbi kurrizin e taksapaguesve shqiptarë. Mënyra më e mirë për të gënjyer vete: kështu do të njohim vetëm anën bulevardeske të letërsisë, e cila as ka dhënë, as do të japë fryte.
Personalisht, mendoj se së pari duhet të shfaqemi me një produkt kolektiv, që do të peshonte më shumë: pra, me antologji. Çfarë ndodh me letërsinë e këtij vendi? Po në këtë pikë kemi një traditë shumë të keqe, ku ka ndikuar mendimi i gjymtë letrar, i cili ka kaluar nga këtu brenda atje jashtë, pa e kuptuar inferioritetin e vet. Në kontaktet që kam pasur me të huajt, nuk kam thënë asnjëherë: A ju jap diçka timen, po: A ju jap një antologji të letërsisë shqipe? Ky ka qenë diskutimi i fundit me Robert Elsie, pak para se të ikte nga kjo jetë. Kam biseda të tjera të hapura. Si autor i parathënies së një antologjie të poezisë bashkëkohore shqipe, mbarëkombëtare, të botuar këtë vit në Finlandë, jam munduar të jap mekanizmat e procesit letrar jashtë klisheve të demoduara, që kanë mbizotëruar mendimin tonë letrar.
Eshtë një “strabizëm” logjik, kur thuhet se gjuhën e bëjnë gjuhëtarët. Gjuhën e bëjnë shkrimtarët. Ata e harlisin në fond dhe forma, ata e pasurojnë, ata e zgjojnë shpesh nga gjumi i harresës dhe heshtjes. Ndërsa gjuhëtarët e kthejnë gjuhën në disiplinë, e magazinojnë, e skedojnë, i përcaktojnë rregullat. A mendoni ju që gjuha shqipe ka pasur aq shkrimtarë të plotë, që e kanë pasuruar aq shumë leksikun, sa shqipja të përballojë përkthimin e letërsive nga gjuhët e mëdha e të kultivuara prej kohësh?
Natyralisht, gjuha shqipe nuk ka pse të mendohet pas gjuhëve të tjera. Madje, siç dihet, ka ndonjë kohë foljesh më shumë. Ajo është pasuria më e madhe që ne, si shqiptarë, ofrojmë në banketin evropian e botëror. Kemi përkthyer Homerin, Danten, Shakespeare-in. Përkthimi nuk paguhet, por mos t’ia lëmë çdo gjë tregut: të gjejmë mënyra për ta ndihmuar përkthimin a ripërkthimin e veprave të mëdha të traditës. Si dhe atyre të modernizmit e postmodernizmit. Fjalorët e mëdhenj magazinojnë leksikun, por vendosja e fjalëve në marrëdhënie të veçanta, për arsye artistike, i rrit gjithnjë e më shumë kufijtë e kësaj pasurie. Ka shkrimtarë që e pasurojnë leksikun – ata që kanë një vepër të gjerë letrare (Fishta, Kadareja etj.) – ka shkrimtarë që bëjnë “akrobaci” me të – ata që kanë një vepër që nuk e matet nga volumi (Mjeda, Poradeci etj.). Për ilustrim të idesë së dytë, le të thërrasim në ndihmë një poet si Giuseppe Ungaretti. Në vitin 1916 jep këtë variant: “Balaustrata di brezza per appogjiare la mia malincolia stasera”, ndërsa në vitin 1942 “Balaustrata di brezza/ per appogjiare stasera/ la mia malincolia”. Ai nuk shton fjalë, por i lëviz ato, për hir të ritmit, dhe ne ndihemi pothuajse si para një poezie të re vetëm prej forcës së tij.
Stofi juaj i formimit, në raport me publikun, është letërsia. Kur shkruani letërsi, qoftë dhe një herë të vetme, a e keni ndjerë tundimin e ndikimit nga fryma shkollash të letërsive të tjera, nga rryma e tendenca letrare? Gjithashtu në këtë kuadër, a mund të na flisni pak rreth letërsive më të pëlqyera sot nga bota e leximit? Autorë të preferuar?
Letërsia jonë gjithmonë ka përparuar kur ka qenë e hapur ndaj kulturave më të mëdha. Kështu pasurohet sistemi ynë letrar. Me referenca apo përkthime. Të lartpërmendurit Lasgushi e Migjeni e vërtetojnë këtë. Arbëreshët, me referencat e tyre nga letërsia italiane, Mjeda, Camaj, Pashku dhe poetët më të mirë nga Kosova, Koliqi dhe Kadare në prozë etj. Thomas Eliot, krijimtaria e të cilit është parë si një bombë atomike për letërsinë angleze, është ndikuar fillimisht nga një poet francez, që vetë letërsia franceze shpesh harron ta përmendë si të tillë. Sigurisht, gjithë ky proces i ngatërruar është në shërbim të një qëllimi: duhet gjetur zëri personal. Kam autorë të preferuar, por lista me ta ndryshon në kohë të ndryshme. Rikthimi, herë ndodh shpejt, herë ndodh ngadalë. Më tepër rilexoj, sesa lexoj. Një tregim modern mund ta gjesh më shpejt te Tukididi, sesa te një bashkëkohës. Pastaj të del parasysh Borges, Barthelme apo Carver. Dhe shumë të tjerë.
Kjo pyetje kërkon një trajtim më të gjerë.
Mund të na thoni se cilat janë planet tuaja letrare dhe a keni ndonjë gjë konkrete për të ndarë me lexuesin?
Së pari, do të kërkoj një punë në diplomaci!!! Kur ta gjej, do t’ju flas për disa botime jashtë vendit. Përtej shakasë, vitin e kaluar kam dalë me vëllimin “Antipoezi” dhe atë me romane “Trilogjia e Shkodrës”. Mendoj se, së shpejti, bëhem gati me një libër në prozë. Sigurisht, vazhdimisht do të ketë diçka të re dhe me interes te revista ”Palimpsest”, për të cilën vazhdoj të kontribuoj.