Dikur

Letra e Aleksandër Xhuvanit: Rinia Balliste më sulmoi gruan e vajzat






               Publikuar në : 11:06 - 06/09/19 |
Nga Veli Haklaj

-Realitete shqiptare në Qarkun e Elbasanit gjatë pushtimit gjerman


Nga Veli Haklaj

  1. Hyrje

Objekt i këtij punimi, që do të publikohet për lexuesin e gazetës “Mapo”, është pasqyrimi i disa aspekteve të realitetit të përjetuar në Qarkun e Elbasanit gjatë periudhës së pushtimit gjerman. Në fokus të punimit do të jenë raportet e qytetarëve me organet e pushtetit civil dhe ushtarak në këtë qark, si dhe problematikat e shfaqura në relacionet ndërmjet fuqive të Ballit Kombëtar që vepronin në Qarkun e Elbasanit dhe strukturave të pushtetit qendror dhe lokal. Do të pasqyrohet informacion me interes dhe për ballafaqime ushtarake mes fuqive të armatosura që vepronin në këtë qark. Në këtë punim, në varësi të çështjeve që trajtohen, ka të dhëna me interes dhe për qarqet e tjera kufitare me Qarkun e Elbasanit.

Për përgatitjen e punimit jemi bazuar kryesisht në dokumente që administrohen në fondin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, me të dhëna të shumta autentike për struktura, organizata dhe persona, për implikimet e tyre negative apo pozitive. Hartat ilustruese janë marrë nga libri Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. 

  1. Fuqitë e Ballit Kombëtar marrin përsipër atributet e autoritetit qeveritar

Më 25 janar 1944, Qarkkomanda e Elbasanit i raportoi Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë mbi ndërhyrjet e komandantit të fuqive të Ballit Kombëtar në Librazhd, Isak Alla, në kontrollet e makinave që kalonin për në Korçë duke zbuar patrullën e xhandarmërisë.

Qarkkomanda e Elbasanit theksonte se “Isak Alla njihej mirë si person plaçkitës dhe, si i tillë, fuqija e tij e ai vetë në atë qytet kishin bamun shumë plaçkitje manifature e sende të ndryshme, përpos 2 mijë frangave Shoqnisë Saide dhe aq të tjera një farë Mir Gjikës, tregtar”. Nga këto veprime, tregtarët të dëshpëruar ishin shtrënguar të mbyllnin dyqanet.

Ndërkohë, edhe Rrethi i Shijakut raportonte se fuqia e Ballit Kombatar e atjeshme ishte duke bërë “kontrolle shtëpijash tue tërhjekë dhe konfiskue çdo material, pa dijeninë dhe bashkëpunimin me xhandarmërinë e vendit”.

Nisur nga këto ngjarje që raportoheshin, Qarkkomanda e Elbasanit kërkonte nga autoritetet qendrore që t’u njoftohej se cili do të ishte qëndrimi i xhndarmërisë në raste të tilla.

Për ngjarjet e mësipërme, më 3 shkurt 1944, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema, njoftoi Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Situatë më e rënduar në këtë drejtim paraqitej në Rrethin e Peqinit. Më 12 shkurt 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se një fuqi e Organizatës së Ballit Kombëtar e destinuar në Peqin e kishte  veshur veten me të gjitha atributet dhe kompetencat që do të ushtronte autoriteti qeveritar, aq sa xhandarmëria e atjeshme dhe organet e tjera shtetërore nuk ishin aspak në gjendje të ushtronin detyrat e tyre dhe për këtë gjendeshin të ofenduara e të diskredituara para popullit. Faktikisht Komanda e Ballit Kombëtar në Peqin kishte marrë përsipër të gjitha shërbimet e rendit publik, administrativ dhe gjyqësor, funksione këto që ia kishin bërë të ditur popullit me shpallje publike nëpër mure.

Me shpallje të tilla të publikuara, Komanda e Ballit Kombëtar në Peqin i kishte lënë të lirë popullit shitblerjen e artikujve të monopolizuar, gjë që vlerësohej se i shkaktonte dëm të madh arkës së shtetit. Megjithëse xhandarmëria vazhdonte të qarkullonte në shërbime për sigurimin publik, por nuk ishte aspak e lirë të kapnin një fajtor, sepse do të gjindeshin të penguar menjëherë nga një fuqi tjetër, Ballit Kombëtar, që “arreston faj e pa faj persona të dyshimtë, rrahë, torturon, plaçkit, përvetëson të holla e sende të tjera dhe mandej i lirojnë, kështu që çdo fajtor nuk ka si paguan para drejtësisë veprën e tij, por në një mënyrë ose në një tjetër mbetet i lirë”.

Në përfundim të këtij komunikimi zyrtar, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema, i lutej Ministrisë së Punëve të Brendshme “që të provokohet një ndërhyrje dhe një rregullim i kësaj gjendjeje që âsht në dâm të madh të prestigjit qeveritar, mundësisht me largimin s’andejmi të njerëzve drejtues të organizatës në fjalë, të cilët si shihet i shërbejnë vetëm interesave dhe ambicjeve të tyne se sa qëllimit të lartë për të cilin duhet të veprojnë”.

Por situata në Rrethin e Peqinit vijonte të ishte problematike. Më 25 mars 1944, nënprefekti i Peqinit, Riza Feri, informoi Prefekturën e Elbasanit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme se Komiteti Krahinor i Ballit Kombëtar kishte transportuar sasi të konsiderueshme ushqimesh në drejtime të ndryshme, gjë kjo që kishte vazhduar me kohe, gjithnjë duke gjizuar tregjet më të favorshme, pa marrë fare parasysh se ku çohet.

Nënprefektura e Peqinit, në mungesë të  forcave të xhandarmërisë, s’kishte mundur t’i ndalonte dhe as që mund t’i ndalonte, sepse s’kishte fare postëbllok.

Sipas nënprefektit Feri, Komiteti i Vlorës ishte kujtuar shumë vonë [të kërkonte sasinë e nozullimeve për popullatën e Vlorës], mbasi vazhdimisht e pa pushuar kishte vazhduar transporti i drithit nga agjentët e autorizuar nga Komanda e Ballit Kombëtar.

Edhe në informacionin e datës 2 mars 1944, Komanda e Qarkut të Xhandarmërisë së Elbasanit informoi Prefekturën e Elbasanit, mbi pengimin që vullnetarët e Komandës Nacionaliste i bënin Armës së Xhandarmërisë. Megjithëse titullari i asaj Prefekture në çdo rast kishte këshilluar komandantët e vullnetarëve për t’i dhënë ndihmën e tyre Armës së Xhandarmërisë, por kishte ndodhë dhe vazhdonte të ndodhte e kundërta aq sa autoritetet drejtuese të Xhandarmërisë së Elbasanit kishin qenë të shtrënguara të urdhëronin xhandarmërinë për procedim e rreshtim të civilave që kishin guxuar apo do të guxonin të ndërhynin në detyrat e xhandarmërisë.

Në informacionin për Prefekturën e Elbasanit theksohej se “kjo Fuqi Civile nuk bân asgjë këtu në qytet në të mirën e shërbimit dhe simbas informatave që kemi nga Komanda Gjermane edhe përsa i takon veprimit të jashtëm ushtarak nuk janë treguar në lartësinë e duhur”.

Nisur nga situata e krijuar, Komanda e Qarkut të Xhandarmërisë së Elbasanit i lutej prefektit që të urdhëronte ku duhet për shpejtimin e dërgimit në Elbasan të Fuqive të Armës së Xhandarmërisë, “që kështu t’u jepet fund dallavereve bashibozuke”.

Për këto zhvillimi u vunë në dijeni edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë.

  1. Ankime të qytetarëve për veprime abuzive

Më 28 mars 1944, zejtarë të ndryshëm të Elbasanit i drejtuan një lutje Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ankoheshin për moslikuidim llogarish nga ana e Ballit Kombëtar. Ndërkohë grabitjet e segmenteve të Ballit Kombëtar vazhdonin në forma të ndryshme. Fetah Kazadej dhe Arif Cerema, banues në Elbasan, vinin në dijeni Ministrinë e Punëve të Brendshme se prej tre muajsh më parë kishin filluar të furnizonin  Komandën e Ballit Kombëtar të Elbasanit me mish që kapnin një shumë prej gjashtëdhjetë mijë frangash. Në këtë kohë, nevojat kishin qenë të mëdha dhe të dy qytetarët theksonin se kishin qenë të detyruar nga nevoja e rrethanave të plotësonin kërkimin e bërë prej Komandës së Ballit. Në kohën e porosisë si edhe më vonë i ishin adresuar Komandës së Ballit Kombëtar, por e drejta e tyre nuk ishte likuiduar.

Nisur nga sa më sipër, ata e konsideronin të natyrshme dhe të drejtë që këto të drejta të padiskutueshme t’u njiheshin dhe të hollat që përfaqësonin sende të marrura për interes të shtetit t‘u paguheshin prej fondeve që do të shihej e arsyeshme nga Komanda e Ballit Kombëtar. Sidoqoftë, për likuidimin e të drejtës së tyre qytetarët Kazadej dhe Cerema e linin në fuqinë e Ministrisë së Brendshme për të përcaktuar autoritetin që do t’i paguante.

Më 4 prill 1944, qytetarja Emine Kolimja (Gishti), banore e lagjes Hazinedare, Elbasan, i drejton një letër Prefekturës së Elbasanit, ku i parashtron se, qysh me ardhjen e fuqisë civile të armatosur, nuk shkonte natë pa u shkuar në shtëpi fuqia civile, jo vetëm në shtëpinë e ankueses, por në çdo shtëpi të lagjes Hazinedare, orar mbas orari, biles shumë herë u kishte takuar rasti të çoheshin nga gjumi në mes të natës. Sipas ankueses, “qëllimi i tyre ndër shtëpija është vetëm për me çnderue dhe për me vjedhë”. Meqenëse sjelljet e personave civilë që hynin me zor ndër shtëpija po u shkaktonte prishjen e qetësisë dhe frikësimin e gjithë lagjes, Emine Kolimja i lutej autoriteteve të Prefekturës që të kishin “mirësinë me dhânë urdhnat e duhuna Komandës ku ata mvaren që të ndalohen të përmendunit në hymjen e shtëpijave që po bâjnë”.

Një ditë më pas, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, i përcolli letrën e qytetares Emine Kolimja Zyrës Politike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke theksuar se “të tilla sjellje shnderuese, vjedhje, vrasje e hymje me zor natën ndër shtëpija janë bâ përditë dhe përsëriten nga fuqija e Xhafer Balit”.

Në informacionin e Prefekturës së Elbasanit, theksohet se civilat e armatosur që merreshin me të tilla sjellje ishin të komanduar prej Xhafer Balit që figuronte edhe si kapiten i Armës së Xhandarmërisë. Sipas informacioneve të sigurta, Xh. Bali nuk bënte pjesë në Ballin Kombëtar, veçse paraqitej si i tillë duke pasë kontakt të ngushtë me komandat e ndryshme gjermane të Elbasanit dhe nuk linte “gjë pa krijuar kundër qytetarëve e personave të ndershëm me qëllim dallavere personale”.

Më tej, prefekti Shehu shkruan se “këtij bukuroshi kjo prefekturë me anën e fuqisë së Armës së Xhandarmërisë do t’i tregonte vendin që meritonte, porse përkrahja e ekzagjerueme që i bâhet nga komandanti gjerman Langer na ndalon nga çdo veprim legal që duhet të marrim si kundër Xhafer Balit, ashtu edhe kundër fuqisë civile të armatosur dipenduese prej tij”.

Duke u nisur nga interesi i përgjithshëm për rregullin publik, prefekti Shehu i kërkonte Ministrisë së Brendshme që Xhafer Bali të mos qëndronte më në Elbasan dhe të dispononte urgjent masat e nevojshme për largimin e tij prej këtij qyteti, pasi vazhdimi i qëndrimit të tij në Elbasan konsiderohej “në kundërshtim të plotë me interesin e vendit e sidomos për prestigjin qeveritar”.

Por veprimet abuzive të pasuesve të Xhafer Balit vijuan dhe më pas. Më 14 prill 1944, Muzafere Ypi, e shoqja e Bexhet Ypit, nga Elbasani, i drejtoi një letër Prefekturës së Elbasanit, ku ankohet kundër adjutantit të Xhafer Balit, pse i kërkonte kësaj kontributin që i ishte caktuar të shoqit të saj. Në letrën e zj.Ypi, theksohet se një nga komandantët e Ballit Kombëtar, z. Jorgji Mema, e kishte thirrë që të paraqitej në banesën e tij private në një hotel të këtij qyteti për të paguar kontributin që i ishte caktuar të shoqit, si shumë banorëve të tjerë të qytetit të Elbasanit.

Zj. Ypi nuk kishte kundërshtuar për kontributin e caktuar burrit të saj, por ankohej pranë Prefekturës së Elbasanit se për pagimin e kontributit thirrej ajo, një grua, kurse duhej të thirrej burri i saj, që ishte prezent, nga ana e Komitetit të Ballit Kombëtar. Zj. Ypi i lutej Prefekturës që të demarshoj ku duhet që ta lenin të qetë në shtëpinë e saj, “mbasi në këtë rast kontributet u janë caktue burrave dhe jo grave”.

Brenda ditës, letra e Muzafere Ypit iu përcoll nga Prefektura e Elbasanit Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shtohej se “të tilla vepra kanë lidhje me dallaveret personale të të quejtunit Jorgji Mema që âshtë mosketjer i Xhafer Balit”.

  1. Ankime ndaj veprimeve të Rinisë së Ballit Kombëtar

Më 6 prill 1944, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, informoi Ministrinë e Brendshme mbi formimin e një Komande Rinie në Elbasan, nën varësinë e të quajturit Shyqyri Biçaku (djali i Dervish Bej Biçakut).

Sipas këtij informacioni rezervat, “kjo komandë kishte mbledhur në gjirin e saj persona të rinj, të degjeneruar, që me gjithë moshën e tyre të vogël, kishin ndryshuar shumë herë opinion.” Si prototipa të tyre paraqiteshin Cen Graceni dhe Shefqet Ibrahimi, komunista të rrezikshëm, që në kohët e fundit kishin pasë vrarë Koço Nikon, me urdhër të Partisë Komuniste dhe që më parë kishin qenë shpërndarës traktesh.

Gjithashtu, ishin inkuadruar në këtë komandë edhe Ali Abazi, ish-agjent kuesture në Berat, ku kishte pasë abandonue detyrën dhe për disa muaj rresht kishte bërë pjesë në çeta partizane komuniste, si edhe Qamil Arapi, më parë komunist e më vonë spiun i Gestapos e që për grabitje të hollash në popull, në emër të Komandës Gjermane, kërkohej nga strukturat e xhandarmërisë së Elbasanit për procedim.

Për personat e përmendur që kishin qenë më parë komunistë, Prefektura e Elbasanit i kishte dhënë komandantit të kësaj Rinie dhe instruksione që t’i shfytëzonte për të treguar elementin komunist të qytetit dhe, nëse komandanti nuk do të ishte në gjendje që të përfitonte prej tyre, kishte kërkuar që ata persona t’i dorëzoheshin xhandarmërisë që me masat e saj administrative do të mund të zbulonte prej tyre deri dhe persona me interes shumë të madh për rregullin publik.

Në informacionin e Prefekturës së Elbasanit nënvizohej se duke qenë se personat që bënin pjesë në komandën e naltpërmendur ishin kush më pak e kush më shumë të kategorisë së përmendur më sipër, nuk kishte mundësi në asnjë mënyrë që të pritej prej tyre shërbim serioz dhe i ndershëm e “sidomos kur ata vepronin në emër të Rinisë Nacionaliste, kështu që për çdo natë bëhen përkufizime nëpër banesa, merren njerëz të pafajshëm, mbahen në burg dhe mandej lirohen”. Shpesh herë kishte ndodhë që kishin “marrë edhe vajza njëzetë vjeçare natën dhe, siç kanë qenë me teshat e fjetjes, i kanë mbajtur deri në mëngjes e mandej i kanë liruar”.

Për të gjitha këto vepra që bënin, Komanda e Rinisë as që pranonte edhe një këshillë të vetme nga autoriteti lokal dhe jo më që të vinte në dijeni autoritetin. Për të gjitha këto Prefektura e Elbasanit kishte njoftuar edhe Komandën Gjermane.

Në informacion theksohet se djemtë e Dervish Bej Biçakut kishin dalë në skenë me urdhërin e atit të tyre dhe vepronin pikërisht sipas udhëzimeve të Xhafer Balit, i cili qëndronte në Elbasan në përkrahje të Komandës Gjermane dhe për të siguruar interesat e tij materiale në kurriz të popullit: “1) se vepron në emër të Ballit Kombëtar, por Balli Kombëtar nuk e njeh; 2) se vepron në emër të nacionalizmit e prandaj gjoja edhe në favor të qeverisë, por qeveria as që e njeh fare tue veprue ashtu si e do interesi i tij”.

Si në komunikimin e një dite më parë (5 prill), prefekti Shehu i lutej Ministrisë së Brendshme të bënte çmos për largimin e Xhafer Balit prej Elbasanit, meqë qëndresa dhe vepra e tij konsideroheshin në kundërshtim të plotë me politikën qeveritare dhe ndodhja e autoriteteve të Prefekturës aty, në vend që të paraqiste qeverinë me dinjitet, bëhej qesharake për ditë e më tepër para opinionit publik të Elbasanit.

  1. Ankesa e Aleksandër Xhuvanit për veprime të jashtëligjshme ndaj familjes së tij

Veprime të konsideruara të paligjshme u kryen nga të vetëquajturit Rinia Balliste dhe ndaj bashkëshortes dhe vajzave të arsimtarit të nderuar Aleksandër Xhuvani. Për ngjarjet e ndodhura, ai, duke shmangur autoritetet e pushtetit lokal, iu drejtua më 6 maj 1944 me një letër drejtpërdrejtë ministrit të Punëve të Brendshme, Xhafer Deva. Nisur nga rëndësia e informacionit që përcjell, por dhe në respekt të Prof. Dr. Xhuvanit, letrën e Tij po e japim të plotë në vijim, duke ruajtur gjuhën e dokumentit.

 

Zoti Ministër,

Po marr lejen t’i kallzoj Zotnisë s’uej nji ngjarje që ka ndodhë n’Elbasan në familjen t’eme:

Më 26 të muejit që kaloi kishin vojtë në shtëpinë t’eme n’Elbasan disa djelm t’armatosun dhe kishin kërkua të zanë dy gocat e mija, Iolandën dhe Semiranin, të kallzueme si komuniste. Këta ishin dërgue prej Reshatit, të birit të Dervish Beut, që ka përvehtësue titullin e Kumandantit të vetëquajtunës “Rinisë balliste” t’Elbasanit.

Vajzat nuk i kishin gjetë aty, por iu kishin kanosë me të shame e të brituna grues s’ime, për të dorëzue vajzat që i donte kumandanti i tyne, se për ndryshe mund ta pushkatojshin dhe atë.

Tre muej ma parë, Xhafë Bali me të tjerë katundarë t’armatosun, erdhën natën në shtëpinë t’eme n’Elbasan dhe zunë gruen me vajzën dhe i burgosën dhe mbas dhetë ditësh i lëshuen. Tash prapë vijnë vijnë njerëzit e të vetëquajtunës “Rini balliste”, njerëz privatë, pa ndonjë cilësi zyrtare, gjind rropulli e gërdhajë dhe i marrin fytyrën grues tue e kërcnue e tue e shamë.

Zoti Ministër, gjithë nënshtetasit janë të detyruem t’u shtrohen ligjeve, t’u binden urdhnavet të Qeverisë, të gjykohën drejtësisht prej saj, në qofshin fajtorë, e t’i ndihin në veprën e saj të mëkâmbjes e të rindërtimit të Shtetit. Por âsht nji dhun’ e madhe kundra prestigjit e fuqisë qeveritare që disa djelmosha, lapërdharë e bixhozçi, të zâvendësojnë pushtetin qeveritar, të burgosin e të marrin nëpër kâmbë prindë e familje, pse fëmijët e tyne kallzohen prej spiûjsh të poshtër si komunista.

Ndër ata që gërthitshin e shajshin gruen t’eme u njoftën njifarë Haxhi Ymeri e Sulë Kadeshi dhe veç të tjerave i kishin thânë: “jeni Serbë e Grekë”.

Zoti Ministër, si nënshtetas pa njollë e si arsimtar i vjetër, që mâ tepër se askush tjetër kam dhânë ndihmesën t’eme të vogël me shumë vepra shkollore për naltësimin e arsimit kombëtar, si në kohë të robnisë turke, si në kohë të lirisë së kombit, unë protestoj për këtë dhunë që m’âsht bâ prej njerëzish të shkarzyem moralisht, që duen të shfryjnë pasionet e tyne e të marrin nëpër kâmbë njerëz të ndershëm e puntorë, që nuk kanë qenë parazitë, por e kanë fitue bukën me djersën e ballit.

Ju lutem, z. Ministër, që të jipet urdhën për t’u hetue çâshtja e të mirren masa ndëshkimore kundra atyne rrugaçave që kanë rândue familjen t’eme e kundra të vetëquejtunit kumandant të tyne që quhet Reshat Bej Biçaku.

Tiranë, 6/V/1944

Me nderime të posaçme

(Aleksandër Xhuvani)

(firma)

Tre ditë më pas, më 9 maj 1944, Ministri i Punëve të Brendshme, i drejtoi një shkresë rezervat në formë urdhëri Prefekturës së Elbasani, duke i bashkëngjitur dhe kopjen e parashtresës së z. Aleksandër Xhuvanit.

Në shkresën e ministrit të Brendshëm theksohet:

“Tuej marrë parasysh veprimet e një veterani t’Arsimit Kombëtar, i cili, pa ndie lodhje e debulesë për mbarëvajtjen e arsimit, ka punue me të gjitha fuqitë e tij për rimëkëmbjen e Shqypnisë sonë, e cila, në pikëpamje të arsimit, ishte krejtësisht poshtë në krahasim me shtetet e tjera, e sot në pleqësi e sipër, në vend që të ketë nder e mbrojtje, jo vetëm se nuk përkrahet prej rinisë por, çka âsht mâ tepër, po prej kësaj dishirohet që të shtypet e përse, kjo nuk mund të dihet. Na vjen shumë keq kur dëgjojmë veprime të tilla që kryhen prej organeve të Ballit pse kështu traditat shekullore të fisit tonë merren nëpër kâmbë e hudhen mbas shpine, gjâ që e kemi pasë mâ të shenjtë.

Âsht e tepërt të shkojmë mâ gjatë, mund ta kuptojnë vetë ajo prefekturë rândësinë e çështjes. Prandaj, për sa na âshtë parashtruem, kërkojmë që të bâni hetime dhe të na shpjegoni imtësisht rrjedhimin e atyne ngjarjeve e njëkohësisht ju porosisim që t’i ndaloni në mënyrë kategorike ato lloj veprimesh të Ballit t’atyshëm, mbasi në këtë mes diskretitohet dhe Qeveria Shqyptare.”

Në përgjigje të këtij urdhëri të ministrit, më 15 maj 1944, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, informoi Zyrën Politike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme se me marrjen në dorëzim të urdhërit të sipërm, titullari i kësaj prefekture thirri menjëherë në zyrë Reshit Biçakun, të vetëquajtunin komandant të Rinisë së Ballit në Elbasan dhe i kërkoj shpjegime për sa ankohet në lutjen e vet z. Aleksandër Xhuvani, por i përmenduni z. Reshat Biçaku mohoi kategorikisht që ai të kishte dërguar djem të armatosur në shtëpinë e lutësit për të zënë gocat e tij dhe kishte deklaruar se këto veprime të paligjshme mud të jenë bërë prej ndonjë personi tjetër, nga të vetëquajturit komandanta të Ballit. Megjithkëtë, prefekti e këshilloi të përmendurin që të mos përsëriteshin më të tilla veprime prej cilitdo që vepronte në këtë mënyrë.

Në përgjigjen e tij, prefekti Shehu sqaron se Prefektura e Elbasanit deri atë ditë nuk ishte vu në korent prej të interesuarve për veprimet ilegale të rëndueme mbi familjen e z. Aleksandër Xhuvani, me qëllim që të dispononte kundër autorëve, “në mos masat e duhuna (për shkak të rrethanave të kohës) të paktën të bânte këshillimet e duhuna dhe të raportonte atë ministri, siç ka raportuar me shkresa të ndryshme ngjarje të tilla analoge”.

Me këtë rast, prefekti Shehu shtonte se Prefektura e Elbasanit nuk kishte munguar kurrë që t’i raportonte Ministrisë së Brendshme (citohen pesë shkresa) për veprime të tilla të jashtëligjshme të shkaktuara në këtë qytet prej të famshmit Xhafer Bali, i cili për veprat e tij mbiquhej prej autoriteteve të Elbasanit “Isa Toska nr. 2”, si dhe për mosketjerët e tij, Jorgji Mema e shokë, por kundër të cilëve, siç dihej, nuk kishin pasë mundur me marrë masat ligjore për shkak të rrethanave të kohës dhe as që mund të vepronin në bazë të dispozitave ligjore, për deri sa vazhdonte kjo gjendje.

VIJON NUMRIN E ARDHSHËM


Etiketa: , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas