Realitete shqiptare në Qarkun e Elbasanit gjatë pushtimit gjerman
Nga Veli Haklaj
VIJON NGA NUMRI I KALUAR
Veprimi në terren i fuqive të Xhandarmërisë
Në zhvillimet dinamike në Qarkun e Elbasanit, luajtën rol të rëndësishëm edhe fuqitë e Armës së Xhandarmërisë. Për disa aspekte të veprimtarisë në terren të fuqive të Batalionit Shëtitës “Vermoshi”, Batalionit “Mokra”, por dhe të batalionit të fuqive vullnetare “Kërraba” lexuesi do të njihet në vijim të këtij punimi. Në këtë pjesë do të paraqitet dhe përshkrimi i përpjekjes me armë në rrethin e Gramshit ndërmjet fuqive qeveritare me çetat partizane.
- Aspekte nga veprimet e Batalionit III Shëtitës “Vermoshi”
Me shkresën Rezervat Personal të datës 10 qershor 1944, komandanti i Batalionit III Shëtitës “Vermoshi”, major Dod Nikolla, informoi Komandën e Përgjithshme të Operacionit në Elbasan, “mbi zhvillimin e operacioneve kundër komunistëve dhe gjendjen e tyre në Jug”. Informacioni u hartua në Elbasan, në bazë të kërkesës së titullarit të asaj Komande. Nisur nga rëndësia e të dhënave që përmban, në vijim po japim pjesët kryesore nga ky dokument:
I. Në luftime me fuqitë komuniste kemi pasë tri përpjekje të forta: më datat 9 e 22 maj 1944 në Shelcan dhe më 4 qershor ndërmjet katundeve Vinëza dhe Kishta, në malin Kodra e Rrasës. Të tjerat ndeshje i kemi pasë të lehta.
– Në këto përpjekje kemi pasë dy të vramë, dy të plagosur rândë dhe katër lehtë.
– Kemi gjetë katër komunista të vrarë, njëri ndër ta i quajtuni Mina Thomaj, nënkomandant kompanie. Popullsia na njofton se në Shelcan kanë pasë 3 të vrarë e 7 të plagosur dhe në Kodrën e Rrasës 14 të vrarë e të plagosur. Në katundin Kishta kishin pas spitalin. Popullsia na njofton se aty ishin qenë më tepër se 50 të plagosur, por këta u përkasin edhe batalioneve: Eckstein (gjerman), Mokra e atij vullnetar Kërraba, që kanë veprue po në ato anë dhe në një grup.
II. Komunistët fuqinë e kanë nda në dy kategori: a) Âsht ajo e komunistave të vendosun, të cilët janë luftëtarë të aftë e të fortë, sepse që prej pesë vjet e këndej janë stërvitë ndër luftna e vuajtje të papërshkrueshme: shokët u kanë vdekë urie e mërdhi në dëborë e vetë jetue deri në 5-6 ditë me kokrra dëllinjash. Sasinë e tyne nuk mundemi me e çmue, por janë shumë mâ tepër se pandehet, një pjesë e madhe italianë-komunista dhe jo, shumë edhe ballkanas të ndryshëm. b) Pjesa tjetër janë vendas të rekrutuem tani, por edhe këta të përgatitun (aq sa u ka premtue koha e qëndrimit në atë vend) me anë propagandash si t’idesë komuniste ashtu edhe të shkatërrimit, herët a vonë, edhe të Gjermanisë e kryesisht të pamundësisë së bashkimit e bashkëpunimit të grupeve të ndryshme nacionaliste shqiptare, prandaj në pamundësi me u formue një qeveri kombëtare që të dominojë gjendjen. …
Fuqia shumë e fortë ushtarake e tyre çmohet edhe lehtas në qëndresën e fortë që u bânë fuqive tona të shumta (vetëm në zonën e Gramshit dy batalione dhe dy bateri mesatare gjermane, si dhe dy batalione xhandarmërie e po kaq fuqi vullnetare nacionaliste civile), si dhe në zonën e Korçës dhe Përmetit të ardhun dy divizone gjermane e në Berat e Fier fuqitë që dihen nga Titullari i asaj Komande.
III. Duhet të kihet parasysh se ata punojnë (propagandojnë) në këto anë – thuejse në krejt Jugun dominueshëm – tashë pesë vjet mbi një popull injorant, i braktisun nga qeveria dhe lânë në mungesë të çdo ndikimi propagandistik kombëtar e fetar. Vetë parsia e këtyne anëve, e vëtëquajtun nacionaliste, âsht tregue inaktive a mâ mirë me thânë e dominueme prej frikës komuniste, sa që ka ndjek politikën e të dobëtit dhe të pavendosurit: “Hiqe e mos e këput, mos më ngaj se nuk të ngas!”
Këtu përfituan komunistat, që me këtë marrëveshje të veçueme, t’i përçajnë, t’i bindin me anë kërcënimesh, e pastaj t’i dominojnë e bëjnë për veti – siç i bânë këto anë! Bie fjala, të tillë sjellje kishte mbajtë Riza Kishta e për rrjedhim parsija tjetër, çka shkaktoi nënshtrimin e krahinës së Vërçës e kështu radhazi. Si shembull të veprimit të tillë, të parsisë, kinse nacionaliste, të këtyre anëve, bashkangjitun po ju paraqesim dhe një letër ku tregohen marrëdhëniet që kishte Muhamet Bej nga Shënëpremtja me kryetar komunista …!
– Fuqina nacionaliste të vendosuna në këto anë kjen ato të komandueme prej zz. Xhafer Balit, Alush Leshanakut, Nezir Muzhaqit (deri diku) dhe të ndjerit Haki Blloshmi. Me vrasjen e Haki Blloshmit dhe shpartallimin e fuqisë së tij u zaptue Bërzezhta dhe Mokra, u kërcënua dhe u paralizuan krahinat e Vërçës, Polisit, Sulovës, Dumresë dhe të tjerat. Në anën tjetër nuk është bërë asnjë operacion radikal, por gjithmonë është lânë pa krye, ndoshta për disa ditë, e kështu komunistat kanë përfitue me ia vërtetue me fakte popullit debulesën e qeverisë dhe të nacionalistave.
Prandaj deklaroj pa frikë përgënjështrimi se 75% e popullsisë së Jugut, dashtas apo nga frika, i âshtë nënshtrue komunizmit dhe nëse ky operacion (që deri tash nuk âsht kenë tjetër veçse një shëtitje ushtarake me përfitime taktike) nuk do të përfundojë siç duhet, komunizmi veçse do të forcohet, tue iu shtrue s’pakut 90% krejt Jugu e me rrjedhimet lehtas të parapame edhe për Shqipninë e Mesme e mâ vonë dhe anën e Veriut.
IV. Zhvillimi i Operacionit. Sikurse parashtrova më sipër, ky operacion ka pasur deri tash vetëm përfitimet e dituna taktike, tue u bâ vetëm një përshkim luftarak, pa kenë kohë çarmatimi e arrestimi të dyshimtëve dhe riorganizimit të fuqive nacionaliste dhe autoriteteve qeveritare.
Në rast se nuk përfundon me shkatërrimin e plotë të komunistëve do të jetë mâ tepër i dëmshëm se sa i dobishëm, sepse: a) do diftonte debulesën e fuqive nacionaliste të mbetuna pa asnjë vleftë luftarake, nëse do t’u tërhiqshin nga operacioni fuqitë gjermane; b) në këtë operacion mâ fort u dâmtuan mâ tepër të pafajshmit, kryesisht prej ushtrive gjermane, por edhe nga tonat, mbasi nga shpejtësia e përparimit nuk kishte kohë me bâ dallimet e nevojshme e kështu, për të dyja rastet e shfaquna sipër, populli do t’u nënshtrohet kryekëput komunistëve, çka do të thotë se ne do të humbasim krejt Jugun dhe mbasandej dihen rrjedhimet edhe për pjesët e tjera të Atdheut.
V. Nëse tërhiqen nga operacioni fuqitë gjermane, gjendja âshtë më tepër kritike e vetëm ardhja me shumicë (me kushtrim) e fuqive nacionaliste (Veri e Shqipni e Mesme), në krahasim me sa u përdorën fuqi gjermane, mundet me shpëtue gjendjen.
VI. E përsëris, fuqitë nacionaliste të këtyre anëve, vetëm me tërheqjen e ditun që u bë nga zona e Gramshit, janë demoralizue (fuqia e A. Leshanakut dhe e Xhaf Balit janë çmobilizue fare) e po këtë përshtypje ka bâ edhe ndër dy batalionet tona të xhandarmërisë – sa është droja që në një përpjekje të fortë do t’u shkatërrojshin!
VII. Nëse do të vazhdojnë operacionin fuqitë gjermane e kështu të shpartallojnë e shkatërrojnë fuqitë komuniste (të cilat do t’u çmobilizojshin për t’u riorganizue në rastin e parë, siç kanë bërë edhe shumë herë të tjetra) duhet të bëhet: a) spastrimi i tyne në shkallë të gjânë; b) duhet të formohen detashmente të xhandarmërisë shtëtitëse në shumë vende; pasanikët duhet të paguajnë për me shpëtue Atdheun dhe pasuninë e vet; c) duhet të organizohet fuqia luftarake nacionaliste vendase, ç) duhet të zhvillohet një propagandë e fortë nacionaliste me shtyp, radio, autoritete qeveritare e fetare, duke qenë në kontakt dhe në ndihmë të pashkëputur me popullin.
Nëse nuk do të veprohet në këtë mënyrë, murtaja komuniste, pa shumë vonesë – pse e ushqyeme nga pansllavizmi e panhelenizmi – do të zaptojë vendin tonë, pra, tue na shkaktue mbarimin e shuemjen si Shtet e si Komb.
Komandanti i Batalionit Shëtitës Vermoshi
Major Dod Nikolla
(firma, vula)
- Letra e një drejtuesi komunist drejtuar Mahmut beut
Në vijim po japim letrën që njëri nga drejtuesit komunistë i drejton Mahmut beut. Letra është me shkrim dore dhe nënshkruar nga Behari.
Vdekje Fashizmit
Liri e Popullit
I dashur mik Mahmut bej
Uroj që të jeni shëndosh e mirë me gjithë familje, sikundër edhe ne.
Nuk kam mundur t’ju shkruaj më parë, mbasi kam qenë pak larg. Vetëm dje u hodha në këtë anë të lumit dhe sot do të shkoj prapë në Lavdar, sepse ashtu kam një punë me nevojë.
Sa për të vajtur nga Vrëpcka, besoj se do të vonohemi dhe 10 ditë, mbasi nuk më lejon koha. Po ju aty si jini? 10 – 15 ditë që më thatë tani kaluan. Unë shpresoj, bile jam i bindur se do ta kesh mbajtur fjalën dhe do të jeni hedhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe do të keni formuar së bashku Këshillin Nacionalçlirimtar të Shënëpremtes, se sot të thuash jam ballist është njësoj sikur thua jam gjerman, d.m.th. armik i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar.
Mos qëndroni në pozitat e Ballit se bëni gabim. Unë dua që miqtë e mi dhe gjithë shqiptarët e ndershëm si je ti të jeni në ballë të punës dhe emri i tyre të zihet në gojë kurdoherë për mirë. Bëjeni të vërtetë bashkimin e popullit në luftë kundër fashizmit gjerman dhe veglave të tij, se fitimi është i yni dhe fare i shpejtë.
Nga lufta shumë lajme të mira dita më ditë. Ushtria e Kuqe është 40 km larg kufirit të Polonisë edhe nga jugu po i afrohet Rumanisë, kurse në Itali Aleatët përparojnë rregullisht drejt Romës. Bombardimet vazhdojnë mbi qendrat industriale dhe ushtarake të Gjermanisë, Francës, Belgjikës e të Ballkanevet. Edhe në Shqipërinë tonë e keni marrë vesh se po përgatitet zbarkimi, gjithashtu duhet ta keni mësuar edhe fjalimin shumë të bukur që mbajti kryeministri i Anglisë, z. Churchill për luftën e partizanëve shqiptarë. Ai tha: jam i bindur se shqiptarët do ta kryejnë me nder detyrën e tyre edhe në luftat e afërme që do të zhvillohen në Zonën e Mesdheut (d.m.th me zbarkimin e aleatëve këtu).
Shumë të fala dhe nderime Hedijes dhe të gjithë familjes e vëllazërisë.
Të fala me dashuri,
Behari
Nikollarë, 14 nëntor [1943]
- Veprimet e batalionit IV Mokra gjatë itinerarit Llixha – Maliq – Opar
Nga Llixha, më 10 qershor 1944, komandanti i batalionit IV Mokra (batalion xhandarmërie), major Atif (Arif) Golia, i dërgoi Komandës së Përgjithshme të Operacionit, në Elbasan, këtë relacion për veprimet operacionale të zhvilluara nga ky batalion gjatë itinerarit Llixha – Maliq – Opar.
Më datën 28 maj 1944, ora 5, batalioni nën komandën e major A. Golia, u nis nga Llixha dhe në orën 9.30 arriti në katundi Muçan, ku me anën e radios mori lidhje me batalionin e major Ekshtain dhe me kolonel Borgo Maester. Në orën 11.30, arriti fuqia në Sterpan, prej ku u ndigjue qitja e parë e artilerisë tonë. Në këtë katund batalioni u ndalue me bujtë atë natë dhe ku mori urdhën për itinerarin që do të ndiqte. Të nesërmen, më datën 29 maj 1944, u nis nga Sterpani për në Bizhdan (Dafineza) dhe tue ndjekë rrugën, në orën 11.00, arriti në katundin Galigat, prej ku u ndie luftimi që zhvillohej midis partizanëve dhe batalionit Ekshtain. Menjëherë u muar lidhja me këtë batalion dhe u sistemuem për me fillue së bashku me batalionin gjerman mësymjen, e cila zgjati deri në orën 20.00 të asaj dite. Gjatë këtij luftimi gjeti vdekjen xhandar Jusuf Fetaj, nga katundi Hame e Prefekturës së Dibrës. Gjatë kësaj dite, tre sulmet e bëra nga batalioni gjerman dështuan me humbje dhe të ndihmuar nga batalioni i ynë mundën me u tërheqë. Në kontrollin që u bë në këtë katund u gjetën 13 armë dhe meqë u konstatue se shtëpia e Ramzan Metanit, që kishte djalin me kohë në çetë, ishte kthyer në magazinë municionesh të fuqisë partizane, u dogj. Për Ramzan Metanin, së bashku me Daut Metanin, i cili ishte bashkëpunëtor i të parit, në orën 16.30 u muar vendimi dhe u ekzekutuan.
Të nesërmen, më datën 30 maj 1944, në bazë të urdhërave, batalioni do të pushtonte kuotën 426, e pastaj katundin Kotorre, ku mbas një luftimi të ashpër të zhvilluar në anët e përroit Oltit, mbeti i vrarë xhandar Ramush Hoxha, nga Kosova, dhe tre të tjerë u plagosën.
Në qitjet që bënin fuqitë kundërshtare u pa që ishin mirë të armatosur dhe kishin një fuqi prej 500 vetësh e një mortajë kalibër 81. Këtu lufta vazhdoi me furi deri në darkë, kur mbërritën fuqia e batalionit Vermoshi dhe ajo e major Alush Leshanakut. Të nesërmen më 31 maj 1944, ora 4.30, filloi mësymja e batalionit IV Mokra, bashkë me batalionin Ekshtain, duke pasë në skalion të dytë batalionin Vermoshi, ku mbas një ore luftimi të rreptë u pushtuan pozicionet e armikut në Stori Lumshi. Në këtë katund u dogjën katër shtëpi partizanësh, të cilat ishin fole qitje të mitralozit. Gjatë zhvillimit të operacionit u plagos rëndë xhandar Llesh Gjon Markaj, i cili në këtë luftim tregoi trimëri të jashtëzakonshme. Prej këtu batalioni vazhdoi drejtimin për në katundin Gramsh i Sipërm, ku në orën 19.00 arriti pa asnjë qëndresë të armikut.
Më datën 1 qershor 1944, batalioni IV Mokra, tue ndjekë naltësinat mbi rrugën e Gramshit, u drejtue për në katundin Mashqan, duke pasë në anën e majtë te tre batalionet e tjerë
Toga zbuluese e batalionit IV, konstatoj se kodrat e këtij katundi qenë rreptësisht të forcueme prej partizanëve. Këtu u konstatue edhe se i gjithë fronti i të katër batalioneve tona ishte i okupuar prej fuqive kundërshtare. Në të njëjtën kohë që filloi sulmin Batalion IV Mokra, u ndien që po zhvilloheshin luftime prej batalioneve të tjera.
Në orën 16.00, të datës 1 qershor, vendosa me fillue mësymjen, duke marrë krahun e majtë, me qëllim me lehtësue zhvillimin e veprimit të batalioneve të tjerë. U urdhërue kapiten Gafurr Jegeni, komandat i kompanisë III, që duke ndjekë rrugën, të dalin prapa pozitave t’armikut dhe kompania e I-rë me veprime demonstrative në krahun e majtë të armikut.
Mbas një ore, kompanitë filluen lëvizjen dhe me trimni të pashoqe, duke pri gjithmonë kompaninë kapiten Jegeni pushtoj pozitat e armikut duke e zbrapsun armikun me humbje të konsiderueshme dhe hyni në katundin Mashqan. Këtu u ndien britmat e kundërshtarit që lajmëronin shoqi-shoqin dhe ishin kundër batalioneve të tjerë për t’u sprapsë që mos me u kapë me dorë prej fuqive tona.
Këtu batalioni kaloi natën dhe mbasi dogji një shtëpi partizanësh, u nis për në katundin Desnik i Poshtëm.
Prej datës 2 – 5 qershor 1944, batalioni, duke bërë spastrime, marshoj në drejtim të katundeve Bulçari – Kokel – Bratil – Grabova Musliman – Grabova Kristiane – Shënëpremte dhe duke kaluar nëpër Qafë të Poshtme arriti në katundin Gobesh – Moglicë e Maliq i Oparit pa asnjë qëndresë armike.
Gjatë këtij itinerari u gjetën shumë varrime të freskëta dhe gjakra të shumta të plagosunish, të cilët ishin transportue prej banorëve të katundeve të sipërme. Mbasi na rezultoi se katundi Grabova Kristiane ishte pa përjashtim me ndjenjë partizane, pjesa më e madhe e katundit u dogj dhe u ekzekutue kryetari i këshillit Tom Buza. Po ashtu u dogjën në Shënëpremte 11 shtëpi partizanësh.
Në Maliq, batalioni, megjithëse ishte shumë i lodhur, mori urdhër me u tërheqë në drejtim të kundërt.
Gjatë ditëve të operacionit u konstatue se ideja komuniste ishte rrënjosur në pjesën më të madhe të popullatës. Partizanët kishin rekrutue dhe marrë me vete shumicën e madhe të banorëve, ndërmjet të cilëve edhe gra.
Të gjitha nevojat për jetesën e tyre i tërhiqshin nga populli, të cilët ishin në një gjendje të vajtueshme e në fuqitë qeveritare shifshin shpëtimin e tyre. Partizanët kishin marrë me veti sasi të mëdha bagëtish, plaçkit tesha dhe djegë shumë shtëpija nacionalistësh.
Nëse dëshirohet të vihet qetësia në këtë vend e për të zhdukë grupet partizane të shpartallume, është i domosdoshëm formimi i menjëhershëm i Rrethit të Gramshit me postat vartëse e me një fuqi shëtitëse të konsiderueshme.
Në asnjë prej katundeve nuk u gjetën banorë ndër shtëpijat e tyre, mbasi partizanët për t’i marrë me veti i kishin frikësue duke u thënë se vinë gjermanët dhe do t’u vrasin e therin gjithçka gjejnë.
- Përpjekje në Rrethin e Gramshit të fuqive qeveritare me çetat komuniste
Më 21 qershor 1944, Nënprefektura e Gramshit informoi Prefekturën e Elbasani mbi një përpjekje që ishte bërë në rrethin e Gramshit ndërmjet fuqive qeveritare me çetat komuniste. Brenda ditës, Prefektura e Elbasanit informoi për këto zhvillime Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Sipas urdhërit të Komandantit të Përgjithshëm të Operacionit të Zonës së Elbasanit, u nisën për në Gramsh, më 17 qershor, ora 21.00, nënprefekti i Gramshit së bashku me një fuqi prej 12 personash, kapter I-rë Nevruz Çekrezi, kapter i I-rë Dervish Musaj, reshter Adem Balliu, reshter Gani Fejzullahu, reshter Sabri Musaj, tetar Qamil Çela dhe xhandarët Asllan Jaçeja, Isuf Rustemi, Mahmut Hyseni, Bilal Hysniu, Gani Tahir Blogu, Ibrahim Jusufi. Kur mbërritën në katundin Strorë, në vendin e quajtur Xhamija, një fuqi kundërshtare komuniste prej më se 100 personash i sulmoi në befasi, në orën 5.00 të datës 18 qershor. Gjatë rezistencës nga 5.00 deri në orën 12.00, një njësi kundërshtare, afro 150 personash, iu mori krahun e djathtë nga katundi Gramsh për t’u dalë nga mbrapa. Reshter Adem Balliu dhe xhandarët Gani Blogu, Bilal Hysniu dhe Ibrahim Isufi që kishin shkuar në shtëpinë e xhandar Shaqir Qetit, që ndodhej i sëmurë, luftonin nga brenda shtëpisë. Lufta vazhdoi me tërbim dhe forcat e xhandarmërisë u sulmuan nga të dy anët dhe ishin fare të pakët në numër. Municioni ju mbaroi. Shtëpia ku ishte reshter Adem Balliu vetë i pesti u rrethue dhe u sulmue me mitraloz e bomba dore. Në këto rrethana, nënprefekti i Gramshit me pjesën tjetër të xhandarëve u larguan nga pozicioni i parë në drejtim të Tervolit e malit të Poroçanit dhe ende ndiqeshim prej çetave partizane. Pasi u erdhi në ndihmë nëntoger Dalip Musaj bashkë me Mehmet Bajramin me fuqinë e tyre vullnetare, ata shpëtuan nga rreziku. Nënprefekti kishte komanduar xhandarët Ibrahim Jusufin, Mahmut Hysenin, Isuf Rustemin e Bilal Hysniun, për transportimin e kafshëve që kishin tërhequr dhe t’ua dorëzonin të interesuarve. Gjashtë kuaj nuk patën mundësi me i tërheqë, por mbetën në vendin ku filloj lufta. Në ato kafshë transportohej arkiva shkresore rezervate dhe gjithë korespondenca e Komandës së Rrethit të Gramshit, si dhe shumë sende të tjera.
Në këto ditë u sulmua dhe toger Ali Ymeri prej çetave komuniste në katundin Shënapremte. Në përpjekjen që u bë Toger Aliut ju plagosën dy shokë, vullnetarët Sejdin Riçi dhe Dylber Meçi.
Përpjekja e fuqive qeveritare të Gramshit me komunistët kishte qenë e papandehur, sepse çetat komuniste kishin pasë për qëllim të rrethonin nga mbrapa toger Ali Ymerin me fuqinë e tij vullnetare. Rezistenca e tyre bashkë me nëntoger Dalip Musajn krijoi mundësinë që të tërhiqej toger Aliu. Qëndresa e fundit u bë në Qafë të Poroçanit, në orën 18.00, të datës 18 qershor. Gjatë kësaj qëndrese mundën të tërhiqeshin pesëqind e ca kryetarë familjesh me bagëtitë e tyre, më se dhjetë mijë kokë dhen e dhi, që u tërhoqën nga Polisi bashkë me fuqitë qeveritare të Gramshit.
Në hetimet e bëra mbi xhandarët që mbetën të rrethuar në katundin Strorë, në shtëpinë e xhandarit Shaqir Qetit, rezultoi se reshter Adem Balliu e xhandarë Bilal Hysniu ishin vrarë dhe Shaqiri e Gani Blogu u dorëzuan. Shtëpijat e Shaqirit u dogjën, kurse fati i xhandar Ibrahim Isufit nuk dihej.
Fuqitë komuniste që marshuan për në Gramsh e Strorë u hodhën nga lumi Devoll që nga Sulova dhe fuqitë që sulmuen toger Aliun prej qafës së Shënapremtes së Oparit. Këto fuqi komuniste kishin qenë të grumbulluara në katundin Strelcë të Gorës dhe nuk ishin prekur në operacionin e mëparshëm. Ato komandoheshin prej Nexhip Vinçanit, Shaban Zereçit, Doko Senishtit, Spiro Shisit, Petrit Dumes dhe në atë katund kishin pasë me saktësi më tepër se 2 000 krenë dhen e dhi dhe më shumë se 200 lopë e qe.
Fuqija e Rrethit të Xhandarmërisë së Gramshit së bashku me xhandarët që komandoheshin nga toger Aliut qëndruan në Polis. Aliu, së bashku me nënprefektin shkuan në Elbasan.
Sipas vlerësimit të nënprefektit, popullsia e nënprefekturës së Gramshit në çdo pikëpamje ishte në gjendje të rrezikshme.
VIJON NUMRIN E ARDHSHËM
LEXO EDHE:
Letra e Aleksandër Xhuvanit: Rinia Balliste më sulmoi gruan e vajzat
Përplasjet me partizanët dhe sjellja e ballistëve ndaj tregtarëve