Aktualitet

Letra e Ramës, Basha: Tallje, të ftojë Shullazin, Bajrin e Avdylajn






               Publikuar në : 17:00 - 18/09/19 |
mapo.al

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar mbi letrën publike të dërguar nga ana e di Ramës për opozitën jashtëparlamentare. Sipas tij, Rama nuk duhet të fshihet pas letrave të tilla por duhet të shprehet mbi shkeljen e kushtetutës dhe të ligjit. Basha është dyshues te ftesa e Ramës, duke e cilësuar atë si të pasinqertë.


Ne jemi të vendosur dhe reforma zgjedhore ka rëndësinë e saj por zgjidhja e krizës politike kërkon vullnet politik. Letrat e hapura, provokime të tilla si përfshirja e të dyshuarve të dosjes 184 në reformën zgjedhore tregon mungesën e këtij vullneti politik. Hapi i parë për zgjidhjen e krizës duhet të jetë pranimi i situatës së rëndë në vend. Vetëm, kjo mund të shtrojë bazën drejt një rrugëdalje nga kriza që prioritet të parë duhet të ketë ndarjen e krimit nga politika dhe një reformë zgjedhore të plotë.



Kërkesa të tilla nuk janë të sinqerta kudo në botë. Sot për gjithë shqiptarët prioritet është zgjidhja e krizës. Kriza ekonomike mund të zgjidhet vetëm duke u zgjidhur kriza politike. Zgjidhja e krizës politike është prioritet absolut i Shqipërisë, është prioritet absolut i Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar. Këtë krizë politike nuk e ka shkaktuar kodi zgjedhor dhe as Kushtetuta dhe ligjet e Shqipërisë. Raporti i OSBE-ODIHR është i qartë, hapet me fjalinë se korniza ligjore është e plotë por mungon vullneti politik. Ndaj zgjidhja e krizës politike si prioriteti absolut për Shqipërinë dhe për lajmin pozitiv që duam dhe kërkojmë të integrimit të Shqipërisë në BE duhet të vijë vetëm përmes vullnetit politik“, u shpreh kreu demokrat.

Mungesën e sinqeritetit të Ramës, Basha e sheh edhe tek përfshirja e Damian Gjiknurit në Reformën Zgjedhore. Ai tha se sa kohë që në komisionin e reformës zgjedhore është edhe Gjiknuri, i kapur në përgjimet e dosjes 184 në Dibër, atëherë le të ftojnë Ymer Lalën, Safet Bajrin, Shullazin apo dhe Avdylajt.

“Nuk mund të fshihemi as pas letrave dhe fletërrufeve publike, as pas kërkesave të pasinqerta, as pas provokimeve të rënda siç është ai i ftesës nga një individ si Damian Gjiknuri që është një nga të dyshuarit kryesorë të dosjes 184. Nëse ideja e Reformës Zgjedhore përfshin Damian Gjiknurin atëherë të ftojnë dhe Ymer Lalën, Safet Bajrin, Shullazin dhe Avdylajt se kjo pastaj është tallje dhe provokim me gjithë shqiptarët. Reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme. Opozita ka përgatitur tash dy vjet një platformë për reformën zgjedhore që është shumë më shumë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor apo penal. Duhet të përfshijë një transformim të thellë politik që të çojë vendimmarrjen te qytetarët shqiptarë dhe të krijojë mekanizmat me anë të cilave kurrë më të mos përsëritet një krizë e tillë”, theksoi Basha.

LEXO EDHE:

Rama fton për bisedime opozitën, letra drejtuar Bashës


Etiketa: , ,

Pas