Aktualitet

Letra për Vuçiç – Presidenti Biden i kërkon Serbisë njohjen e Kosovës














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:05 - 08/02/21 |
mapo.al

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden, me anë të një letre i ka kërkuar homologut të tij serb Aleksandar Vuçiç që të arrijë një marrëveshje me Kosovën e fokusuar në njohjen reciproke të pavarësisë së saj. Përgjigjja e Vuçiç ka qenë e menjëhershme, kur thotë se njohja reciproke nuk ekziston në asnjë akt apo marrëveshje botërore. Vuçiç ka kujtuar se qëndrimi i tij nuk ndryshon duke lënë të kuptohet se kursi i politikës së Serbisë nuk do të ndryshojë. Letra e Biden është përshëndetur dhe nga eksponentë të lartë të politikës kosovare, si Presidentja në detyrë Vjosa Osmani, apo Kryeministri Avdullah Hoti





Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden, i ka kërkuar presidentit serb Aleksandar Vuçiç, njohjen e pavarësisë së Kosovës. Me anë të një letre urimi me Rastin e ditës së Shtetësisë së Serbisë, siç raportojnë mediat serbe, zoti Biden ka ofruar mbështetjen amerikane për integrimin e vendit në rrugën drejt Evropës, vetëm se kjo duhet të kalojë nëpërmjet detyrimeve që ka Serbia në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila bazohet në njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve.


“I dashur z. President, Në emër të popullit amerikan, uroj ju dhe qytetarët tuaj të festoni Festën Kombëtare të Serbisë më 15 shkurt. Teksa ne po mbushim 140 vite miqësi mes dy vendeve, SHBA ruan angazhimin për të promovuar bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin rajonal dhe vlerat demokratike. Ne qëndrojmë të vendosur në mbështetjen tonë për Serbinë dhe integrimin evropian, dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të merrni hapa të vështirë për ta arritur, përfshirë reformat e rëndësishme dhe arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Kosovën e fokusuar në njohjen reciproke.





Fuqia e marrëdhënies sonë është ndërtuar në një historie mes njerëzve, duke luftuar si aleatë në të dy luftërat Botërore dhe ne festojmë kontributin që serbët kanë në shoqërinë amerikane. Ne po ashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në përballjen e pandemisë COVID-19, dhe përballjen me këtë sfidë të pazakontë globale. Ne shohim përpara të punojmë me ju për të thelluar fijet e miqësisë mes dy vendeve dhe të forcojmë marrëdhënien mes SHBA dhe Serbisë. Ju uroj ju dhe popullit të Serbisë një festim të gëzuar”, thuhet në letrën e Biden, e cila ka alarmuar jo pak mediat në Serbi.




Përgjigjja e Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nuk ka vonuar shumë në përgjigjen e tij kur tha se ka pasur përpjekje që njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë të imponohet si zgjidhje përfundimtare, por sipas tij është detyrim i tij të mbrojë interesat e Serbisë. “Kam marrë një mesazh urimi nga Presidenti Biden. Faleminderit për urimet. Ndërsa sa i përket njohjes reciproke, kjo nuk figuron në asnjë akt të ndonjë organizate botërore. Ne e kuptojmë se kjo është një politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar atë term si diçka që duhet ta pranojmë si zgjidhje përfundimtare në Uashington. Unë tashmë ua kam thënë një herë në fytyrë se çfarë mendoj për njohjen dhe përgjigjja ime nuk do të jetë ndryshe”, ka thënë Vuçiç.

Ai tha se detyra e tij është të mbrojë interesat e Republikës së Serbisë. “Për ne është kjo një gjë shumë më e rëndësishme sesa dëshirat shqiptare dhe amerikane. Ne gjithashtu kemi dëshira, por edhe një realitet tjetër, dhe ne kemi një traditë liridashëse të popullit tonë. Kjo nuk është e këndshme sepse është e qartë se e gjithë iniciativa e politikës së jashtme amerikane do të shkojë në atë drejtim [arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi]”, deklaroi Vuçiç. Presidenti serb tha se vendi i tij është i gatshëm që të vazhdojë bisedimet me Kosovën të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Politika në Kosovë

Ndërkohë që të shumta kanë qenë dhe reagimet e politikës kosovare për këtë çështje. Kryeministri, Avdullah Hoti tha se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati i Kosovës. Nëpërmjet një postimi në faqen e tij të Facebook-ut, zoti Hoti tha se nga Shtëpia e Bardhë vazhdojnë të vijnë vetëm lajme të mira për Kosovën. “Letra e Presidentit Biden, dërguar Presidentit të Serbisë për njohjen e Kosovës, është edhe një dëshmi për lidhjen e veçantë midis dy vendeve, miqësinë e përjetshme për të cilën fliste presidenti Rugova, sa herë që thoshte se shtëpia nuk mbahet pa miq”, shkroi ai.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, duke komentuar letrën e presidentit amerikan Joe Biden, kërkon nga presidenti serb pranimin e Pavarësisë së Kosovës. Limaj ka pohuar se tani është radha që në Kosovë të zgjidhen udhëheqësit e denjë. “Mirëpres letrën e Presidentit Biden që kërkon nga Vuçiç pranimin e Pavarësisë së Kosovës. Tani është radha jonë. Neve na duhet që të zgjedhim udhëheqës të denjë, që do të luftojnë për interesin tonë nacional në luftën diplomatike që po na pret”, ka shkruar ai në Facebook. Limaj ka shkruar se “Serbia duhet ta njohë Kosovën, por jo me kushtin e heshtjes dhe me mohimin e gjenocidit”.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas letrës që presidenti amerikan, Joe Biden dërgoi në drejtim të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, e ku pati një porosi edhe për njohjen e shtetit të Kosovës. Osmani ka thënë se qëndrimi i Bidenit në lidhje me dialogun është i qartë dhe se e vetmja rrugë është njohja reciproke.

“E mirëpres qëndrimin e qartë të Joe Biden në lidhje me Kosovën dhe Serbinë. Padyshim se e vetmja rrugë përpara në dialog është marrëveshja e njohjes reciproke” ka shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Twitter”. Gjithashtu, ajo ka theksuar se kjo qasje e duhur ka munguar që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi. “Një qasje që ka munguar që nga fillimi i dialogut, një qasje që duhet të ketë përfundim të suksesshëm”, ka shkruar ajo.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas