Mapo Letrare

“Letra që kërkojnë të zotin”





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:52 - 04/07/20 |
Ümit Yaşar Oğuzcan

LETRA 5.


S’ka asgjë të ashtuquajtur ndarje. Kjo është gënjeshtra jonë e madhe. Në fakt ka të duash, të ndjesh mall, të presësh. Ku je tani? Çfarë po bën? Dielli ka kohë që ka lindur. Ti duhet të jesh zgjuar me siguri. Më kujtove ndërkohë që krihje flokët, apo jo? Atëherë ne s’jemi ndarë.


Vetëm sa ndjejmë mall dhe presim.   Urrej gjithçka që më kujton kohën. Më së shumti pritjen. Gjatë gjithë jetës njeriu ose pret ose e presin. Të dyja këto janë të këqija, të dyja këto janë pjesa më e trishtë e jetës sonë. Fillimisht presim lindjen e një fëmije, pastaj presim të ecë, të flasë dhe të rritet… Ndërkohë koha vazhdon të ecë. Kësaj radhe presim të fitojmë para, të respektojmë ligjet, të duam njerëzit, të tradhëtojmë, të tradhëtohemi…


Dhe fill pas kësaj pritet vdekja e njerëzimit. Po ai tjetri? Ai pret miqësi nga njerëzit, besnikëri nga e dashura, respekt nga fëmijët dhe një copëz paqe, pret lumturi nga të jetuarit. Koha vazhdon të ecë, një ditë edhe ajo pret vdekjen.


Ka nga ata që vijnë në këtë botë dhe shtegtojnë si njerëz të cilët s’mundën t’i gjenin kurrë shumicën e gjërave që kërkuan, të cilëve s’u erdhi kurrë shumica e gjërave që prisnin. Pra kjo është aventura e jetës sonë.

Ndërkohë që jeton – të presësh, ndërkohë që pret – të jetosh dhe ndërkohë që pret të jetosh – të vdesësh! Për mallin s’di ç’të them. Më ngjan me një copëz xhami që shkëlqen mes thërrmijave të qymyrit. Frymëmarrja e njeriut që duam bëhet kuptimi i takimit tonë me njëri-tjetrin, një ditë.

Kjo është e vetmja gjë e bukur e pritjeve tona. Pjesa jonë njerëzore hijeshohet nga malli, jetën tonë malli e bën të bukur. Por malli mund të ketë edhe shije të hidhur, sidomos malli im për ty. Ka një aromë të cilën nuk e ndërroj me asnjë lule. Ka shkëlqim.

Ka një lloj ngjyre malli im për ty që s’tregohet me fjalë. Nëse i duroj të gjitha dhimbjet që më shkakton ti; kjo ndodh sepse më merr malli për ty. Nëse s’më vret helmi i tmerrshëm i pritjes; kjo ndodh sepse më merr malli për ty. Nëse jetoj, nëse brenda meje ka jetë; kjo prapë ndodh sepse më merr malli për ty. Po të mos ndjeja kaq shumë mall; s’do të të doja kaq…

LETRA 6.

Sot u zhyta sërish në vetmi…   Mora kokën dhe e futa mes duarve, fillova të qaja në heshtje. Përpara meje një shishe konjak e servirur përgjysmë që më fërshëllente duke më thënë “Më pi”, “Më pi”. Pastaj filloi të më lutej: “Të lutem” më thoshte, “Të lutem eja më pi”.

Mbusha një gotë, e ngula mbi kokë. Shishja pushoi, u qetësua.   E mban mend si ndjeheshim dikur kur preknim duart e njëri-tjetrit? U ndjeva pikërisht ashtu. Kujtova momentet kur kryqëzonim shikimet dhe zemrat na rrihnin ndryshe.

Pastaj një tren u nis. Ishte mëngjes. Ndodheshim përballë njëri-tjetrit. Po bisedonim. Unë të thoja pareshtur “dashuri”. Sytë e mi pyesnin sytë e tu “Më do?”. Dhe sytë e tu thoshin përherë “Po”. Përherë thoshin “Po” duart e tua, buzët e tua.   Ndërkohë përreth nesh kish shumë njerëz që thoshin “Jo”. Përshembull; thoshte “Jo” një fëmijë, një grua, një burrë, thoshte “Jo” dikush tjetër. Po’të tona qenë të destinuara të shtypeshin mes Jo-ve.   Treni vazhdonte të ecte. Sytë e tu pyesnin sytë e mi se ç’do të bëhej me ne.

Ndizja cigare pas cigareje, rrëkëlleja gotë mbi gotë; ndërkohë që as unë nuk e dija se ç’do të bëhej me ne. Ishte një rrjedhë që na tërhiqte zvarrë. S’mund ta ndalnim, s’mund ta kontrollonim dot. Ne do vazhdonim të rridhnim deri sa të hasnim në ndonjë vorbull, deri sa të shpërbëheshim krejt.

Por ç’ishte ajo vorbull? A ishte larg ajo? Ndoshta ishte shumë pranë, kushedi. Ne s’do mund ta shihnim dot kurrë. Pasi të na verbonte sytë, ajo do na përpinte me krahët e saj të akullt.   Treni vazhdonte të ecte. Nga dritarja dukej deti. Mbi det ish rrëzuar dielli i muzgut.

Brigjeve shihnim varka shumëngjyrëshe. Shihnim fëmijë që pluskonin gurë mbi det. Diku larg, një peshkatar mblidhte rrjetat.   Dhe treni vazhdonte të ecte. Tashmë po i afroheshim fatit. Koha u mbulua nga terri. Sytë e mi brenda syve të tu. Të shtrëngova dorën, u drodhe. Diku një bilbil fërshëlleu dhimbshëm. U këput diçka brenda nesh. Pastaj treni u ndal. Zbritëm.

Rrugët tona u ndanë…   Tani jetoj vetminë që më dhe atë ditë…       LETRA 7.   Është i madh ky qytet, ky qytet mëkatesh, ky qytet i pandjeshëm, ky qytet i marrë. Unë s’jetoj dot pa ty në këtë qytet. Kjo tejmbushje më përzihet në gjak brenda ditës, këto rrugë, këto kazino cep më cep. Ky është qyteti i këngëve, i femrave si kartolina, i burrave femra. Unë s’jetoj dot në këtë qytet.   Në këtë qytet njeriu duhet të jetë një vapor, një tramvaj, duhet të jetë një makinë.

Le të jetë një re’ më mirë, të vijë e të ndalet mbi çatinë tënde. Por meqë unë s’jam re, nuk jetoj dot pa ty në këtë qytet.   Edhe qytetet ngjajnë me njerëzit. Kanë trupa, kanë këmbë, kanë buzë, kanë sy, kanë zemra, kanë duar të stërmëdha. Zemra e këtij qyteti rreh tek ti. Nëse njeriu s’mundet të jetë një damar që pompon gjak për tek ti; s’duhet të jetojë fare në këtë qytet. Duhet të ikë.  Edhe qytetet ngjajnë me njerëzit. Kanë ndjenjat e tyre, uritë.

Kanë përgjumje, urrejtje dhe smirë, kanë dashuri të mëdha. Nëse njeriu s’është i dashuruar, s’duhet të jetojë fare në këtë qytet. Duhet të ikë.   Edhe qytetet ngjajnë me njerëzit. Nëse njeriu nuk është një qytet që jeton brenda teje; s’duhet të jetojë fare këtej rrotull. Duhet të ikë. Ky qytet brenda një dite ka katër stinë. Në çdo rrugë ka një botë. Me gjithë mjerimin, me gjithë shëmtinë, me gjithë *****rinë e tij, ky qytet është kokë e këmbë dashuri. Ky qytet është kokë e këmbë ti.  Ai që s’ka dashuruar kurrë, ai që në këtë qytet s’të ka njohur ty, të mos thotë “kam jetuar”.  Të vdekurit duhet të dinë të heshtin…

 

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas