Mapo Letrare

Lëvizja Kombëtare për Lexim, zgjedhja e bukur e Kumbaros














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:11 - 29/11/18 |
mapo.al

Më shumë se 100 aktivitete përgjatë një muaji në qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë patur në fokus leximin






Në një kohë të trishtë për librin dhe botuesit, kur çdo ditë raportohen shifra zhgënjyese për sa i përket ikjes së lexuesit, Ministria e Kulturës ka ndërmarrë një nga nismat më ambicioze të viteve të fundit, atë të Lëvizjes Kombëtare për Lexim. Një lëvizje e cila i është drejtuar një lexuesi në rritje, atij që ende nuk e ka zbuluar plotësisht aftësinë e librave, fëmijëve të kopshteve dhe të çerdheve. Nën moton “Takohemi për një libër” apo “lexomë përrallën e gjyshes” pothuajse të gjitha kopshtet në qytete të ndryshme të Shqipërisë nga Tropoja, në Shkodër, Elbasan, Gramsh apo Vlorë i janë bashkuar nismës së Kumbaros. Fëmijë të vegjël shfaqen me sytë e përqendruar në librin që një personazh i njohur publik apo edukatorja e tyre u lexon. Vetë Kumbaro i ka bërë këto takime pjesë të agjendës së saj, duke u shfaqur shpesh mes fëmijëve duke lexuar. Në artTurbina ajo shfaqet përkrah fëmijëve të Institutit “Ramazan Kabashi” duke u lexuar “Borëbardhën e 7 xhuxhat”.


“Sepse së bashku mund t’ia dalim në emergjencën kombëtare e në betejën për kulturim kundër padijes”, shkruan Kumbaro, në një tjetër status, teksa bën publik fillimin e kësaj lëvizjeje në qytetin e Tiranës krahas qyteteve të tjera të vendit. Hapësira që zgjodhi për ta shpallur këtë lëvizje në Tiranë ishte Teatri i Kukullave, vendi më i dashur për fëmijët. Në skenë me të u ngjit dhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, si për të treguar se qëllimi i kësaj Lëvizjeje do të jetë, të ketë ndikim të fortë në sistemin arsimor. Më pas, Ardit Gjebrea dhe Erion Isai iu bashkuan leximeve të fëmijëve.





Por, fotot që i gjen në rrjetet sociale të Ministrisë së Kulturës apo në faqet e dedikuara leximit flasin vetë. Ne mund të fitojmë lexuesin e së ardhmes dhe mund të parandalojmë ikjen e tij nga libri, vetëm duke këmbëngulur në një edukim më të fortë të librit pikërisht në këto mosha. Mimoza Hysa, drejtore e Librit në Ministrinë e Kulturës thotë se kjo është një lëvizje e menduar mirë. Në një fazë emergjente për leximin vetëm një Lëvizje Kombëtare mund të ishte zgjedhja për të ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e leximit mbi atë çfarë do të prodhojë shoqëria nesër. “Ekziston tashmë një “emergjencë leximi” në Shqipëri që reflektohet në të gjitha fushat: dije të cekëta, përgatitje sipërfaqësore për të përballuar sfidat e kohës, mungesë imagjinate për hartime projektesh e gjetje rrugëdaljeje”, thotë Mimoza Hysa. Sipas saj, “duhet të edukojmë lexuesin e së ardhmes, duke e mësuar me dashurinë për librin pikërisht në këto mosha”.



Botuesit në fakt janë ankuar se pjesa më e madhe e kopshteve dhe çerdheve nuk kanë biblioteka. Kjo Lëvizjes synon të ndërgjegjësojë mbi rëndësinë e leximit në këto hapësira krahas argëtimit. Pasi nuk ka argëtim më të bukur për mendjen në këto mosha sesa leximi.  E në vetëm pak kohë nisjes zyrtare të kësaj Lëvizjeje numri i aktiviteteve të organizuara brenda një muaji e kalon 100-tën në të gjithë Shqipërinë. Pothuajse çdo ditë në një kopsht të një qyteti të vendit një personazh publik u lexon pjesë nga një libër fëmijëve. Kjo mënyrë komunikimi me lexuesin e vogël ka të bëjë dhe me krijimin e modeleve, të cilat në një mënyrë apo një tjetër kjo fushatë e imponon. Kjo, pasi Lëvizja synon të ketë ndikim afatgjatë duke krijuar modele që do të bëhen pjesë e rëndësishme e procesit mësimor të një kopshti. Leximi duhet të jetë po kaq i rëndësishëm në mbarëvajtjen e ditës së fëmijëve.



Pjesë e fushatës këtë vit u bë dhe Panairi i 21-të i Librit. Në një hapësirë dedikuar “Takohemi për një libër”, personazhe të njohura të librit u intervistuan nga Suela Bala, duke nxjerrë në pah rëndësinë e një fushate të tillë, për të rritur leximin. Nëntori ishte vetëm muaji i parë i fushatës, e cila do të vijojë edhe përgjatë muajit dhjetor në të gjithë vendin, me libra e personazhe që do t’u tregojnë fëmijëve se e ardhmja dhe bota do të jetë më e mirë vetëm përmes leximit.

<
>
1 2 3
1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas