Parlamenti Evropian pritet të votojë sot rreth procesit të liberalizmit të vizave të Kosovës. Dje, në Parlamentin Evropian u diskutua gjerësisht lidhur me këtë çështje nga ku u vunë re dallimet mes përfaqësuesve evropianë.
Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, tha se “Evropa është duke humbur kredibilitetin dhe qytetarët e Kosovës po humbin shpresën në lidhje me liberalizimin e vizave”.
Sipas Fajon, “Kosova ka përmbushur obligimet e saj, ndërsa ka tërhequr vëmendjen se rritja e radikalizmit mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës dhe dëshpërimit pasi BE-ja ka dështuar të realizojë premtimin e saj”.
Një reagim erdhi edhe nga Komisioneri evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos. Përmes një postimi në Twitter, ai u shpreh se është i lumtur që Parlamenti Evropian e kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për kosovarët.
“Kjo nuk është vetëm për të qenë të drejtë dhe për të njohur përpjekjet e tyre, por është e rëndësishme për stabilitetin në rajon. Perspektiva evropiane e të gjithë rajonit është në rrezik”, shkruan ai.