Aktualitet

Liberalizimi si shantazh














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:20 - 18/06/21 |
Imer Mushkolaj

Ka kaluar më shumë se një dekadë që kur qytetarët e vendeve të rajonit lëvizin pa viza në zonën Schengen, ndërkaq qytetarët e Kosovës mbeten të vetmit të izoluar në Europë, që nuk e gëzojnë këtë të drejtë.






Në kohën kur rajonit iu liberalizuan vizat, për Kosovën nisi një tjetër proces – bisedimet teknike me Serbinë, që më pas u shndërruan në politike. Bashkimi Europian vazhdimisht premtonte heqjen e vizave, ndërkohë që shtonte kushte e kritere të reja, të cilat nuk i kishin pasur shtetet e tjera. Ndërkohë, udhëheqësit shtetërorë vazhdimisht premtonin data e data kur kosovarët do të mund të lëvizin pa viza, varësisht disponimit të Brukselit.


Në njëfarë forme, sa herë që në Kosovë është dashur të merret ndonjë vendim për dialogun me Serbinë, ose ndonjë vendim tjetër, Brukseli e ka ofruar mundësinë e liberalizimit të vizave si të vetmin përfitim për qytetarët. Një dekadë rresht.







Sa herë është dashur të merret ndonjë vendim i rëndësishëm në Prishtinë, emisarë të Brukselit kanë nxjerrë në sipërfaqe liberalizimin. Rasti i ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi tregon më së miri qasjen e BE-së karshi Kosovës.



Edhe pse zyrtarë europianë thoshin se kalimi i kësaj marrëveshjeje në Kuvend ishte kushti i fundit për liberalizim, nuk ndodhi ashtu. Pra, mundësia e liberalizimit të vizave, respektivisht dështimi i procesit nëse nuk plotësohen kritere politike të caktuara shtesë është shndërruar në shantazh nga Brukseli. Tash duket qartazi se liberalizimi po shërben si mjet shantazhi në lidhje me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje në dialogun me Serbinë.



* * *

Se si e mendon BE liberalizimin për kosovarët, e ilustroi këto ditë qartë dhe thjesht raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Viola von Cramon. Teksa ka folur për mundësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ajo ka thënë për Kosovapress se njerëzit mund t’i pranojnë më lehtë kompromiset të cilat dalin nga marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse bëhet liberalizimi i vizave.

“Liberalizimi i vizave duhet të jetë hapi i parë, para fazës së reformave. Mendoj se Europa duhet të dëshmojë se i ka kryer detyrat e saj, se ata do ta japin dritën e gjelbër për njerëzit në Kosovë dhe atëherë do të thosha se do të ishte më e lehtë për njerëzit në Kosovë që të pranojnë një kompromis, çfarëdo qoftë ai”, ka thënë ajo.

Lexo edhe :  Një “babë” i keq

Pra, tash liberalizimi i vizave po shihet si njëfarë “serumi” që iu duhet dhënë kosovarëve në këmbim të kompromiseve në dialogun Kosovë-Serbi. Me fjalë të tjera, nëse nuk ka kompromise dhe, rrjedhimisht, dështon marrëveshja, atëherë nuk ka as liberalizim vizash.

Marrë parasysh se çfarë ka qenë qasja e BE-së ndër vite karshi këtij procesi, atëherë mund të thuhet se që në fillim të nisjes së dialogut me Serbinë BE e ka pasur të qartë se liberalizimi do të jetë një “dhuratë” për kosovarët në fund të procesit, ndërkohë që Serbia me viza të liberalizuara qysh moti ka bërë hapa të tjerë goxha të mëdhenj drejt anëtarësimit.

E kuptueshme – Kosova nuk paska qenë e gatshme për liberalizim në kohën kur vizat janë hequr për të gjitha shtetet tjera të rajonit. Por, Kosova ka kohë që ka plotësuar kushtet teknike, madje edhe disa politike, e vizat nuk janë hequr. Një tregues i qartë se ky proces ka qenë shantazhues për Kosovën dhe aspak i sinqertë e realist.

Secili e ka të qartë se, përtej kritereve teknike, vendet e rajonit duhet të vazhdojnë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, në këtë pikë, nuk është se shtete të tjera të rajonit qëndrojnë më mirë as tash, një dekadë pasi iu hoqën vizat. Andaj, loja me vizat del të jetë veç një lojë e poshtër e Brukselit, që duket se nuk ka pasur çfarë t’iu ofrojë kosovarëve dhe premtimin për vizat e ka pasur të vetmin mekanizëm për të arritur disa qëllime. Mekanizëm që është shndërruar në shantazh.

* * *

Pavarësisht deklaratave për konsum politik, Kosova dhe Serbia nuk kanë qenë dhe nuk janë të barabarta në dialog. Po ashtu, qasja e BE-së nuk ka qenë korrekte. Si mund të jetë dikush ndërmjetësues neutral, po qe se nuk i njeh të dyja palët si të barabarta? Një dekadë premtime për liberalizim kanë bërë që kosovarët ta humbin besimin se vizat do të hiqen ndonjëherë. Ndërkohë, për BE-në duket të jetë më e rëndësishme që dialogu të vazhdojë e Serbia të përparojë, sesa që kosovarëve t’ua ofrojë mundësinë për të lëvizur lirshëm. Si krejt të tjerët.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas