Ben Blushi ka mohuar se do të jetë pjesë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Ai thotë se i ka kërkuar zyrtarisht KQZ-së të bëjë çregjistrimin. Ky reagim vjen pasi në media doli lajmi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit Partinë “LIBRA”.
“Partia Lista e Barabartë, me shkronja nistore “LIBRA”, nëpërmjet përfaqësueses të posaçme, znj.Matilda Beqiri, e autorizuar nga Kryetari z. Ben Blushi, ka paraqitur pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën dhe dokumentacionin përkatës për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore që do të zhvillohen më datë 30 qershor 2019, administruar me nr.2146 prot., datë 03.04.2019”, thuhet në relacionin e KQZ.
Ndërkohë, Blushi në një prononcim për “Panorama” thekson se është habitur nga regjistrimi i LIBRA-s me emrin e tij.
“Gati 1 vit pasi u largova nga politika sot u binda për të disatën herë që kam marrë vendimin e duhur kur dëgjova se KQZ me ka regjistruar në zgjedhje si kryetar i LIBRA, partisë që kam drejtuar deri në janar te vitit 2018. Meqë ky lajm me ka habitur si mua ashtu dhe ata që e kanë përhapur dua ti siguroj të gjithë se unë nuk kandidoj dhe nuk drejtoj asnjë parti në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ndërkohë kam komunikuar zyrtarisht me KQZ për ti kërkuar të më çregjistrojë nga fleta e votimit. Shpresoj të më lehtësojnë nga sikleti për të kandiduar me pahir”, thekson Ben Blushi i cili aktualisht është drejtor i përgjithshëm i TCH.