Mapo Letrare

Librat e verës






               Publikuar në : 15:03 - 07/09/19 |
Nga Ylli Demneri

Nga Ylli Demneri


Nëse do sillja ndërmend leximet gjatë stinës së verës, imazhi i parë që më vjen është ai i romanit të Zweig-ut, Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje ; i ulur buzë hajatit në shtëpinë e vjetër, që nga mëngjesi kur rrezet e diellit preknin muret e bardhë të lyer me gëlqere e deri në të ngrysur kur drita e kupës qiellore më lejonte ende të shikoja gërmat. Leximi i këtij libri, si dhe i të tje- rëve që në atë kohë quheshin «libra të ndaluar», më është ngu- litur në kujtesë, sepse përkon me periudhën e pubertetit. Atë verë për herë të parë po lexoja «si i rritur».

Tentativat e mia të mëparshme për të lexuar romanin Lufta dhe Paqja (pa kopertinë dhe me faqet e para të grisura) që rrinte mbi komodinën e tim eti, kishin qenë të pasuksesshme. Prandaj, ai kalim i natyrshëm nga leximi i librave për fëmijë në atë të librave për të rritur, më ka mbetur në mendje si një përvojë e bukur. Një takim i lumtur. Besoj se dëshira ime për të lexuar është e lidhur me këtë moment. Po atë verë, do të vazhdoja me Amokun, Letra e një të panjohure, Lojtari i shahut, si dhe me Lulet e mollës të John Galsworthy-t (vonë e kam mësuar se ishte laureat i çmimit Nobel ; ndoshta kjo gjë do të ketë qenë e shkruar në parathënie, por më ishte shuar tërësisht nga kujtesa).

Me sa duket, ndryshimet që po pësonte trupi dhe e gjithë qenia ime gjetën në ato libra, në historitë që tregonin, në mënyrën se si i tregonin, diçka që i tërhoqi, diçka të pashpjegueshme që shpesh e quajmë «magji». Ato libra më bënë të vetëdijshëm edhe për romantizmin që flinte tek unë e që e kultivoj pa asnjë kompleks sot e kësaj dite. Jo vetëm kaq, por e përdor si armë kundër çdo tentative për të më shkurtuar kohën e të shijuarit. Kjo kënaqësi e të lexuarit gjatë verës pa dyshim që ka të bëjë me pushimet, d.m.th. me të drejtën për të pushuar. Normalisht, askush nuk të vjen për të të thënë se duhet bërë kjo apo ajo.

Mund të rrish edhe vetëm me një këmishë e një palë pantallona, me ditë të tëra. I ulur, i shtrirë, me librin përpara, i humbur në një botë tjetër. Asnjë vrasje ndërgjegjeje. I lirë në pushimet që i meriton. Ndoshta edhe për këto arsye, librat që kam lexuar gjatë pushimeve të verës më kanë mbetur në kujtesë. Sepse kam patur kohën e duhur për t’i shijuar. Meqenëse liria dhe mundësia e të zgjedhurit të librave në atë kohë ishte e kufizuar, nuk e di se ç’zgjedhje do të kisha bërë po të kisha qenë i lirë. Sot nuk guxoj t’i rilexoj. Ndruhem se mos zhgënjehem. Preferoj më mirë të ruaj atë kujtim të bukur që më ka mbetur nga ajo kohë.

Nga një kohë kur çdo gjë, edhe të ngrënët, pengonte kënaqësinë e të lexuarit. Kur njëzet e katër orët nuk mjaftonin për të marrë vesh fundin e «njëzet e katër orëve të jetës së një gruaje». Ashtu si kjo shërbyese në tablonë e Pieter Janssens Elinga-s që, e tërhequr nga dëshira për të vazhduar leximin, mezi ka pritur të jetë më në fund e lirë, duke i lënë këpucët, ashtu, në mes të dhomës. Janë të shumtë librat që do të kisha dashur t’i lexoja. Vështirësia është në të zgjedhurit.

A do të mund të jetoj atë «shkrirje» tërësore mes librave dhe gjendjes sime shpirtërore? A do të ndodhi ai «takim » fatlum, intim e i papërsëritshëm, mes meje, librit dhe peizazhit që do më rrethojë ? Dëshira për të lexuar nuk kërkon asnjë talent dhe asnjë dije paraprake. Madje ajo kërkon më tepër mosdije sesa dije.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas