fbpx

Blog

Librat nuk janë vetëm për pesë ditë





               Publikuar në : 10:07 - 19/11/19 |
mapo.al

Nga Erjon Uka


Shtyrje për një libër, celularët gati për fotografi, truproja që tentojnë të mbajnë rregull në hyrjen e një stende ku shiten libra gatimi. Por edhe hapësira më të qeta, shfletime librash, pyetje për çmime, biseda të shkurtra. Është ky një peizazh i përgjithshëm, i papërpunuar, i Panairit të Librit i cili çdo vit bën që vëmendja e të gjithëve, lexues ose jo, media dhe institucione, të drejtohet nga librat. Duke kaluar nëpër Pallatin e Kongreseve, duke ngjitur e duke zbritur shkallët, duke parë promovimet e duke blerë libra, është e pamundur mos të të krijohen të paktën pesë reflektime për pesë ditët e Panairit.



Së pari, për ta nisur me pak doza optimizmi, situata e botimeve në Shqipëri nuk është e zezë. Cilësia e botimeve po rritet. Shtëpitë botuese arrijnë të sjellin në shqip librat që janë më në trend në tregun global, në një kohë relativisht të shkurtër. Mjafton të shohim që në shqip me tre librat e tij ka ardhur Yuval Noah Harari, është përkthyer Matt Haig e Robin Sharma, është përkthyer fituesja e çmimit Nobel të këtij viti Olga Tokarczuk, ashtu sikurse edhe autobiografia e Michele Obamas apo “Cironka”, autobiografia e vajzës së Steve Jobs. Nga ana tjetër, kemi autorë shqiptarë që kanë krijuar periodicitet në botimet e tyre, të cilët edhe në këtë panair prezantuan libra të rinj, që nga Zija Çela, Besnik Mustafaj, Edmond Tupja, Enkel Demi, Bashkim Shehu e Agron Tufa, sikurse edhe gazetarët dhe figurat publike si Blendi Fevziu, Iva Tiço, Andi Bejtja dhe Artan Fuga. Pra në këtë sens, ka një gjallëri në botimet shqiptare, ndoshta edhe më shumë se sa tregu i librit shqip e përballon, duke e bërë panoramën në mos të bardhë, gri. Por kurrsesi zi.


Por përtej kësaj, Panairi megjithë vitet që kalojnë, nuk po arrin ta bëjë hapin cilësor për t’u konsideruar i tillë. Më shumë i ngjan një Pazari Libri, ku mbizotëron zhurmnaja e njerëzve, shtyrjet trup më trup, pyetjet “Nuk i paskeni bërë ulje këtij librit?!”, duke kaluar në plan të dytë diskutimet për librin, promovimet, ndërtimin e marrëdhënieve mes botuesve, shkrimtarëve dhe librarëve. Ekziston një paradoks ku vazhdimisht botuesit pranojnë së Panairi nuk duhet të shërbejë si një shitore gjigante pesë-ditore, nuk duhet të shërbejë si një treg, por përsëri nuk gjejnë forcën që ta shmangin diçka të tillë.

E pikërisht, për të ardhur në idenë e tretë të këtij shkrimi, duket sikur shumë njerëz presin vetëm këtë treg-panair për të qenë në kontakt më librin. Përgjatë kësaj jave, në plot biseda në ambiente të ndryshme, dëgjoja fraza që të linin të kuptoje një “etje” për të parë disa libra ose për të blerë disa tituj dhe vetvetiu shtrohet pyetja: A nuk shkojnë njerëzit rregullisht në librari, të paktën një ose dy herë në muaj? Përse hyhet me lehtësinë më të madhe te dyqanet e veshjeve, kalohen fundjavat në qendrat tregtare, ndërsa për të qenë në kontakt me librin duhet pritur një event që zhvillohet një herë në vit? Mund të jetë për shkak të rrjetit të amortizuar të librarive, ku përveç dy a tre librarive të mëdha,  pjesa tjetër janë të vogla, pa hapësirë, nuk të japin mundësinë e krijimit të një lloji intimiteti të librit, kanë një ofertë të cunguar të titujve që ofrojnë. Mund të jetë për fajin e shoqërisë, që në piramidën e nevojave të Maslow-t është ende e vendosur në bazë të saj, e fokusuar ende në plotësimin e nevojave psikologjike e fiziologjike, duke e parë procesin e vetëformimit në përgjithësi e librin në veçanti, si një luks. Mund të jenë të dy këta faktorë, por mund të jetë edhe për shkak të çmimeve disi të larta.

Që librat janë të shtrenjtë, gjithandej kudo në botë, është një fakt që duhet pranuar. Çështja është se sa më të shtrenjtë janë në Shqipëri dhe cilat janë iniciativat mbështetëse për t’u kompensuar lexuesve mundësinë e munguar të kontaktit me librin. Duke lexuar para pak kohësh një artikull mbi çështjet e botimeve në Itali dhe çmimet e librave, nëse e zhvishje shkrimin nga teknikalitete të kontekstit italian, mund ta konsideroje fare mirë si një artikull për problematika të botimeve në Shqipëri: vështirësi promovimi për autorët e rinj, kosto të larta botimi e për rrjedhojë çmime të larta të librave. Por sërish mendoj se në Shqipëri çmimet e librave janë më të larta edhe së në vendet e Bashkimit Europian. Nëse në Itali çmimi mesatar i një libri është 20 euro, dhe paga mesatare mujore 1570 euro, për një libër në muaj shpenzimi është 1,2%. Në Shqipëri çmimi mesatar për një libër të botuar kohët e fundit është  1000 lekë ose 8,2 euro, ku paga mesatare mujore është 340 euro, pra një raport plot dy herë më të lartë prej 2,4%. Është faji i botuesve që vendosin këto çmime, janë politikat që penalizojnë botuesit, është vetë “faji” i tregut të librit që nuk po çlirohet duke imponuar çmime të larta, janë çështje që duhen analizuar në mënyrë me teknike, në shkrime më specifike dhe natyrisht me studime nga institucionet përgjegjëse. Tani për tani, fakti është që libri kudo konsiderohet i shtrenjtë, por në Shqipëri është akoma edhe më i shtrenjtë, duke e kthyer çmimin në faktor të pamundësisë së blerjes.

Dhe përtej çdo gjëje, ky Pa(za)nair tregoi edhe një herë triumfin e rrjeteve sociale. Për pesë ditë u shpërndanë foto librash e video live, si në një garë për të treguar se kush kish blerë më shumë, apo se cili kishte arritur të takojë personazhin e famshëm duke i marrë edhe një autograf. “Postoj, pra jam” do të thoshte Dekarti nëse do të kishte jetuar në këtë kohë, ku edhe leximi duhet të kalojë më parë në Instagram.

Është e vërtetë se çdo formë promovimi, mund t’i shërbejë librit, rritjes së numrit të lexuesve, marketingut të librit. Dhe Panairi i Librit, qoftë si Panair a qoftë si Pazar, mbetet ngjarje e këndshme, një nevojë për qytetin, një frymëzim për të gjithë. Por çështja është “Si?” bëhet ky promovim, përtej shitjes së atypëratyshme të librave dhe a përkthehet në një promovim afatgjatë? Në fakt, me mbylljen e panairit, duket sikur shuhet edhe diskutimi për librin. Rrjetet sociale rikthehen në “normalitet”, në televizione do të shtohen lajmet e kronikës dhe diskutimet politike, emisionet tashmë rrallë do të flasin për libra, ndërsa në portale do vërshojnë edhe me më shumë forcë lajmet tipike të showbiz-it. Deri nëntorin tjetër, deri kur libri sërish të krijojë ngjarje. Vetëm në fillofshim të harxhojmë kohë në librari si në dyqanet e veshjeve të qendrave tregtare. Ky po, do të ishte super-lajm!

 


Etiketa:

Pas