Aktualitet

Librat sot, miell apo krunde.!?






               Publikuar në : 17:30 - 17/08/19 |
Nga Ylli Xhaferri

Nga Ylli Xhaferri


Ai kishte të huaj vetëm natyrën krijuese. Të gjitha të tjerat i kishte të vetat.

Sot në Shqipëri botohen pafundësisht libra, aq sa do të na e kishin zili edhe vendet me popullsi, kujtesë, mirëqenie e art të madh. Botime lloje-llojesh me dhe pa ilustrime, kujtime, studime, shënime, poezi, bejte, histori, pseudo-studime, tregime, refleksione, alegori, romane, mbledhje folklorike, monografi historike e letrare, anekdota, autobiografi bajate, fjalë të urta, përshkrime gjeografike, ese, dialektalizma e krahinarizma, të folura alegorike, mjekime popullore, përshkrime ndodhish, almanakë ilaçesh e magjish, shpjegime ëndrrash, ngjarjesh historike, guida vendesh të shenjtëruara, evenimentesh ekonomike, qeniesh të mbinatyrshme, etj. që promovohen me pompë e lavdi në sallën e Muzeut Historik, hollet e hoteleve më me emër të Tiranës, pse jo dhe sallën e Akademisë së Shkencave, e cila pastë hijen e vet dhe ndjesë pastë, se: “na ishte seç na ishte, na ishe një herë..!”

Në to mblidhen pleq të moshës së shtyrë që bëjnë garë mes krahinave rivale dhe në fqinjësi, pse jo edhe duke përvetësuar figura historike, ku dëgjon paradokse proverbiale, të tipit që diktatori e kishte origjinën nga aksh vend në veri të Shqipërisë, që njëkohësisht lançohet edhe si djepi i Skendërbeut, mbretit Zog, e një sërë figurash hiperbolike shpërndarë si zogjtë e qyqes hapësirave midis orientit dhe oksidentit. Promovohen libra me tirazh nga 30 deri në qindra e mijëra kopjo, të cilët gëlojnë nga gabime drejtshkrimore, sintaksa e gabuar dhe denduria masakruese e fjalëve të huaja, përgatitur për botim, faqosur, redaktuar dhe recensionuar në rastin më të mirë, nga pensionistë me pedagogjike nate, që kurrë në gjallje të tyre nuk botuan qoftë dhe dy gisht artikull.

Ajo që bie në sy, sigurisht jo për mirë, është fakti, që autorët janë në shumicë ishë të së djeshmes totalitare, ish-sekretarë të komiteteve të partive, kryetarë kooperativash, përgjegjësa vatrash kulture, kryetarë këshillash të bashkuar, sekretarë byrosh, ish-drejtorë ndërmarrjesh, kryetarë degësh të punëve të brendëshme, brigadierësh të kooperativave të tipit të lartë, komandantë divizionesh, kryetarë të frontit demokratik, komandantë të çetave vullnetare, përgjegjës sektori fermash, kryetarë bashkimesh profesionale, etj. që kuptohet janë prurje jashtë letrare. Librin e kanë kërcënuar përjetësisht dy përbindësha, artisti që nuk është mjeshtër i fushës dhe mjeshtri që nuk është artist. Kemi, pra, inflacion botimesh, por rrudhje drastike të lexuesve. Këta ishë të së djeshmes, veshur allafranga, me gravatë, kapele republike dhe kostume firmato, që më së shumti e kanë mani për t’u shëmbëllyer udhëheqësisë së nomenklaturës së kuqe, me prurjet e tyre po prishin shijen, po nëpërkëmbin të vërtetën, po tjetërsojnë historinë, duke mbjellë nostalgjinë për pushtetin e humbur, ku ndiheshin më të plotësuar se kurrë. Mungesën e atij pushteti e mbushin sot me kujtimet e tyre, duke hedhur një shtresë sheqeri mbi pelinin e kohës. Sipas teorisë: pikla u ujit, shpon gurin…

 

Aftësia ende nuk është talent dhe talenti ende nuk është krijimtari.

Sot aradha e pensionistëve është e mbushur me këto lloj ishësh, që e gëzojnë pensionin gjatë e më gjatë, të aftë të ndërrojnë ngjyrën si kamaleonë, të cilët kanë rrokur pendën për t’u bërë krijues, pra u ka krisur pushka pas iftarit…Për fat të keq, njerëzit e thjeshtë të masakruar prej punës së vështirë të krahut në miniera e hidrocentrale, sëpatës në pyje, parmendës nëpër kooperativa, vdekja i ka rehatuar prej kohësh në parajsë. Ndërsa këto masovikë të së djeshmes duke shijuar kohën e re, që kurrë nuk e dëshironin, madje çfarë nuk bënë për ta penguar të vinte, gëzojnë pensionin, pse jo dhe të posatshëm, duke shkarravitur kujtime, trillime për ditët e tyre të lumtura, por që ishin e zeza e popullit, mjerimi kombëtarë.

Sot nëpër librat e tyre pa asnjë vlerë, lexon: krijimi i kooperativës së parë, aksioni në hapjen e tokave të reja, shtëpitë baza të partisë, kryetarët e kooperativës në vite, këshilli i fshatit, tufëzimi, sekretarët e byrosë së partisë në vite, kapja e diversantit të parë, që shoqërohen me foto të tyre, ku nuk mungojnë edhe familjarë e farefis: heqja e rrobave tradicionale, ku shkruhen diçitura që të neverisin: familja ime në krijimin e kooperativës së bashkuar, krushku i djalit tim të madh duke dorëzuar dhitë në tufëzim, motra ime, martuar tek… në arëzën e kooperativës, djali i kunatit ushtar… Asnjë fjalë për prishjen e xhamive dhe kishave, asnjë fjalë për luftën e klasave, asnjë fjalë për heqjen e tredynymëshve, pushkatimet, internimet, prishjen e pyjeve në emër të tokave të reja e brezareve shterpë…Çdo gjë rozë, lumturi, duartrokitje…Asnjë fjalë për jetën e vërtetë. Mundimet e saj sizifianë, mungesën e bukës së misrit zgrof, që duhej të prisje radhën e stërgjatë për ta marrë nga një dritare frëngji, mungesën e letrave të duhanit, kafesë, etj… Asnjë fjalë për padrejtësitë, shtypjen, izolimin, terrorin e kuq, mungesën e lirisë, persekucionin në shtatë breza… Një ambalazhim i kamufluar i së djeshmes për tek brezi i ri, që as në mend nuk mund t’i çojë masakrat e së shkuarës. Këta pseudokrijues sirena, botojnë sot në numër të madh, pse jo, edhe me sponsorizimie të dyshimta…Duke u mburrur lart e poshtë se e realizuan me sukses të plotë perestrojkën, së cilës po ia shijojnë frutat si dhe dje…

I ftoj, të bëjnë së paku një gjë të mirë përgjatë jetës së tyre, për vendin, njerëzit, ardhmërinë: T’i thyejnë majat e penës me të cilën shkarravisin! Ta përdorin diku gjetkë aftësinë, nëse e kanë…

 

Arti është ziliqar, ai kërkon që njeriu t’i përkushtohet tërësisht.

Alfons Dode këshillonte dikur, por që sot fiton një vlerë aktuale: “Ka shumë njerëz në bibliotekat e të cilëve, ashtu si mbi shishet e farmacisë, mund të ngjitësh mbishkrimin: “…vetëm për përdorim të jashtëm”. Njeriun mund ta njohësh edhe sipas librave që lexon, kështu pra, që librat e këqinj mund të të prishin njëlloj si dhe shokët e këqij. Helmi në tregun e ushqimeve nuk është asgjë para helmit të tregtuar nëpërmjet librave, që u drejtohet jo stomakut, por mendjes, arsyes. Prandaj duhet bërë kujdes, duhet lëshuar një SOS alarmant para kësaj mode. Cilido është i lirë të shkruaj, por duhet të përzgjedhë të mirën, të dobishmen, shërbesën ndaj të ardhmes: të lexojë vendlindjen, relievin, toponomastikën, prozën, etnopsikologjinë, veshjet, florën dhe faunën, historinë pa tifozllëk, gjemorfologjinë, agrotekinkën tradicionale, ndërtimtarinë popullore, poetikën, kritikën, etj. Ka pafundësisht tema, por përse duhet shkuar pikërisht tek këto lloj kujtime eunukësh…!? Këta që dështuan me regjimin dhe sistemin, duke na dhuruar vuajtje, m,jerim dhe fukarallëk me tepri, nuk mund të shkëlqejnë më nëpërmjet mendjes, sidomos pas një myku gati-gati 30 vjeçarë… Ato kanë ndërruar dhe vazhdojnë të ndërrojnë shpesh në angazhimet e tyre, por arti dhe krijimtaria nuk pranon puntorë me mëditje, gjysmatarë, për më tepër klakerë. Ato të duan me kohë të plotë, jo si tepricë, as si ndihmës në politika ndjellakeqe…Prandaj, njerëz, bëni kujdes me kujtimet. Një filozof këshillonte: “…I jemi mirënjohës kujtesës që na jep mundësi të kujtojmë. Por duhet t’i jemi mirënjohës edhe pse na lejon të harrojmë”.  Harresa juaj është goditje me qitje të largët, gurë pas shpine! Ta bëjmë të heshtë, atë dorë!

 


Etiketa: , ,

Pas