Aktualitet

Libri i Ag Apollonit














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 06:05 - 04/09/21 |
Meri Lalaj

Këto ditët e fundit lexova librin e Ag Apollonit“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, lexoja faqe pas faqeje me lot në sy. Kam lexuar edhe plot libra të tjerë, të cilët bartin në brendinë e tyre atë çka ngjarë në Kosovë në fund të shekullit të njëzetë. Mund të ndodhë që ndërsa lexojmë një libër të mendojmë se ato që shkruhen në të jenë trillime të fantazisë së autorit, në këtë rast nuk ndodh kështu prandaj dhe Ag Apolloni e ka quajtur librin e vet “Dokuroman”, sepse ky libër është i mbështetur tërësisht mbi të vërteta, mbi të ngjarat e luftës së Kosovës.






Kur përmendim tragjeditë e dikurshme mendojmë: “Ouh, këto kanë ngjarë dikur në kohën e grekëve apo Shekspirit!” pa na shkuar fare në mendje se “Historia përsëritet!” Autori përmend dramat e humbura të Eskilit dhe për habi thuajse të gjitha titullohen me emra të gjinisë femërore, sikur kërkon të përgatisë lexuesin për fatin e femrave në Kosovën e përvëluar prej serbëve. Autori aludon teksa përmend humbjen e tragjedive të Eskilit, sepse Kosovës iu zhdukën në kohën e luftës shumë biblioteka personale, dorëshkrime, piktura, fotografi, kujtime dhe më kryesorja mijëra bij e bija të saj.


Autori vë paralel Niobën e dikurshme të tragjedisë antike e shndërruar në gur nga humbja e bijve dhe burrit, ndërsa Ferdonija, nëna që ka humbur në luftën e Kosovës katër bijtë dhe burrin vijon jetën me fijen e shpresës për të përçuar dhe më tej kujtimin e meshkujve të familjes së saj tek të tjerët. Ajo e shndërron shtëpinë në një muze të gjallë me fotot dhe kujtimet e tyre, ndoshta kështu arrin të sfidojë vdekjet.







Dhe njerëzit shkojnë e vizitojnë shtëpinë e saj mbushur tej e tej me fotografi, shkojnë për të takuar Ferdonijen e gjallë, një Nioba e shekullit të njëzet e njëtë. Kjo Nioba e re, e zgjoi nga gjumi birin e vet Edmondin katërmbëdhjetëvjeçar, sepse e prisnin xhelatët si për ta shpënë me duart e saj drejt vdekjes. Pashka, është një nënë tjetër, që ka humbur bijtë dhe burrin po nga genocidi serb, ajo nuk e duron dot dhimbjen dhe bën atë që do bënte çdo nënë për fëmijën e vet: flijohet me një fije shkrepëse duke i vënë flakën vetes. Po sa mijëra nëna kosovare jetuan dhe vazhdojnë të jetojnë shpirtpërvëluar?




Mendoj se ky libër është nga më të mirët ndër ata që kam lexuar për luftën e fundit në Kosovë, sepse në këtë libër autori ka shkruar me shpirt dhe me zemër, me dashuri dhe përkushtim për Kosovën e dashur dhe njerëzit e saj. Ag Apolloni ka bërë veç detyrën e tij si qytetar dhe si shkrimtar. Plagët lehtësohen kur shkruhet për të vërtetën.



Për herë të parë kam vajtur në Kosovë më 25 shtator 1999, e ftuar në takimin poetik të Gjakovës. Udhëtova me autobus nga Tirana që nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 8 të darkës. Njeriu i parë që takova ur u futa në sallë ishte poeti Din Mehmeti, për të cilin televizioni ynë dhe gazetat patën dhënë më së pari lajmin se e kishin vrarë serbët. Po çfarë mrekullie, ai ishte gjallë! Fjeta në Hotel “Pashtrik” dhe gruaja e parë që takova në mëngjes ishte Elvana, punonjëse e hotelit (ajo ka moshën e sime bije) dhe më rrëfeu se para katër muajve serbët ia kishin vrarë burrin. Ata po ecnin të dy në rrugë fare të qetë, por ia shkulën nga krahët ia vranë dhe e dogjën.

Elvana mundi ta njohë vetëm nga unaza në gisht. Përballë Hotel “Pashtrik” ndodhet një mur i sajuar me tulla të bardha tek secila tullë është shkruar një emër personi i zhdukur (vrarë ose humbur në burgjet e Serbisë). Kurrë nuk do ta harroj atë mur! Atë ditë nën diellin e shtatorit, eca e vetme nëpër qytet, pashë Çarshinë e djegur shkela përmbi shtëpitë e shkatërruara nga bombat. Në kohën e drekës u mblodhëm tek sheshi i qytetit për të protestuar për personat e pagjetur dhe për ata që ndodhen në burgjet serbe. Ulemi në shesh, unë qëndrova e përqafuar me zonjën Fatmira Hoda, e cila ka dy djem në burg: Hasanin dhe Hysniun, që nuk dihet se ku ndodhen. O Zot, që je lart në qiell ndihmoje këtë nënë të gjejë bijtë e saj! O Zot, ndihmoji të gjitha nënat e Kosovës të gjejnë bijtë e tyre! Le të thahen lotët e tyre! Le të gëzojnë, le të qeshi buza e tyre!

Në mendje më vijnë disa vargje: “Muri që ndan Mitrovicën / Kalon përmes zemrës sime, / Në Preshevë s’kam qenë kurrë / Për atje më ndan një mur…/ Dhe zemrës i vë një gur.
Tiranë, gusht 2021

1


Etiketa:

Pas