Aktualitet

LIBRI – “Këshilla për miqtë”, si ushqim për mendim!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:04 - 17/11/20 |
DR. JORGJI KOTE

Dhe pse i 14-ti, libri i ri i gazetarit dhe publicistit të mirënjohur Shaban Murati “Këshilla për miqtë” ngjall kureshtje dhe interesim të veçantë; për vetë emrin, përvojën e tij gati 50-vjeçare diplomatike, me dy mandate ambasadoriale, drejtor i Analizës, i Akademisë Diplomatike në MPJ dhe si Këshilltar Special i ish-Ministrit të Jashtëm.


Mjeshtri i Madh vjen te lexuesit me një sintezë interesante ngjarjesh dhe dukurish, shumica të pabotuara më parë; si ballafaqim me parashikimet dhe paralajmërimet e kahershme; sepse, ndryshe nga opinionistë dhe komentues të tjerë, ky analist elitar nuk flet “pas pilafit”; madje, ai u paraprin dinamikave dhe me rekomandime të dobishme për politikëbërësit dhe vendimmarrësit.


170 faqet e këtij libri janë plot me ese, aforizma, thënie të urta, referenca intriguese historike, kontraste të shtrira në kohë e gjeografi interkontinentale, me ndalesa të veçanta në 30 vitet e fundit.




Thelbi i tij është krijimi dhe funksionimi i një sistemi të vërtetë modern demokratik, veç jo si “shtet fisi”, me politikë, media, qytetari të vërtetë, me diplomaci kurajoze, krijuese dhe vizionare, ku dhe do të ndalemi në këtë shkrim.


Qysh në fillim thuhet troç se nuk bën dot politikë të jashtme të suksesshme një vend me keqqeverisje të brendshme, që mbështetet mbi parime farefisnore, nepotike, ku “bijtë e ish-sekretarëve të parë bëhen ambasadorë e drejtorë” në një vend ku “kulti i individit zëvendëson kultin e shtetit”.

Shqetësim madhor përbën trajtimi i mangët i diplomatëve, larg frymës, standardeve ndërkombëtare dhe promovimit në karrierë. Ky fakt i dhimbshëm ilustrohet me një ndodhi të autorit në Gran Canaria ku po festonte 65-Vjetorin e lindjes; si dhuratë nga e bija e tij, Arba, Zonjë dhe eksperte e proceseve zgjedhore në Bruksel e gjetkë. Ai u habit kur të nesërmen i sollën në dhomë një shampanjë, tortë me kartolinën e urimit; befasim i këndshëm kur i thanë se dhuratat ishin nga Drejtorja e Hotelit, e cila ia kishte parë ditëlindjen në pasaportë. I mrekulluar, autori pohon se këtë kënaqësi nuk e kishte patur në Tiranë, ndonëse kishte qenë Drejtor dhe Ambasador!

Duke iu referuar thënies së njohur se “Ambasadori është një njeri që dërgohet jashtë për të gënjyer për interesat e vendit të vet” shprehet keqardhja se në Shqipëri ai dhe shefat e tij gënjejnë vendin e vet. Po e aktualizoj këtë ide me justifikimet për dështimin në negociatat me BE-në. Ndonëse dhe “bufi” e di se këto negociata nuk çelen pa plotësuar 5 apo 15 kushtet e njohura, çka pas Holandës më 9 Nëntor e tha “shqip” dhe Ambasadorja e Francës, Kryeministri Rama pretendon se fajtore janë dinamikat e brendshme dhe zgjedhjet në disa vende europiane! Mirëpo, sipas kësaj logjike, i bie që negociatat të mos çelen asnjëherë, sepse zgjedhje dhe dinamika do të ketë përherë në Francë, Holandë, Gjermani e gjetkë ! Atëherë, përse i hyri BE-ja kësaj aventure dhe odiseje të vërtetë?

Në vijim, bashkohem me konstatimin se diplomacia jonë nuk ka ende një mendim të formësuar dhe konsoliduar. Nuk është fjala për hapa dhe demarshe apo qoftë dhe ndonjë arritje, deri te kryesimi i OSBE-së; porse mendimi diplomatik për të cilin shprehet autori është shumë më i gjerë, me afate të gjata kohore dhe jo me improvizime spontane, sipas oreksit dhe midesë politike të njërit apo tjetrit lider. Ndikim negativ në formësimin dhe konsolidimin e mendimit diplomatik luan dhe pengimi, censura dhe ndalimi i shprehjes së lirë të ideve dhe mendimeve të diplomatëve të kualifikuar; vetë Shaban Murati tregon se si e ka pësuar tri herë mbi shpinë këtë dukuri negative në 20 vitet e fundit.

Gjithsesi, fatkeqësia më e madhe është se të vërtetat që analistë të tillë të besueshëm tregojnë dalin sheshit shpejt, sepse “nuk mbulohet dielli me shoshë”! Deficitet tona të mëdha diplomatike janë pasojë dhe e politikave të jashtme koniunkturore. Lidhur me këtë, ai kërkon kujdes “që të mos shajmë si ata që na duan dhe ata që nuk na duan”; ndryshe “mund të na ndodhë që të mos na duan dhe ata që na duan”. E keqja tjetër, siç pohon autori është se “vetëm te ne liderë dhe politikanë të ndryshëm kthehen brenda natës nga filo – në anti- grekë, serbë, rusë, kinezë, amerikanë, europianë etj”!

Ashtu si dhe te “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” dhe këtu autori përmend me theks të veçantë mungesat, mangësitë dhe vonesat e pajustifikueshme në procesin e shtetbërjes së Kosovës. Ai është ndër të parët që krahas vlerësimeve, i ka përcjellë me kundërshtime si dhe me sugjerime e rekomandime praktike qëndrimet e ndryshme politike shqiptare.

Nga viti 2005-2006 e në vazhdim, ai është shprehur kategorikisht kundër tezës për zhvillimin normal të marrëdhënieve me Serbinë, pavarësisht qëndrimeve të saj ndaj Kosovës. Dhe pse në pamje të parë duket si qëndrim i moderuar dhe europianist, ajo tezë nuk shkonte fare përballë realiteteve dhe specifikave të hidhura serbe; natyrisht ajo ka ditur t’i shfrytëzojë në interesin e saj këto teza syleshësh politikë. Në fakt, ajo tezë duhej formuluar dhe zbatuar nën një këndvështrim tjetër afirmues dhe kushtëzues – siç ndodh zakonisht në diplomaci: “ok, t’i zhvillojmë marrëdhëniet me Serbinë, por paralelisht dhe në vartësi të qëndrimeve të saj ndaj Kosovës”.

Për fat të keq ky lloj qëndrimi është forcuar më tej dhe pas vitit 2013. Ja shihni, më 9 Nëntor, dhe pse Thaçi me shokë dilnin përpara Tribunalit në Hagë, Rama dhe Vuçiç nuk e anuluan Samitin gjysmak të Mini-Shengenit, ndonëse të nesërmen ishte Samiti i Sofjes BE-Ballkani Perëndimor! Ndonëse nuk e pati për gjë të padisë ish-Kryeministrin Haradinaj për shpifje, Tirana zyrtare u tregua e mekur e pothuajse «memece» kur Vuçiç e konsideroi masakrën në Reçak “thriller” perëndimor apo dhe këtë javë, kur e krahasoi Kosovën me Nagorni Karabakun!

Në vijim, analizohen shkaqet e pasojat dhe dënohen ashpër “tezat e kufirit” të shpallur dy vite më parë. Autori thekson me shqetësim se ato ishin gafa trashanike që mund të çonin deri në një Konferencë të re të Londrës, duke vënë në diskutim gjithë demarshet dhe arritjet e deritanishme historike dhe vetë Luftën Çlirimtare të Kosovës.

Më tej, jepen argumente bindëse se Kosovës të këqijat nuk i kanë ardhur nga ekonomia, nga mungesa e rrugëve dhe autostradave, por nga politika shtypëse e Serbisë, krimet dhe gjenocidi, mosnjohja dhe fushatat për çnjohjen e saj! Për pasojë, me gjithë rëndësinë e tyre, ekonomia, tregtia, rrugët madje dhe lëvizja e lirë nuk kanë shans për sukses të qëndrueshëm, pa zgjidhur nyjen gordiane politike – njohjen e Kosovës nga Serbia dhe nga pesë shtete të BE-së, nga Spanja e Borrell dhe e Sllovakia e Lajçak. Shihni, Maqedonia e Veriut ka patur e ka marrëdhënie diplomatike, tregti dhe investime të mëdha me Greqinë dhe Bullgarinë. Megjithatë, e para e bllokoi për 25 vjet për anëtarësim në NATO dhe në BE, ndërsa e dyta e bllokoi tani për çeljen e negociatave! Ndaj, autori «bërtet» me të madhe, se çdo gjë, çdo nismë e proces fillon nga NJOHJA e pavarësisë së Kosovës! Ndryshe, gjithçka mbetet në kuadrin e llomotitjeve boshe!

Natyrisht në të gjitha këtë “mesele” sipas autorit ka përgjegjësinë e vet të madhe dhe vetë BE-ja, sidomos ish-Përfaqësuesja e Lartë, Mogherini që vendosën “karrocën përpara kalit”. Me mendimin naiv që “të mos u ikë nga duart Serbia e të bjerë në prehrin e Rusisë/Kinës”. Ndryshe nga qëndrimet e saj me Kosovën, BE është treguar sa kurnace në kritika, aq dhe bujare në lumenj me lëvdata ndaj Serbisë». Dhe Beogradi ka ditur të shfrytëzojë me mjeshtëri këto “dhurata” nga Brukseli, por çuditërisht dhe nga Prishtina e Tirana zyrtare; ai ia ka dalë mbanë që të kalojë nga “loja me karrige muzikore” te katërkëndëshi strategjik – “ta ketë grurë” me BE, SHBA-të, Rusinë dhe Kinën, ama pa lëvizur asnjë centim nga “embargoja” politike dhe diplomatike ndaj Kosovës.

Me po këtë ashpërsi në libër shigjetohet i ashtuquajturi “Mini-Shengen”. Të kuptohemi, Shaban Murati, por dhe kundërshtarët e tjerë ku bën pjesë dhe autori i këtyre radhëve nuk janë kundër, përkundrazi, ne mbështesim të katër liritë e mëdha europiane ne Ballkan të mishëruara te CEFTA, zona e tregtisë së lirë në Ballkanin Perëndimor, e mbështetur nga Procesi i Berlinit, BE-ja dhe SHBA-ja.

Ajo çka kundërshtohet është protagonizmi dhe keqambalazhimi i tyre me «Shengenin serb». Madje, në kohën e gabuar, kur BE-ja ende nuk po jepte PO-në për negociatat, kur Kosova lëngonte nën peshën e krizave të brendshme dhe agresivitetit serb lidhur me çnjohjet e saj; pa harruar dhe pse jo vitin 1946, kur ish-Jugosllavia bëri demarshe të njëjta. Atëherë përse ky ngut, kur Kosova dhe dy vende të tjera hezitonin dhe kundërshtonin? Kur nuk kishte asnjë analizë dhe studim mbi kostot/ përfitimet, edhe pse Serbia dilte fituesja më e madhe ekonomike por dhe politike, plus imazhit të saj të kuruar për bukuri dhe me stil, falë ndihmesës së «levantinëve» tanë politikë, ama në dëm të Kosovës? Se sa të drejtë ka autori i librit këtë e tregoi më 10 Nëntor Samiti i Sofjes BE – Ballkani Perëndimor ; ai i “vuri kapakun” me krijimin e “Tregut Unik Ballkanik dhe Zonës Rajonale të Lirë Ekonomike”, duke zëvendësuar Mini- Shengenin, këtë “mollë rajonale sherri“.

Mungesa e vizionit dhe mendimit të duhur diplomatik vitet e fundit është shfaqur dhe tek asimetria, mosreciprociteti dhe përparësitë e duhura në marrëdhëniet me Greqinë fqinje. Krahas anëve pozitive, në libër ka konstatime dhe kritika të drejta nga këndvështrimi i realpolitikës për diplomacinë tonë joefektive, folklorike, pa frymë e taban; sidomos lidhur me çështjen e detit, ku Shaban Murati është shquar me qëndrimet, shkrimet dhe një botim të veçantë. Ai fshikullon mungesën e transparencës publike, të argumenteve bindëse e sidomos strategjinë e mëparshme dështake të diplomacisë sonë, kur u futën “të gjitha vezët në një shportë“.

Për pasojë, u përzien keqazi çështjet kapitale që ulërasin për zgjidhje, duke vepruar me “aksion me goditje të përqendruara”. Edhe dërgimi i dosjes së Detit në Hagë në fakt është dështim i diplomacisë dhe vetëm një shtyrje me disa të panjohura në agjendë, por jo më shumë. Duke shtjelluar parimin e shenjtë të reciprocitetit, në libër tregohet se Greqia nuk i përmend dhe as i vlerëson si shqiptarë kapedanët tanë dhe trimat e tjerë që kontribuuan në Revolucionin grek të vitit1821, ndërkohë që kërkon gjithandej varreza për të “rënët” e saj në Shqipëri. Autori përmend dhe faktin tjetër se kryediplomati grek nuk iu bashkua më 13 Qershor 2019 Letrës së 13 homologëve që kërkonin çeljen e negociatave dhe në Tetor abstenoi.

Vëzhgime e vërejtje të drejta bëhen dhe për “tabu” të tjera, sidomos trajtimin e pakicave. Autori e thotë “shqip” se “shpikja e minoriteteve duke vendosur rekord ballkanik nuk forcon integritetin territorial, as pozitën rajonale dhe integrimin europian; kështu vetëm shndërrohemi në subjekt ndërkombëtar të vetëvrasjes kombëtare, shtetërore dhe diplomatike“.

Tejet domethënës është rasti i Presidentit turk Erdogan, i cili gjatë vizitës më të fundit në Greqi më 8 Dhjetor 2017 shkoi në vendbanimin e tyre dhe drekoi me përfaqësues të 150.000 shtetasve me origjinë turke, duke kërkuar dhe njohjen e tyre si pakicë kombëtare; ndërkohë që liderët dhe kryediplomatët tanë në 25 vitet e fundit nuk kanë shkuar të takojnë “qoftë dhe për një kafe” arvanitasit dhe të kërkojnë njohjen e tyre si minoritet!

Së fundi, nisur nga këto si dhe fakte e dukuri të tjera të përshkruara me stil tërheqës, të thjeshtë e plot ngjyrime, libri i ri i Shaban Muratit është shumë më tepër se “Këshilla për miqtë”. Në fakt, ai ofron një katalog të nxehtë e të larmishëm tematik, si “ushqim për mendim” dhe veprim të mençur, pse jo dhe si apel të fuqishëm për ndryshime të mëdha cilësore dhe në diplomacinë tonë.


Etiketa: , , ,

Pas