Ai elektronik, të cilit po i qasen edhe më skeptikët. Shtëpitë botuese besnike të librit të shtypur, kanë kthyer sytë nga tendencat e reja. Më e fundit është peticioni që një grup botuesish kanë nënshkruar për Amazon Kindle, për ta përfshirë edhe gjuhën shqipe mes programeve të leximit. Nëse lexuesi nuk shkon te libri, ky i fundit gjen rrugë të reja për t’u lexuar…
Nga Suadela Balliu
Butësia e letrës në gishtërinj, boja që ndonjëherë lë gjurmë edhe jashtë shkronjave, ngjitësi që ndonjëherë lë edhe t’i arratiset ndonjë faqe rebele prej tufës së rregullt që mbahet nga kopertina, pesha në duar teksa shfleton, por edhe ndonjë prerje e lehtë me buzën e faqes teksa e kthen…detaje të forta që zgjojnë kujtime të një pasditeje në plazh, një mesdite në kafene ku zhurmat rrethe qark mbyten nga leximi, një karrige lëkundëse pranë dritares që të përkund fantazitë që ndizen me përmbajtjen…
Nostalgjikë apo të modës së vjetër, quajini si të doni, për ta asgjë nuk e zëvendëson dot shijen e librit të shtypur dhe asgjë nuk ia mbush më shumë syrin se një bibliotekë e ngjeshur me tituj librash të lexuar dhe tituj që presin të lexohen.
Një libër, në cilindo format qoftë, mund të lexohet njëlloj por duket se ka diçka tek aroma që lë shtypi që ata elektronikët nuk mund ta mbërthejnë dot…ndoshta për tani.
Ama një gjë është e sigurt, që libri elektronik po mbërthen gjithnjë e më shumë lexuesit drejt vetes. Edhe ende nuk duket afër pikut. Mendohet që në 5 vitet e ardhshëm do të shohim gjithnjë e më shumë lexues që lëvizin nga libri i shtypur drejt atij elektronik. Por kjo nuk do të thotë vdekje e librit të shtypur.
Nuk ka arsye të mendohet se të dashuruarit pas librit të shtypur do ndryshojnë mendje. Nuk ka dyshim që do të mbeten pak me kalimin e kohës, me rritjen e numrit të librave elektronikë në qarkullim dhe atyre që i falen teknologjisë për lexim. Megjithatë ashtu siç sot ka njerëz që dashurojnë disqet e gramafonit, edhe pse mund të kenë lindur në epokën e kompakt disqeve, do të ketë një masë njerëzish, edhe psetë paktë, që do e dashurojnë librin fizik. Ndoshta rrallimi i lexuesve në tregun e librit të shtypur, do i bëjë ata më besnikët ta shijojnë edhe më shumë përvojën intime me letrën.
Nga ana tjetër, ata që preferojnë librin elektronik shpesh thonë se pajisja e vogël u heq një peshë aq të madhe nga shpina, në kuptimin literal të fjalës. Me pajisjet elektronik një lexues mund të marrë me qindra libra në një udhëtim në një hapësirë vetëm ca centimetrash në çantë.
Lënë mënjanë konsiderata të tilla, studimet tregojnë se kur vjen puna te përfshirja e leximit, librat e shtypur mbeten një zgjedhje më e mirë.
Nga studimet thuhet të paktën për librat për fëmijë versioni i shtypur është më i mirë për ndërveprimin në rrëfenja mes prindit dhe fëmijës. Një gjë e tillë nuk ndodh me librin elektronik
Për të rriturit që janë në gjendje ta kuptojnë kontekstin, karakteristikat interaktive si lidhëset, shënjuesit e librave, theksimet dhe të tjera si këto sjellin përfitime të mëdha, por disa pajisje e teprojnë me këto duke krijuar hutim.
Gjithashtu janë edhe çështjet e kostove të prodhimit. Nuk do mend që librat e shtypur kushtojnë më shumë për shkak të burimeve që duhen. Prodhuesit e lexuesve të librave elektronikë e shpenzojnë pjesën më të madhe të kostos së prodhimit në vetë pajisjen dhe pas kësaj gjithçka që është digjitale dhe një fraksion kostoje për libër, krahasuar me të shtypurit.
Por fituesi nuk është tjetërkush veçse atij që lexon, pavarësisht metodës. Me të gjitha opsionet e disponueshme në treg, nuk ka mënyrë për të mos e shijuar të lexuarit. Ajo çka njerëzit duhet të fokusohen është të mësojnë të lexojnë më shpejt. në fund të fundit ka aq shumë libra- si të shtypura ashtu edhe dixhitalë, sa duhet vetëm të përqendrohemi për lexuar sa më shumë të mundemi, në cilindo format që na shkon më për shtat.
Drejt e-book në shqip
Një grup botuesish shqiptarë kanë nënshkruar së fundi një peticion drejtuar “Amazon Kindle Publication”, kompanisë që prodhon lexues dixhitalë për librat elektronikë, të arrijë të bëjë të mundur vendosjen e gjuhës shqipe në listën e gjuhëve të suportuara për të ndërtuar dhe shitur libra në formatin e-book në librarinë më të madhe online në botë. Kjo nismë vjen me synimin jo vetëm për t’u ofruar lexuesve në gjuhën shqip, atyre që jetojnë jashtë e nuk kanë mundësi të blejnë kopje fizike por edhe atyre brenda vendit që duan t’u qasen teknologjive të reja si edhe për t’u përhapur në të gjithë botën. Por sa e pranishme është Shqipëria në tregun virtual të librit, sa prej shtëpive botuese kanë nisur të ecin apo po e mendojnë ta përshkojnë këtë shteg të ri? A ka botime në shqip që shiten sot në amazon.com? A sjell kjo rrezik në arkat e shtëpive botuese në një treg të madh e të panjohur, ku informaliteti bëhet më i madh dhe i pakontrollueshëm me piratërinë teknologjike?
Toena
Irena Toçi: Nuk mund të jemi indiferentë ndaj formës elektronike
Jetojmë në kohën e zhvillimeve teknologjike dhe si botues nuk mund të na lërë indiferentë tendenca e botimit dhe e leximit në formë elektronike. Për këtë arsye jemi përpjekur të vendosim një linjë komunikimi me Amazone Books për të nënshkruar me të një kontratë bashkëpunimi afatgjatë për publikimin dhe tregtimin e librave në formë elektronike
Në librarinë më të madhe online, Amazone Books, po të bësh një kërkim për të gjetur nëse ka disponibël libra në gjuhën shqipe në shitje do të konstatosh se numri i tyre është tejet i kufizuar dhe jo përfaqësues për atë çka botohet në shqip sot. Por edhe më i paktë është numri i librave që mund të lexohen elektronikisht. Jetojmë në kohën e zhvillimeve teknologjike dhe si botues nuk mund të na lërë indiferentë tendenca e botimit dhe e leximit në formë elektronike. Për këtë arsye jemi përpjekur të vendosim një linjë komunikimi me Amazone Books për të nënshkruar me të një kontratë bashkëpunimi afatgjatë për publikimin dhe tregtimin e librave në formë elektronike.
Pengesa e vetme për realizimin e kësaj kontrate është mos suportimi i gjuhës shqipe nga sistemi i leximit të Amazone Books. Kjo është një pengesë serioze për të bërë të mundur një bashkëpunim afatgjatë. Prandaj, rruga e vetme është që nëpërmjet një peticioni që ne u munduam ta shpërndajmë nëpërmjet rrjeteve sociale, për t’u nënshkruar nga sa më shumë të interesuar për këtë çështje, ne t’i tregojmë Amazone Books se ka të paktën disa mijëra të interesuar, lexues dhe blerës potencialë, për të lexuar libra në shqip nëpërmjet Kindle Amazone apo E-reader. Në këtë mënyrë, ky institucion do të bëhet i interesuar për të gjetur zgjidhjen e dëshiruar.
Megjithatë, në Shqipëri nuk ka platforma të besueshme për të shitur librin elektronik. Librat që mund të shiteshin në platforma të ndryshme te ne do të ishin të rrezikuar nga piratimi. Për më shumë nuk kemi një ligj që do të mund të mbronte nga ky lloj piratimi punën e autorit dhe botuesit.Iu drejtuam kësaj librarie online për të provuar tregtimin e librit elektronik, sepse është nga platformat më të besueshme dhe vështirë të piratueshme.
Ju falënderoj për ndjeshmërinë dhe vëmendjen që po tregoni kundrejt kësaj problematike që nuk është vetëm kauza jonë, por në radhë të parë do të duhet të jetë kauza e autorëve shqiptarë që sigurisht dëshirojnë të lexohen sa më shumë, por është edhe kauza e mijëra lexuesve që jetojnë në të katër anët e botës dhe që e kanë të pamundur për të siguruar kopje fizike të librave të botuar.Shpresoj që të arrijmë të sensibilizojmë një pjesë nga 41.000.000 anëtarët e “Avaaz.org Community Petitions” nëpërmjet të cilit i jemi drejtuar lexuesve shqiptarë kudo në botë.
Dituria
Jeta Hamzallari: Po kthejmë disa tituj në e-book
Prej disa kohësh po punojmë për krijimin e-book për disa prej titujve tanë, për t’u bërë pjesë e tregut elektronik të librit, qoftë atij ndërkombëtar, qoftë e atyre pak librarive modeste online në Shqipëri
Shfaqja e teknologjive dixhitale dhe më pas ndikimi i internetit kanë sjellë ndryshime të thella në jetën shoqërore në përgjithësi, dhe në veçanti në natyrën e industrisë globale të librit. Sot, gjithnjë e më shumë po vihet re një rritje e numrit të lexuesve që preferojnë ose zgjedhin të lexojnë një libër elektronik, në vend të një libri të printuar. Ndaj, duke parë këtë trend të ri leximi, ne si shtëpi botuese dashur pa dashur jemi “të detyruar” të vijmë sa më pranë prirjeve të lexuesve. Prej disa kohësh po punojmë për krijimin e-book për disa prej titujve tanë, për t’u bërë pjesë e tregut elektronik të librit, qoftë atij ndërkombëtar, qoftë e atyre pak librarive modeste online në Shqipëri. Rreziku kryesor në këtë sektor, që është në të njëjtën kohë rrezik potencial edhe në sektorin e librit të printuar, është piratimi. Me gjithë masat e sigurisë që ndërmarrin për menaxhimin e të drejtave dixhitale (DRM) libraritë e mëdha online, kam këtu parasysh kompaninë gjigante të shitjeve online, Amazon, e cila e filloi veprimtarinë e saj si një librari online, por shpejt filloi tregtimin edhe të produkteve të tjera, jam skeptike për elementet e sigurisë për mospiraterim që ofrohen nga ato pak librari online në Shqipëri.
Është e vërtetë që libri elektronik, kundrejt atij të printuar, ofron disa përparësi: brenda një pajisjeje të vogël, njerëzit kanë mundësi të ruajnë me qindra apo mijëra libra; për të blerë një libër elektronik mjafton vetëm një komandë; çmimi i një libri të tillë, çka është edhe më e rëndësishme, shpesh është më i ulët se ai i një libri të printuar; një individ mund ta gjejë librin që dëshiron, veçanërisht ky kur është në gjuhë të huaj, në të paktën 80 librari të ndryshme online; vepra të cilat i kanë të lira të drejtat e autorit mund të shkarkohen falas; botuesit e pavarur të librave elektronikë u ofrojnë audiencë shkrimtarëve të cilët nuk kanë tërhequr vëmendjen e një agjenti letrar apo shtëpie botuese – kjo mund të ulët ndjeshëm pengesat për shkrimtarët e rinj për ta promovuar dhe shitur veprën e tyre në nivel global, etj. Por ka edhe një sërë të metash: askush prej të pasionuarve pas librit elektronik nuk do të ketë mundësinë e të pasurit të një biblioteke fizike; një libër elektronik nuk të fal kurrë kënaqësinë e të prekurit dhe të shfletuarit të faqeve si libri i printuar etj.
UET Press
Valbona Nathanaili: me e-book, rrezik i madh piratimi
Po mendojmë të kalojmë edhe ne në botime të këtij lloji, por akoma nuk jemi gati. Jemi në fazën e shqyrtimit të mundësive të ndryshme. E para, nuk kemi infrastrukturën e nevojshme. E dyta dhe shumë kryesore, lidhet me piratimin e librit, një fenomen shqetësues dhe gërryes për të gjithë, q
“UET Press” akoma nuk ka asnjë libër në variantin e-book. Është e vërtetë që një nga titujt e Ben Blushit, botuar nga “UET Press”, i është ofruar lexuesit në format elektronik, në CD, e përafërt me idenë e e-book në lehtësinë dhe komfortin që ofron për lexim, por jo e-book. Ky lloj varianti, i aplikuar për herë të parë mund të quhet një lloj “primati” i kësaj ideje.
Po mendojmë të kalojmë edhe ne në botime të këtij lloji, por akoma nuk jemi gati. Jemi në fazën e shqyrtimit të mundësive të ndryshme. E para, nuk kemi infrastrukturën e nevojshme. E dyta dhe shumë kryesore, lidhet me piratimin e librit, një fenomen shqetësues dhe gërryes për të gjithë, që prek drejtpërdrejt, në fillim dhe në fund, autorin, punën dhe të drejtat e tij. Përpara se të fillojmë ne ta tregtojmë librin tonë si e-book, ka filluar pirati. Libri fitues i Çmimit të Bashkimit Europian të Letërsisë për vitin 2014, “Othello. Arapi i Vlorës” i Ben Blushit piratohet.
Nuk e di se si do mund ta ndalim këtë fenomen që po na godet sërish. Në këtë “luftë” deri tani gjithmonë kemi qenë vetëm.
I jemi bashkuar peticionit ndaj “Amazon Kindle Publication” dhe e shohim si një mundësi shumë të mirë. Shpresoj të funksionojë.
Onufri, i pari që ofron libra në version elektronik
David Hudhri tregon se prej një viti shtëpia botuese Onufri prej një viti ofron libra elektronikë. Ai flet për përparësitë që ka teknologjia në shpërndarjen e shpejtë të librit.
Onufri ka mbi një vit që ofron librat e tij në version elektronik, në Amazon Kindle. Ky ka qenë një shqetësim i yni prej kohësh dhe madje kemi kontaktuar edhe me Amazon për ta zgjidhur këtë, por nuk e zgjidhëm dot. Ndërkohë vërenim që shumë autorë shqiptarë i publikonin veprat e tyre në Amazon. Me përpjekjet tona, arritëm që edhe ne ta realizonim këtë aksion. Problem mbetet pjesa ku shkruhet gjuha anglisht dhe jo shqip. Por çdo lexues shqiptar në botë, shikon shënimin e kopertinës së librit, klikon mbi kopertinë dhe e shikon që është një libër shqip. Jemi të lumtur që kemi marrë mesazhe nga shumë shqiptarë, kudo në botë, që i kanë blerë librat tanë. Aty mund të gjeni libra të Kadaresë, Camajt, dhe autorëve të tjerë.
Rreziqe në këtë sektor nuk ka, por përparësi ka shumë. Disa prej këtyre përparësive janë shpejtësia e shpërndarjes së librit, pra, shqiptarë por edhe të huaj në të gjithë botën, mjafton të kenë një llogari në një nga faqet e Amazon dhe mund t’i blejnë këto libra. Duke qenë se është elektronik, nuk ka kosto shtypi. Një libër, kur botohet në Amazon Kindle, një procedurë e cila zgjat deri në 24 orë, mund të nisin ta lexojnë këtë libër brenda një minute, pasi e kanë blerë.
Sa i përket peticionit ndaj Amazon Kindle, mbështesim absolutisht çdo nismë që ka në themel shpërndarjen e librit shqip në të gjithë botën, në të gjitha formatet.
I shtypur vs. Elektronik
Librin e shtypur mund ta blesh në mënyrë anonime me para në dorë. Pastaj e ke në pronë. Nuk të kërkohet të nënshkruash një licencë që të kufizon përdorimin e tij. Formati është i njohur dhe nuk të duhet asnjë teknologji e përshtatshme për ta lexuar librin. Mund ta japësh, huazosh apo t’ia shesësh librit dikujt tjetër. Mundesh, fizikisht, ta skanosh dhe kopjosh librin dhe ndonjëherë është e ligjshme nën të drejtën e autorit. Askush nuk ka pushtetin për ta shkatërruar librin tënd.
Me librat elektronikë, sidomos ata të Amazon, kërkohet të identifikosh veten për të blerë një kopje. Në disa shtete, Amazon thotë se përdoruesi nuk mund ta bëjë të tijin një libër elektronik, i kërkon përdoruesit të pranojnë një licencë me kufizime mbi përdorimin e librit. Formati është sekret dhe vetëm software-t në pronësi mund ta lexojnë të gjithën. Huazimi lejohet ndonjëherë për disa libra, për një kohë të kufizuar, por vetëm duke e specifikuar me emër një përdorues tjetër të të njëjtit sistem. As nuk dhurohet e as nuk shitet.
Të kopjosh një libër elektronik është i pamundur për shkak të Menaxhimit të kufizimeve dixhitale në pajisje dhe të ndaluar me licencë, që është shumë më kufizues sesa ligji për copyright-in. Amazon mund edhe ta fshijë një libër. Një gjë e tillë ka ndodhur më 2009-n për të fshirë mijëra kopje të librit “1984” të Xhorxh Oruellit.