Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit. Por, për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane, Komiteti i Stambollit vepronte, si edhe më parë, në rrethanat e fshehtësisë së plotë.
Më 10 qershor 1878 u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit. Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz Pashë Dibra, ndërsa programi politik ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë. Lidhja e Prizrenit përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar. Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët.
Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane. Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik europian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare.
Thirrja e Kuvendit
Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit. Por, për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane, Komiteti i Stambollit vepronte, si edhe më parë, në rrethanat e fshehtësisë së plotë. Si vend për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë së atdheut. Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni e Gjakova.
Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Koronica, ndërsa thirrjen për mbledhjen e Kuvendit e lëshoi qysh në fund të prillit një nga përfaqësuesit më të shënuar të qarqeve atdhetare të moderuara, Ali bej Gucia (më vonë: Ali pashë Gucia), pronar i madh tokash dhe kundërshtar i vjetër i Tanzimatit e i Traktatit të Shën Stefanit. Lëvizja për thirrjen e Kuvendit Kombëtar u gjallërua në kulm gjatë gjysmës së dytë të majit. Sapo u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878, në viset e të katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje për të zgjedhur delegatët që do të niseshin për në Prizren.
Nga viset shqiptare të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës, nuk u caktua si delegat për në Prizren asnjë nga elementët pro turq. Megjithatë, ulematë dhe funksionarët osmanë, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet, bënë që në ato kaza, ku banonin në mënyrë të përzier popullsi myslimane shqiptare, boshnjake, turke dhe pomake (bullgarë të islamizuar), të caktoheshin si delegatë edhe mjaft pashallarë e bejlerë besnikë të Sulltanit.
E shqetësuar nga zhvillimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Porta e Lartë nuk e la fatin e politikës së saj në Shqipëri vetëm në duart e autoriteteve shtetërore të vilajeteve, por ndërhyri edhe vetë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Për këtë qëllim ajo thirri në Stamboll, në fund të majit, personalitetet më të dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe disa dhjetëra të tjerë, ndaj të cilëve ushtroi për disa ditë me radhë një trysni të fortë për t’i detyruar që t’i jepnin besëlidhjes karakterin e një organizate islamike ballkanike.
Personalitetet shqiptare, që i rezistuan presionit të qeverisë osmane, Porta u përpoq t’i mbante në Stamboll me pretekste të ndryshme, për të penguar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin Kombëtar. Por ata u nisën për në Prizren pa lejen e saj. Prizreni kishte marrë në ato ditë të para të qershorit një pamje festive. Përveç banorëve të përhershëm qarkullonin në qytet mijëra mysafirë të tjerë të veshur me rrobat e krahinave të tyre dhe të armatosur. Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare.
Mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë (njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri), pasi të tjerët ishin ende në udhëtim. Nga të dhënat e derisotme dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e delegatëve, as numri i saktë i atyre që u ndodhën të pranishëm në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes.
Njihen më se 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë. Kishte personalitete të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të monarkive fqinje ballkanike.
Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm njihen: Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra (Neza), Abdyl Frashëri, Sefë Mahmut Koshraja etj. Në Prizren kishin ardhur gjithashtu delegatë disa feudalë sllavë e por turq nga viset e Bosnjë-Hercegovinës. Kuvendi i Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar, me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878).
Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet Pasha; kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë ose Bajrak-Xhamisë, siç quhej nga qytetarët prizrenas. Kryetar i Kuvendit u zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz pashë Dibra (Qoku)?. Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë. Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar. Ndryshe nga këta, delegatët, që i takonin krahut të Sulltanit, u përpoqën që organizata që do të themelohej të kishte një karakter islamik e jo kombëtar shqiptar dhe t’ia nënshtronin atë interesave të Stambollit.
Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit. Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar. Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të larta.
Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iljaz pashë Dibra. Për të ushtruar funksionet ekzekutive u formua Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, i përbërë nga tri komisione, secili me një përgjegjës të veçantë: komisioni i punëve të jashtme (Abdyl Frashëri), komisioni i punëve të brendshme (Haxhi Shabani) dhe komisioni i të ardhurave financiare (Sulejman Vokshi).
Krijimi i organeve të larta të Lidhjes së Prizrenit dhe pajisja e tyre me funksione pushtetore ishin një fitore tjetër që korrën forcat atdhetare, pasi me anën e tyre u hodhën themelet për krijimin në Shqipëri të një pushteti të veçuar nga ai i Portës së Lartë. Kjo fitore u përforcua me caktimin në krye të organeve të larta të personaliteteve që militonin në Komitetin e Stambollit (Abdyl Frashëri e Sulejman Vokshi), ose që u takonin qarqeve të moderuara (Iljaz pashë Dibra e Haxhi Shaban Prizreni). Për fitoren e plotë të krahut patriotik nuk mbetej tjetër hap, veçse pajisja e besëlidhjes me një statut ose kanun, siç quhej në atë kohë, të ndërtuar mbi platformën rilindëse.