Drejtuesi i Zyrës së OBSH-së në Tiranë, Dr. Raul Gonzalez, në një intervistë për gazetën Mapo ka vlerësuar forcimin e masave në ligjin antiduhan. Ai thotë se një sërë sëmundjesh lidhen direkt me konsumimin e duhanit dhe sipas tij, forcimi i ligjit do të ulë numrin e duhanpirësve. Sipas të dhënave të fundit, 29 për qind e popullsisë në moshë madhore, është konsumatore e duhanit në vendin tonë.
Parlamenti i Shqipërisë miratoi së fundmi amendamentet në ligjin e duhanit, duke e ashpërsuar atë. A është këshilluar Ministria e Shëndetësisë me OBSH për këtë ligj?
Qeveria e Shqipërisë, në veçanti Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm në drejtimin e duhur për forcimin e ligjit që i mbron qytetarët nga duhani. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është konsultuar me OBSH-në dhe ne kemi ofruar asistencën tonë teknike. Ndryshimet në ligj ia kemi paraqitur Njësisë Teknike në Zyrën Rajonale te OBSH për Evropën në Kopenhagen, nga ku janë formuluar rekomandimet përkatëse.
A janë reflektuar të gjitha rekomandimet që ju keni bërë në ligjin antiduhan?
Po, i kanë marrë parasysh rekomandimet tona. Kur japim rekomandime, qeveritë i marrin parasysh plotësisht, pjesërisht ose nuk i përfillin aspak. Në rastin e Shqipërisë, kanë zbatuar rekomandimet më të rëndësishme.
Do të doja të theksoja njërin prej rekomandimeve. Trajtimi i produkteve të reja, si cigaret elektronike ose cigaret me ngrohje, që konsiderohen produkte duhani. Kjo është lëvizje përparimtare dhe e rendit Shqipërinë ndër vendet më të përparuara në Evropë. Krahas kësaj, duhet të marrim parasysh që Shqipëria ka hedhur hapa të mëdhenj edhe në zbatimin e Konventës Kuadër për Kontrollin e Duhanit.
Dr. Raul Gonzalez, prej sa kohësh punoni në Shqipëri? Sepse desha të di nëse keni pasur mundësi të shihni në terren se sa zbatohet ligji antiduhan?
Në Shqipëri punoj prej tre muajsh. Nëse bëjmë një krahasim të të dhënave të vitit 2010 me ato të vitit 2016, vëmë re se Shqipëria ka bërë arritje madhore. Gjatë këtyre 6 vjetëve ka pasur një prirje shumë pozitive në lidhje me përdorimin e produkteve të duhanit, pasi me kalimin e viteve ka rënë numri i përdoruesve, çka është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e ligjit.
A keni një raport të fundit me të dhëna (statistika) mbi shkallën e vdekshmërisë dhe sëmundjet që shkaktohen nga duhanpirja?
Po, është shkaktar, nuk kemi asnjë dyshim në këtë rast. Po të analizojmë 10 shkaqet kryesore të vdekjes në Shqipëri, 6 prej tyre lidhen drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Këtu mund të përmendim sëmundjet ishemike të zemrës, goditjen cerebrale (iktus) dhe kancerin në mushkëri.
Nëse marrim parasysh 10 shkaqet kryesore të vdekjes në Shqipëri, shkaku i parë është sëmundja ishemike e zemrës, pasuar nga goditja cerebrale (iktus) dhe kanceri në mushkëri. Këto tri shkaqe lidhen drejtpërdrejt me duhanpirjen, dhe tri shkaqet kryesore të vdekjes.
Nëse mund të flasim për shifra konkrete. Pra, sa njerëz humbin jetën nga sëmundjet që shkaktohen nga duhanpirja?
Sigurisht që Instituti i Shëndetit Publik ka të dhëna, të cilat ia ofron OBSH-së. Natyrisht, kemi modele matematikore për të lidhur përdorimin e produkteve të duhanit me rastet e vdekjeve. Asnjëherë nuk kemi të njëjtat ndërlidhje. Për shembull, ajo që dimë është se produktet e duhanit rrisin gjasat për të vuajtur nga kanceri në mushkëri, dhe më pas shohim rritjen e rasteve të kësaj sëmundjeje për të bërë lidhjen. Krahas kësaj, dihet që nëse në një shoqëri bie niveli i përdorimit të produkteve të duhanit, do të bjerë edhe niveli i kancerit në mushkëri, goditjes cerebrale (iktus) apo sëmundjes ishemike të zemrës.
Sa duhanpirës ka në Shqipëri dhe si është raporti me vendet e tjera?
Po, për shembull mund ta shprehim numrin e duhanpirësve në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera. Këtë vit kemi publikuar raportin tonë për përdorimin e duhanit në Evropë. Le t’i hedhim një sy tabelës dhe të gjejmë Shqipërinë, siç e shikoni gjendet në mes. Bazuar në këtë raport, Mali i Zi për shembull figuron si vendi me përqindjen më të lartë të duhanpirjes në moshat adulte. Pra, Shqipëria është pjesë e mesatares në Evropë. Përkatësisht 29% e popullsisë së rritur janë duhanpirës, sipas metodologjisë së standardizimit për strukturën moshore të popullatës. Gjatë viteve të fundit vendi ka parë përmirësime, por ka ende rrugë për të bërë.
Pra, 1/3 e shqiptarëve konsumojnë cigare…
Po, më shumë se çereku i popullsisë së rritur është përdorues i duhanit dhe ky ligj do të ketë ndikim pozitiv. Dhe sot është dita e duhur që të hiqni dorë nga duhani.
Duhanpirja është diçka për të cilën mund të punojmë shumë lehtësisht. Është shumë e dëmshme dhe shkakton një numër të lartë vdekjesh dhe sëmundjesh. Megjithatë, mund ta zgjidhim sa hap e mbyll sytë, pasi është një shkak vdekjeje që mund të parandalohet dhe të eliminohet.
Intervistën e plotë të Dr. Raul Gonzalez Montero, drejtor i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri e lexoni në linkun më poshtë:
Drejtori i OBSH: Shteti të zhvillojë politika për mbajtjen e mjekëve