Ndryshimet e bëra së fundmi nga parlamenti në ligjin antiduhan kritikohen nga eksperti Roland Shuperka i cili drejton shoqatën “Për Shqipërinë Pa Duhan”. Në një intervistë për MAPO-n ai thotë se nenet e reja që janë ndryshuar në ligj nuk do të mbrojnë konsumatorin por do të rrisin mundësinë për korrupsion tek inspektorët.
Parlamenti i Shqipërisë miratoi së fundmi amendamentet në ligjin e duhanit, duke e ashpërsuar atë. A është konsultuar Ministria e Shëndetësisë me grupet e interesit, përfshirë shoqatën që ju drejtoni, përpara se të miratoheshin ndryshimet ligjore?
Më datën 18/7/2019, u votuan në Parlament “Disa ndryshime dhe shtesa” në ligjin Nr. 9636, datë 6.11.2006 “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, më pas u dekretua dhe nga Presidenti i Republikës. Ndryshimet, nuk do të mbrojnë Shëndetin Publik të popullatës, nuk do të ulin tregtinë e paligjshme të produkteve të duhanit, nuk do të mbrojnë të rinjtë dhe personat me të ardhura të pakta nga produktet e duhanit, por, një gjë është e sigurt, korrupsioni nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), do të rritet. Madje kjo është arsyeja që këto propozime “për ndryshime në ligj”, janë bërë direkt nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Me ndryshimet në ligj të datës 18/7/2019, është rritur gjoba për subjektet që nuk zbatojnë ligjin. Gjoba nga 300 000 lekë ka shkuar në 600 000 lekë dhe 1.800.000, për më tepër edhe duke mbyllur aktivitetin e bizneseve për një periudhë kohe për subjektet që lejojnë pirjen e duhanit në ambientet e mbyllura publike. Propozimet për rritjen e vlerës së gjobave nga Inspektorati i Shëndetit, kane vetëm një shpjegim: “Për të lehtësuar “pazarin” midis Inspektoratit dhe subjektit të gjobitur.
A është duhanpirja një faktor risku për sëmundjet apo vdekshmëri. Nëse po cilat janë ato?
Duhani është një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik, me të cilat Shqipëria po përballet sot. Në Shqipëri afro 4 mijë njerëz vdesin çdo vit nga pasojat që shkakton pirja e duhanit dhe në 2030 ky numër do të rritet në rreth 7.500 njerëz. Sipas studimit të OBSH-së për Shqipërinë 20% e të gjitha vdekjeve mbi moshën 30 vjeç i atribuohen duhanit. Një në çdo katër vdekje nga mosha 30 deri 44 vjeç, dhe 1 në 3 vdekje te moshës 45 deri 49 i atribuohet duhanit. Vetëm në vitin 2018 ne kemi pasur 8.294 raste të reja të kancerit, ku vdekshmëria nga sëmundjet tumorale në vendin tonë është 70 %, më e larta në Evropë.
Çfarë mund të na thoni për cigaren elektronike dhe shisha që tashmë ndalohen me ligj?
Në rastin e cigareve elektronike, OBSH nuk është në dijeni të ekzistencës së një serie të gjerë studimesh shkencore, të detajuara , por edhe të shqyrtuara dhe nga kolege të njëjtës fushë që të argumentojnë bindshëm pretendimin se cigaret elektronike janë një ndihmë e efektshme për lënien e duhanit. Duhen të kryhen studime farmako-kinetike të rrepta, prova të sigurisë dhe të efikasitetit dhe shqyrtim e miratim nga autoritetet të rregullimit të barnave përpara se OBSH të konsiderojë këtë teknologji si një mjet për ndërprerjen e duhanit.
Si po zbatohet ligji aktual antiduhan?
Situata aktuale e zbatimit të ligjit ka arritur piken me absurde që pas hyrjes në fuqi të ligjit. Sot vërej me dhimbje që janë krijuar në të gjithë Shqipërinë mjedise të mbuluara me tendë të sipërme të lëvizshme dhe parete anësore që në mënyrë abuzive dhe të kundërligjshme konsiderohen si mjedise duhanpirëse, per subjektet ‘vipa e të fortë” si dhe për “miqtë” e organeve ligj zbatuese.