fbpx

Op Ed

Ligji i PPP si ligji i grabitjes së të ardhurave publike





               Publikuar në : 09:24 - 04/02/19 |
mapo.al

Nga Xhevair Ngjeqari


Kur nga kopshti i popullit/Komandanti nji mollë fut në gurmas/Ushtria e shkul me rënjë nga pas” – Saadiu.



Ligji i Partneritetit Publik-Privat ose ligji i grabitjes së të ardhurave popullore ka nevojë urgjente të reformohet dhe ndryshohet. Ai nuk është i rastësishëm. Të paktën 100 vitet e fundit, duke filluar nga Esat Pashë Toptani themeli i qeverisjes shqiptarëve bazohet në pesë ligje ose pesë aksioma hipokrizie partneriteti. Të cilat kanë ndryshuar në formë, por në përmbajtje janë të njëjta. Qeveritë vijnë në pushtet duke vjedhur votat. Organizojnë qeveri armiqësore me paraardhësit duke përçarë e konfliktuar popullin. Sajojnë ligje të natyrës së partneritetit për të grabitur të ardhurat popullore. Para se të largohen shesin pasuritë kombëtare. Sundojnë pa asnji strategji zhvillimi në vendin dhe popullin më të begatë të Ballkanit dhe Europës, që jeton midis tre kulturave botërore, romake, greke, sllave. Qeveritë vazhdojnë të mbesin monopartiake, që nuk kanë asnji ndryshim nga pashallëqet. Drejtojnë, vijnë dhe ikin pa u përgjigjur për pasojat që lënë pas, ose drejtojnë sipas komandamentit Shvejkut, “Ç’më duhet mua, çfarë bëj unë”.


Cili është qëllimi dhe interesi publik i ligjit

Ligji i Partneritetit Publik-Privat është nji plan i hapur i grabitjes të ardhurave popullore. Ai nuk është pjesë e zhvillimit strategjik të vëndit, ndërton me dhunën e pushtetit objekte me interesa të vonuar ekonomikë, krijon nji borxh të zgjatur të ekonomisë vendore, nuk lejon zhvillimin harmonik të vendit të paktën 25 vitet e ardhshme, nuk lejon, nuk nxit apo stimulon të evidentohet asnji pasuri shkencore natyrore apo materiale vendore dhe drejtohet nga grupe të caktuara të divanit pushtetit. Këto janë thënë disa herë në forma të ndryshme nga specialist brenda dhe jashtë vendit. Bllokimi koncesioneve të pakërkuara deri, apo mbas korrikut 2919, nuk shfuqizon ligjin famëkeq dhe antipopullor të partneritetit. Publiku nuk ka asnji interes dhe nuk sheh asnji perspektivë nga veprat dhe bëmat e partneritetit. Qeveria aktuale erdhi me bujën e fisnikërisë, se do të rilindte shqiptarët, ose do të krijonte nji model të ri jetese, që nënkuptonte nji BUM ekonomik dhe se do të formonte njeriun e ri të së ardhmes. Megjithëse këto janë ide të vjetra, që nga lajthitjet e Nolit apo logjet e socializmit se Bar do hamë dhe Moralin nuk e shesim, u pritën me gëzim dhe u mbështetën me votime. Por me kostot e Unazës re, (e cila nuk kushton më shumë se 26 milionë Euro) dhe koncesionet e partneritetit, qeveria aktuale ka filluar grabitjen e hapur të financave publike. Duke vënë në themel të ekonomisë, ligjin famëkeq të Partneritetit Publik-Privat. Overtura ose inaugurimi i të cilit filloi që nga Check-UP.. mjekësor. Ligji i Koncesioneve dhe Partneritetit Publik-Privat është hartuar dhe miratuar më datën 25.4.2013.nga qeveria dhe kuvendi partisë demokratike. I firmosur nga J. Topalli. Ligji i jep kompetenca pa kufi qeverisë të bashkëpunojë, financojë, pronësojë, aktivitetin privat për çfarëdo kërkese, mirëmbajtje apo ndërtimi që miraton qeveria .Gjatë katër viteve të fundit janë bërë disa shtesa dhe amendime, të cilat shtojnë dhe forcojnë kompetencat qeveritare mbi transformimin e pasurive vendore në bashkëpunim me privatin. Në parim Ligji barazon Thesin e Popullit, që administrohet nga qeveria, dhe Trastën e Privatit, për çfarëdo investimi, studimi, projekti, mirëmbajtje, menaxhimi, që kërkon të realizohet nga privati në interes të vendit. Madje në ligj theksohet se privati nuk duhet trajtuar me diskriminim. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe.

Cilat janë zullumet e ligjit

Qeveria ka të drejtën ligjore të realizojë kombinime të formave koncesionare, me kontratat e partneritetit dhe ka të drejtë të përcaktojë të financojë pa kufi privatin, me të gjitha format e pagesave në monedhë, qira, pronësi, ka të drejtë të kombinojë kërkesat e pakërkuara me koncesionet, ka të drejtë që çfarëdo kërkesë të privatit për investime, t’i quajë objekte strategjike të pakërkuara dhe t’i financojë pa asnji pengesë realizimet e tyre, pavarësisht pasojave dhe dëmet ekonomike etj. Ky ligj e kthen pasurinë shqiptare si pronë ose pashallëk ekskluziv të qeverisë provizore. Financimet e fryra të projekteve të partneritetit janë produkt i këtij ligji. Ato dëshmojnë për mungesën e kontrollit dhe transparencës, duke justifikuar korrupsionin e hapur si nji formë bashkëpunimi bazuar në ligjin e partneritetit. Kjo është e vërtetë, ligji i partneritetit i jep kompetenca të pakufizuara qeverisë për të bashkëpunuar me privatin. Duke iu referuar eksperiencave të paraardhësve, qeveria filloi fazën e grabitjes popullore. Sipas trashëgimisë qeveritare 100-vjeçare të shohim çfarë do të shesë në fundin e saj. Sipas qeverisë ky është nji model i ri ekonomik, i cili në parim bazon të ardhmen e vendit në bashkëpunimin midis shtetit dhe privatit. I përkufizuar me termin bukurosh*Partneritet*, ai ligjëron privatizimin dhe veprimtarinë pa kufi të privatit, në të gjithë fushat e ekonomisë vendore. Ndërsa specialistët shprehin të kundërtën. Duke theksuar se pasojat dhe dëmet ekonomike të interpretimit ligjit, janë epidemike për varfërinë vendore …..Për të hedhur dritë mbi prurjet e gabuara, korrupsionin dhe pasojat e bashkëjetesës me ajengun e bashkëpunimi me privatin, do të evidentojmë çfarë përfaqëson ligji i partneritetit, fushat e aktivitetit, kompetencat etj.

Përse ndodhin këto abuzime

Ligji i partneritetit është dëshmi e qartë e epidemisë 100-vjeçare të varfërisë popullore. Ai nuk zbatohet apo nuk reformohet pa aprovimin e komandantit qeverisë. Ligjin e partneritetit e kanë hartuar qeveria dhe parlamenti i qeverisë para rilindjes. Si duket demokratët e hartuan me mendimin se nuk do të largoheshin nga pushteti dhe të boshatisnin vendin. Qeveria aktuale nuk e hodhi në koshin e plehrave ligjin e partneritetit, por filloi ta përdorë si hajmali duke iniciuar disa projekte infrastrukturore. Ne mendonim se qeveria aktuale do të shkëputej nga trashëgimia 100-vjeçare e grabitjes së pushtetit dhe të ardhurave popullore, por skemat, kostot, taksat dhe konfliktet që prodhon administrata e tij dhe ligji i partneritetit nuk i shërbejnë popullit që e pruri në pushtet. Për të kuptuar se me kë ngjason traseja e qeverisjes së rilindjes po sjellim në kujtesë pasojat antikombëtare të kryeministrave paraardhës. Në vitet 2004 lideri historik i socialistëve dha me koncesion ndërtimin e aeroportit të Rinasit. Duke i dhënë ekskluzivitetin ose duke i shitur e Qiellin e Shqipërisë, kompanisë gjermane e cila për 20 vjet nuk lejonte asnji fluturim në Qiellin vendor pa u paguar për pronësinë hapësirës. Por Qielli nuk është i Rinasit. E vetmja që botoj nji artikull mbi shitjen e hapësirës ishte gaz. Panorama.. Duke torturuar shqiptarët të udhëtojnë me biletat më të shtrenjta në rajon. Nga llog. e auditimit rezulton se komp. gjermane, ka përfituar mbi 84 milionë Euro, nga fitimi i planifikuar. Po flitet se komp.do t’i kthejë .Ato duhet t’u kthehen atyre që kanë fluturuar. N.q.s. do t’i kthehen shtetit, nënkupton se grabitja e udhëtarëve nuk është kryer vetëm nga komp. gjermane por në bashkëpunim me shtetin. I cili nji herë grabiti popullin kur shiti Qiellin, ndërsa tani po shteti do të vjelë tejngopjen e përfitimeve. Qeveria e zgjatur demokratike e mbylli karrierën më nji votë masive urrejtje popullore, kundër saj. Zullumet e saj janë të panumërta. Po rendisim më kryesoret. Në Fier ishte ndërtuar nji TEC cilësor. I cili duke u furnizuar nga gazsjellësi TAP, do të prodhonte energji pa ndotur mjedisin. Morën 100 milionë Euro borxh dhe ndërtuan nji TEC të ri në bregdetin ranor të Pyllit Sodës. Vetëm për të shkatërruar turizmin në gjirin e Vlorës ose në gjirin më të bukur të Mesdheut. TEC-i nuk ka punuar dhe nuk do të punojë asnjëherë. Aty ndërtuan dhe nji port me thellësi h=6 m…..Ndërsa në frontin më turistik të Durrësit, ndërtuan nji të ashtuquajtur port peshkimi. Me qëllim që të shkatërronin imazhin turistik të qytetit…..Në vijim bllokuan ndërtimin me financime private projektin e vetëm të pa kërkuar, pa asnji detyrim ekonomik nga shteti, të autostradës Vaqar-Baldushk–Papër dhe e ndërtuan me paratë e popullit, 5 herë më shtrenjtë autostradën Tiranë– Elbasan. E cila nuk dihet sa dhe kur do të përfundoj dhe sa do të kushtoj. Për të qëndruar në pushtet vranë 4 qytetar në bulevard dhe para se të largoheshin i shitën Greqisë, zonën më të vyer të pozicionit gjeografik të Shqipërisë ose Gjysmën e Otrantos. Ndërsa para lamtumirës hartuan ligjin e Partneritetit Publik-Privat. I cili në mënyrë popullore mund të përkufizohet si ligji i litarit të zgjatur të lugatit për të grabitur dhe shtrënguar lakun e varfërisë popullore.


Etiketa: , , , , ,

Pas