Kryesore

Ligji i ri: Ministria shton kontrollet për kripën e jodizuar






               Publikuar në : 09:05 - 20/09/19 |
mapo.al

Synohet ulja e pamjaftueshmërisë jodike në popullatën shqiptare, si një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve si struma dhe prapambetja mendore


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka shpjeguar në Komisionin e Shëndetësisë se me ndryshimet e reja ligjore do të shtohen kërkesat për gjurmueshmërinë e kripës për konsum human, shtazor dhe përdorim në industrinë ushqimore. “Për herë të parë futet në ligj koncepti i gjurmueshmërisë së kripës i cili u kërkon subjekteve tregtuese të ruajnë informacion për të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit, jodizimit dhe shpërndarjes së kripës”, ka shpjeguar Manastirliu.  Duke theksuar se aktualisht 75 % e kripës së jodizuar prodhohet në vend, Manastirliu tha se është më e lehtë për institucionet monitoruese dhe inspektuese që të ushtrojnë një numër më të lartë kontrollesh dhe në këtë mënyrë kemi më shumë garanci që kripa që hidhet në treg është e jodizuar sipas standardeve. Ndryshimet ligjore që propozohen vijnë si rekomandim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. “Do të forcojmë instrumentat e kontrollit dhe monitorimit në mënyrë që kripa që del në treg të jetë sipas standardeve. Testimi për kripën e jodizuar do të bëhet në laboratorë të standardizuar dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë për shkeljet në nivelin, cilësinë dhe ambalazhimin e kripës së jodizuar”, tha Manastirliu.



Jodi

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Enkelejda Kadiu foli në një intervistë për ATSH-në, mbi rëndësinë e këtij ligji dhe problemet që sjell në shëndet mungesa e jodit. “Vendi ynë është një vend me pamjaftueshmëri jodike goxha të lartë. Mungesa e jodit në organizimin e njeriut sjell hipoteroizmin i cili sjell probleme të tjera, gushën hendemike, problemet shëndetësore janë shumë të mëdha”, tha ajo. Sipas Kadiut, risia është pjesa e kontrollit dhe monitorimit. “Do të rregullohet pjesa e kontrollimit, monitorimit, kjo është një risi. Gjurmimi do të bëhet në pikat doganore dhe pastaj do të vazhdojë në pikat e tjera të prodhimit, atë të importit se mund të kemi edhe pikat e importit dhe kemi magazinim dhe së fundmi në pikat e tjera të shitjes që mund të jenë me shumicë dhe pakicë”, theksoi ajo. Në projektligj parashikohen disa nene të veçanta mbi operatorët të cilët bëjnë importimin e kripës së pajodizuar ose prodhimit. “Do të ketë identifikim të përqindjes së jonizimit në kripë. Kjo është shumë e rëndësishme pasi jodi largohet nga kripa shpeshherë. Duhet të kemi parasysh që nëse përqindja e jonizimit mund të jetë 40 deri në 60 për qind në prodhim, në familje vjen me 20 PPM. Pra, kemi një ndryshim. Jodi largohet me hapjen e kripës, me paketimin jo të mirë, me kushtet e magazinimit. Kjo gjurmueshmëri do të lejojë që edhe kushtet e magazinimit do të kontrollohen dhe prodhimi dhe familjarët kur ta marrin kripën të kenë një nivel maksimal të saj”, sqaroi Kadiu.

Ligji

Vendoset për herë të parë elementi i gjurmueshmërisë së kripës në të gjitha etapat e prodhimit, shpërndarjes, deri në mbërritjen te konsumatori, për të patur konsum 100% të kripës së jodizuar.  Synohet ulja e pamjaftueshmërisë jodike në popullatën shqiptare, si një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve si struma dhe prapambetja mendore. Kontroll i rreptë në dogana, pika prodhimi dhe shitje nëpërmjet gjurmueshmërisë së kripës deri në mbërritjen te konsumatori. Sipas ministres, të gjitha llojet e kripës ushqimore, që përdoren për konsum shtëpiak dhe për përpunim ushqimi, duhet të pasurohen me jod si strategji e efektshme dhe e sigurt për parandalimin dhe kontrollin e çrregullimeve nga pamjaftueshmëria jodike te ato popullsi, që jetojnë në kushte të qëndrueshme dhe emergjence. Me ndryshimet ligjore, synohet ulja e pamjaftueshmërisë jodike në popullatën shqiptare, si një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve si struma dhe prapambetja mendore. Studimit Demografik Shëndetësor 2017-2018 tregoi që 65% e familjeve përdorin kripë të jodizuar sipas standardeve (>15ppm). Aktualisht, MSHMS dhe Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me UNICEF po marrin masa për të zbatuar një studim kombëtar te fëmijët dhe gratë shtatzëna për të matur nivelin e jodit te këto grupe të popullatës.


Etiketa: , , ,

Pas