Ekonomi

Ligji për kadastrën/ Goditja e dytë, legalizohen zaptuesit, pronarët në rrugë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:06 - 13/05/20 |
mapo.al

Pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut që la në fuqi mënyrën e kompensimit sipas ligjit të vitit 2015, një tjetër goditje ka ardhur për pronarët. Bëhet fjalë për ligjin e kadastrës, me anë të të cilit qeveria pritet të legalizojë 1 milion parcela me ndërtime të paligjshme. Kjo do të thotë humbje përfundimtare e të drejtës së pronarëve të ligjshëm për të kërkuar kthim të pronës. Bëhet fjalë për ndërtim në zona informale, kalim në pronësi të trojeve të fshatrave turistike, apo të atyre që kanë marrë prona shtetërore me qira. Juristët: Ligj i ngjashëm me atë të vitit 1945 kur u kryen shpronësimet


Ndërkohë që pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, duket se pronarëve të ligjshëm do u zhvlerësohet dukshëm prona, një tjetër goditje i ka ardhur atyre nga qeveria shqiptare. Bëhet fjalë për ligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, i cili kaloi në fillim të marsit me 94 vota të mazhorancës.


Nga ky ligj përfitojnë dhe ata që kanë ndërtuar pas vitit 2014, kur ishte dhe afati i fundit për legalizimet në zonat informale, të cilat janë kthyer në tokë truall por pronarëve u njihen si tokë bujqësore. Rregjistrimi i këtyre pronave në hipotekë, bën që të humbasë përfundimisht e drejta e pronarëve të ligjshëm për të kërkuar kthimin e pronës.


Specialistët e fushës shprehen për MAPO se legalizimi masiv që pritet të ndodhë në bazë të këtij  ligji është një tjetër shpronësim që po u bëhet pronarëve. Sipas tyre këtu ndërthuren shumë interesa, duke filluar nga ato elektorale, të pushtetit, ekonomike etj.


“Në rast se regjimi komunist ia sekuestroi tokën nën moton “Toka i takon atij që e punon” ky ligj përdor moton “toka i takon atij që e zapton””, shprehen specialistët.

Ligji i jep fuqi të jashtëzakonshme Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që do drejtohet nga kreu aktual i ALUIZNIT Artan Lame, ku pritet të legalizohen dhe rregjistrohen në hiptekë pronat e 120 mijë familjeve në fshat të cilat kanë përfituar nga ligji 7501, dhe 1 milion parcela ndërtimore në zonat informale rreth qyteteve ku individë të ndryshëm kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme.

Të vetmit që përjashtohen në këtë rast janë pronarët që qeveria u ka lënë Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe ligjin e vitit 2015, që truallin e ndërtimit apo dhe tokën në bregdet e njeh si tokë bujqësore dhe e kompenson me çmime deri në 10 apo 15 herë më të ulët se vlera reale.

Përfituesit
Por kush përfiton nga ligji i miratuar në fillim të marsit të këtij viti, vetëm një vit përpara zgjedhjeve të përgjithshme? Çdo individ që ka kryer një paligjshmëri apo që ka përfituar nga një ligj i padrejtë dhe abuziv siç ka ndodhur rëndom në këto vjet, është subjekt përfitues i tij. Pra, flitet për ato subjekte që kanë zaptuar toka dhe kanë bërë ndërtime në çdo cep të vendit në mënyrë të paligjshme.

Persona që kanë përfituar toka në bazë të ligjit 7501, ata që kanë ndërtuar fshatra turistike në bregdet duke i marrë me qira dhe tashmë i lind e drejta të bëhen pronarë të truallit. Personat e “stimuluar” që kanë ndërtuar për qëllime përfitime objekte në zonat turistike apo kanë marrë ndërtesa shtetërore me qira me çmime qesharake, por që nuk zotëronin pronësinë mbi tokën. Pra me pak fjalë, të gjithë ata që kanë krijuar mishmashin e pronave në këto 30 vjet, përfitojnë dhe bëhen pronarë.

“Të vetmit që nuk përfitojnë nga e gjithë kjo histori janë pronarët e ligjshëm, ata që duhet të bredhin nga një gjykatë në tjetrën”, thonë specialistët e fushës.

Madje në bazë të këtij ligji, nuk është çudi të përfitojnë dhe ata persona që janë trajtuar me tokë në fshat në bazë të ligjit 7501, por për arsye të ndryshme kanë zbritur në qytete dhe kanë zaptuar toka dhe kanë bërë ndërtime. Kjo sepse, ligji në fjalë por dhe çdo lloj ligji nuk ka parashikuar se çfarë bëhet në raste të tilla.

Kjo për arsye se pjesëtarë të tokës kanë qenë shumë persona ndërsa pronar i ndërtesës është vetëm një prej tyre. Paçka se qoftë toka në fshat dhe ajo në qytet mund të jenë të pronarëve të ndryshëm që nuk kanë përfituar asgjë.

Pronarët e ligjshëm
Në fakt çështja e pronave ka qenë një gangrenë e vazhdueshme për çdo qeveri, e cila në jo pak raste ka penguar dhe investimet për shkak të konflikteve që kanë pasur individët nëpër gjykata. Por qeveria Rama, po e mbyll gjithçka në favor të paligjshmërisë, shprehen juristët e fushës.

“Ky është megalegalizim i paligjshmërisë, e vetmja që qëndron jashtë kësaj afere janë vetëm pronarët e ligjshëm, të cilët duhet të trajtohen me ligjin diskriminues të vitit 2015. Janë ata që duhet të shohin se si në pronat e tyre që dikur kanë qenë uzina apo ndërmarrje shtetërore, sot apo nesër do ndërtohen kulla shumëkatëshe, dhe ata s’do përfitojnë asgjë, ose do trajtohen nga shteti me çmimet e tokës bujqësore, ndërkohë që apartamentet shiten me 1 mijë apo më shumë euro metri”, thonë ata.

E njëjta gjë do ndodhë dhe me pronarët e bregdetit, të cilët nuk do trajtohen në bazë të vlerës së tokës por në bazë të asaj çka përcakton ligji i lënë në fuqi tashmë dhe nga gjykata e Strasburgut.

“Duhet ta pranojmë që të gjitha qeveritë kanë pasur probleme me ish-pronarët, që nga viti 1990, por sërish në rast se s’kanë mundur t’ia kthejnë sërish ia kanë njohur si borxh. Për shembull, për 200 metra tokë kanë marrë dhe 18 milionë lekë të rinj, ndërsa pjesa tjetër mund t’i jetë njohur si kompensim fizik”, shprehen të njëjtat burime juridike.

“Ky ishte përfundimi më i keq i mundshëm, që s’ka asnjë precedent tjetër” thonë juristët.

Kompensimi
Por për të dhënë një shembull më të qartë se sa është vlera financiare po bëjmë një krahasim të hartës së vlerës së tokës truall me atë të tokës bujqësore, siç parashikon ligji më të cilin do trajtohen pronarët. Në zonën e Tufinës, fjala vjen në momentin e shpronësimit zëri kadastral ka qenë tokë bujqësore, ndërkohë që tani është mbushur me ndërtime dhe është kthyer në tokë truall.

Aktualisht në rast shpronësimi, pronari i një ndërtimi të legalizuar në këtë zonë do paguhej jo pak por 23.730 lekë për metër katror. Pra për një sipërfaqe prej 1000 metra katrorë do përfitonte rreth 23.7 milionë lekë të rinj. Pronari i ligjshëm, pra ai që nuk e ka zaptuar tokën trajtohet me çmimin e tokës bujqësore, që në qarkun e Tiranës nuk e kalon shumën e 660 lekëve. Pra për të njëjtën sipërfaqe ai merr vetëm 660 mijë lekë, dhe kjo jo e gjitha.

Në rast se pranon t’i marrë të gjitha këstet njëherësh në dorë, ai merr vetëm 20% të kësaj vlere me kusht që të heqë dorë nga pjesa tjetër. Pra diçka më shumë se 130 mijë lekë. Por, gjithsesi, në asnjë rast dhe sikur të presë ai s’mund të marrë më shumë se 40 për qind të vlerës, pra diçka më shumë se 260 mijë lekë në total.

Për një sipërfaqe që shteti atij që ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme i jep në dorë 230 milionë lekë të vjetër. Akoma më të lehtë e kanë masën e kalimit në pronësi ata që kanë ndërtuar fshatra turistike në bregdet, apo dhe ata që kanë investuar në tokat e marra me qira për shuma qesharake, të cilët në disa raste mund ta marrin tokën në pronësi pa shpërblim.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas