Aktualitet

OSBE kundër paketës antishpifje: Cenon lirinë e shprehjes






               Publikuar në : 17:52 - 11/07/19 |
mapo.al

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, publikoi sot një analizë ligjore të Projektligjit për Shërbimet e Medias në Shqipëri, pas disa konsultimeve mbi procesin e hartimit me përfaqësuesit e qeverisë në muajt e fundit. Duke u ndalur te paketa antishpifje e miratuar pak ditë më parë nga qeveria, OSBE vëren kompetencat e shtuara për AMA-n, duke theksuar se ky institucion nuk mund të vihet në rolin e Gjykatës, për të vënë gjoba dhe bllokuar artikuj në internet.


Madje, OSBE këshillon që AMA të mos ketë të drejtë të trajtojë rastet e shpifjes në media. Goditje e fortë kundër paketës antishpifje është edhe pjesa kur OSBE tregon rastet dhe kushtet se kur një publikim elektronik duhet konsideruar në shkelje të rregullave morale dhe ligjore.

“Analiza ligjore thotë se rregullimi i versioneve elektronike të medias së shkruar, dhe më gjerë i “ofruesve të shërbimeve elektronike të botimit” nuk duhet të jetë i njëjtë me atë të shërbimeve të mediave audiovizive. Rekomandohet që të përjashtohen nga fushëveprimi i këtij projektligji. Përfaqësuesi kujtoi se bllokimi ose pezullimi i botimeve në internet konsiderohet një masë ekstreme e shtetit kundrejt të drejtës së lirisë së shprehjes dhe për këtë arsye pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të njeriut ose parimeve demokratike, ose kur masa të tjera nuk mund të zbatohen”, thuhet në analizën e OSBE.

“Përfaqësuesi vuri në dukje se kompetencat e AMA-s lidhur me “bllokimin e përkohshëm / kufizimin e aksesit në internet” mund të zbatohen vetëm në tre rastet e qarta të përcaktuara në ligj: pornografia e fëmijëve; inkurajimin e akteve terroriste; dhe shkeljet e sigurisë kombëtare dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt”, vijon më tej analiza e Dr. Joan Barata Mir, një ekspert i pavarur për lirinë e medias.

Gjithashtu, ai theksoi se “Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), rregullatori i mediave audio-vizuale nuk duhet të jetë zëvendësim i gjyqësorit të pavarur apo mekanizmave të duhur vetërregullues për çështjet e lirisë së shprehjes”, duke shtuar se kjo vlen edhe për bllokimin për përmbajtjen, gjobat për shkelje të ligjit dhe modalitetet e së drejtës për t’u përgjigjur.

Analiza ligjore thotë se rregullimi i versioneve elektronike të medias së shkruar, dhe më gjerë i “ofruesve të shërbimeve elektronike të botimit” nuk duhet të jetë i njëjtë me atë të shërbimeve të mediave audiovizive. Rekomandohet që të përjashtohen nga fushëveprimi i këtij projektligji.

Megjithatë, ai nënvizon më tej përmirësime të dukshme krahasuar me versionet e mëparshme të cilat janë shqyrtuar dhe ndarë me autoritetet në janar dhe qershor të këtij viti.

Raporti i plotë i OSBE


Etiketa: , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas