Shumica socialiste ka ndërmarrë nismën për të miratuar një projektligj që kufizon kompetencat e Presidentit, por çfarë mendon Ilir Meta për këtë lëvizje?
I pyetur mbrëmjen e sotme në emisionin “Log” në “ABC” përballë gazetarit Endri Xhafo, kreu i shtetit u shpreh se nuk merret me ligjet e tyre, referuar shumicës. Ai tha se Presidenti është i popullit, jo parlamentit, ata nuk kuptojnë gjë fare.
“Presidenti ka qenë tepër korrekt edhe për ministrat, të vetmet probleme kane qenë me Lleshajn që ishte ushtarak, ata thanë se nuk ishte, nuk ka probleme, kur presidenti insistoi ministrja solli dekretin për ta liruar. Dhe të dekretonte presidenti një ministër me gradën gjeneral, ky fakt do ishte i mjaftueshëm që presidenti të jepte dorëheqjen, ishte një provokim i poshtër, më e thellë sesa mendoni.
Me rastin e Cakajt, një njeri nuk mund ta bësh ministër të jashtëm që presidenti s’e ka takuar asnjëherë dhe opinioni nuk e njeh dhe ne kemi këto probleme me Greqinë, që është tepër delikate, që kërkon një nivel të lartë për t’u menaxhuar dhe ky njeri ka bërë një deklaratë që liste për cështjen e kufijve, dhe politika e Shqipërisë nuk ka ndryshuar, le të përpiqet kush të dojë, që Shqipëria të bëhet sebep për luftëra në Ballkan. Me ligjet e këtyre nuk merrem. Problem janë ato ligjet që e kanë çuar borxhin 80%” tha ai.
Ndalur te procesi i integrimit të Shqipërisë, Ilir Meta tha se me pozicionin që ndodhet sot vendi, i vjen turp. “Ku jemi sot, më vjen turp nga vetja ime në radhë të parë dhe fëmijët e mi, ku jemi ne sot, Serbia ka çelur negociatat dhe ky po ia mohon Shqipërisë, Mali i Zi ka 8 vite” tha Meta.
Referuar djegies së mandateve nga opozita, ai tha se ndoshta një ditë do të publikojë mesazhet që i dërgoi Monika Kryemadhit, që drejton LSI-në, e cila iu bashkua vendimit të Lulzim Bashës. “Ndoshta një ditë do i publikoj mesazhet që i kam dërguar kryetare së LSI-së nga Gjermania, nuk lihet fusha bosh, kurrë, gjithë këto ligje që janë bërë, kush do i paguajë? Edi Rama, në fund do të thotë ja ku e kam kartelën, do të thotë unë jam i papërgjegjshëm, vetëm më bëtë, kështu do të thotë ai” deklaroi ai.