Gjykata e Tiranës dha sot masën e sigurisë “arrest me burg” për tre banorët e Astirit të arrestuar tre ditë më parë nga policia.
Ilir Katiraj, Gramoz Shehu dhe Skënder Doda akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Avokati i tyre tha se ky është një vendim politik. Edhe ish-deputeti i PD, Klevis Balliu shprehu të njëjtën gjë.
“Gruaja e Bilalit, nuk ka njeri në Shqipëri më frikacak se ai. Ky kriminel do marrë zvarrë. Kjo është protestë qytetare, jo protestë e PD. Do të tërhiqemi për vendim sesi do të reagojmë ndaj këtij pushtuesi dhe krimineli. Ndërkombëtarët të mbajnë qëndrim. Po mohohet e drejta për të protestuar. Këta janë qytetarë, nuk janë politikanë”, u shpreh Balliu.
Para gjykatës ishin mbledhur dhjetëra banorë të Astirit në mbështetje të tyre.
Ndryshimet e reja në kodin penal, ku për bllokim të akseve rrugore dënohesh deri në 3 vite burg, duket se do të nisin të implementohen mbi banorët e “Unazës së Re”.