Kancelarja Merkel ka kritikuar vendimin e Twitter, për të ndaluar Presidentin Trump duke e konsideruar problematik dhe kërcënues për lirinë e shprehjes. Twitter pezulloi llogarinë e Trump javën që kaloi pas protestave të ashpra që sollën cënimin e ndërtesës së kongresit. Facebook ka marrë të njëjtat masa ndaj Trump.
Por Kancelarja gjermane, përmes zëdhënëses, ka thënë se qeveria amerikane duhet të ndjekë shembullin europian, për miratimin e ligjeve dhe rregullave për publikimet on-line, në vend se t’ia lërë vendimmarrjen dhe politikëbërjen Tweetter-it dhe Facebook-ut.
Kjo ka sjellë edhe një herë në skenë diferencat mes Bashkimit Europian dhe SHBA lidhur me platformat on line dhe mediat sociale.
Europa ka vendosur të miratojë rregullore, ndërsa SHBA e ka lënë në dorën e pronarëve të këtyre mediumeve.
Kjo ka bërë që sot aksionet e Twitter të bien me 7 përqind.
Zëdhënësja e Merkel është shprehur se liria e shprehjes është fondamentale dhe mund të kufizohet vetëm nga ligji dhe Kushtetuta, dhe jo nga menaxherët e një platforme.
Qendrimet e Merkel janë mbështetur edhe në Francë.
Madje edhe kundërshtari i Putin, Alexei Navalny ka kritikuar masat e dy platformave më të mëdha në rrjetin social. Sipas tij, ky akt mund të përdoret nga Kremilini për të censuruar e ndaluar zërat kritikë.
Ai ka shkuar edhe më tej, duke thënë se duhet transparencë dhe duhet të njihen në publik emrat e personave që e kanë marrë këtë vendim.
Ai shton pyetjen, nëse Kushtetuta e Amerikës, është më e rëndësishme se një dokument i një bordi të një kompanie.
Etiketa: facebook, merkel, Trump, Twetter