Gjykata e Apelit Tiranë ka liruar sot nga qelitë dy bashkëpunëtoret dyshuara të Tire Alldervishit, infermieren Sidorela Çela dhe sanitaren Rukije Hoxhaj.
Ndaj të arrestuarave për “Shpërdorim detyre” dhe “Mashtrim” kundrejt të sëmurëve me Covid-19, është vendosur masa “Detyrim paraqitje”.
Mapo mëson se prokuroria ka kërkuar që të lihet në fuqi dënimi me burg, pas ende po kryhen hetime në lidhje me këtë çështje. Por sipas avokates së infermieres Çela, Antoneta Sevdari, prokuoria nuk ka pasur asnjë provë deri më tani dhe gjykata e ka vlerësuar të paligjshëm ndalimin e tyre.
Sidorela Çela, një nga tre infermieret e arrestuara të spitalit “Shefqet Ndroqi” për zhvatje, u shfaq më 10 shkurt, në dhomën e të pandehurve, me lot në sy dhe me kokën ulur. Ajo u shpreh para trupit gjykues se ka dy fëmijë të mitur në shtëpi, përkatësisht 2 dhe 7 vjeç, për të cilët i duhet të kujdeset.
Ndërsa sanitarja Rukija Hoxhaj, po në të njëjtën ditë, deklaroi se nuk ka mashtruar asnjë pacient në këmbim të parave. “Tirja s’mund të më bëjë shoqe me vete. Kam 37 vjet që punoj me ndershmëri”, – u shpreh Rukija në Gjykatë.
Për dy të pandehurat e tjera, Mira Buri dhe Sheqerije Koçi, gjykata nuk e ka pranuar kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, me pretendimin se nuk kanë pasur dokumentacion të plotë.
Risjellim në vëmendje se sanitarja Rukije Hoxha dhe infermieret Sidorela Çela, Mira Bushi e Sheqerie Koçi u arrestuan fill pas denoncimit publik të vajzës së një pacienteje me Covid-19, se Tire Alldervishi i zhvati 8 milionë lekë të vjetra nën premtimin se do të kujdesej për të ëmën.