Nga Zef Zefi
Sipas burimesh serioze, mediat pranë “rilindjes” dhe tERt-vision, Ministri Sander me 007-t e tij liroi nga burgu i ISIS Alvinin, të cilin e zbuluan dhe rajonizuan “le Iene”.
Nuk ka asnjë arsye të mos jetë e vertetë, siç mund të jenë nga ana tjetër njëmijë arsye të tjera që mund të deduktojnë dyshime.
Sidoqoftë i tha kr/M ik bëje. Ministri vajti atje tek lufta dhe e bëri.
“Le Iene” bënë punën e tyre. Kr/M ynë dhe sidomos Ministri bënë të tyren. Gjithkush punën e vet. “Llafet e tjera dhe sidomos ndokush që kërkon të marrë merita, janë thjesht fukarallëk”, -ua këput kr/M komentuesve që guxojnë të vënë në dyshim heroizmin e “fajkonjve” tanë.
Le të rrimë në versionin, “I lumtë Sandrit” për të këqyrur një rast jo pak analog.
Fiks para dy vjetësh, Tetor-Nentor 2017, “Le Iene” investiguan e lançuan një rast të ngjashëm në Bulqizë. Tronditës hiç më pak.
Fëmijë, shumë fëmijë të Bulqizës kishin humbur të drejtën për të jetuar fëmijërinë. Kjo sepse SIZ (sekti i zi) i kishte burgosur në skllavëri. Ky ishte pak a shumë alarmi dhe konkluzioni (pa SIZ) i tv përtej Adriatikut.
Kr/M, atëherë kërceu përpjetë si ta kish picku dreqi në vend të keq. U ngrit nga Surreli e vajti në Bulqizë. Mori tERt-tv me vete dhe i kanosi nga Bulqiza me femijë të lumtur, kazanin-kadri italian “Le Iene”. Tha se atë emision po dhe tv e kanë falsifikuar këta të shqupit me video të kohës kur qeverisnin vetë.
“Le Iene” e rimorën faktin dhe e sqaruan, kohën, orën, vendin, ku u faktua që skllevërit e vegjël të Bulqizës ishin të burgosurit e qeverisë së rilindjes.
Nga ana e tyre gazetarët e atij emisioni dhe redaktorët njoftuan opinionin se e mirëprisnin me shumë respekt ballafaqimin e fakteve që posedon kr/M i Surrelit, për të rrëzuar faktet që ata kishin emetuar.
Kr/M mbeti keq, kur pa se hienat e informacionit italian nuk janë si delet e shtypit shqiptar që përtypin lajme të paketuara nga zyrat e tij, mbllaçiti një “mea culpa” me gazetarët e huaj. Shau ndihmësit e vet për shtrembërim “synoptikash” dhe s’ja bëri syri tërr…, prej dy vjetësh. Gjë që do të thotë se sot e kësaj dite fëmijët e Bulqizës vazhdojnë me qënë peng atje në burgun e mungesës së fëmijërisë, pa qoftë një aksion minimal për lirimin e tyre.
Sigurisht të gjitha krahasimet çalojnë, siç mund të çalojnë dukshëm edhe sensibilitetet. Po një gjë çudit fort e vë në krizë dhe më indiferentët:
“Le iene” shkundën politiken, institucionet dhe organizmat e vendit të tyre dhe mbarë botës për Alvinin tonë me të njejtin alarm e profesionalizëm, siç ndodhi po për fëmijët tanët në Bulqizë përpara dy vjetësh. Kurse ndryshimi është tek receptorët dhe reagimi dy standartësh i Kr/rilindasit, nëse eshtë e vertetë se Ministri ynë i Brendshëm liroi Alvinin.
Gjithësesi bashkë me pergëzimet dhe besimin e madh për Ministrin Sandër, meqë ua mori dorën këtyre aksioneve, të mos i shpërndajë “fajkonjt”. Po me një “blitz” të rrufeshëm si Alvinin, të çlirojë dhe femijët e Bulqizës.