fbpx

Aktualitet

Lista e KLP, tre kandidatë në garën për Kryeprokuror (EMRAT)





               Publikuar në : 14:03 - 29/10/19 |
mapo.al

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi sot përfundimisht tre kandidatët në garë për Kryeprokuror, përkatësisht Marku, Memçaj, Çela. Në faqen zyrtare të KLP-së ka dalë njoftimi për mbledhjen e sotme ku thuhet: “Eshtë miratuar lista me emrat e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të cilët plotësojnë kushtet ligjore pas vlerësimit paraprak. Në mbledhje munguan Besnik Cani dhe Nurihan Seiti”.


Në këtë garë renditja e emrave të garuesve është shumë e rëndësishme pasi në bazë të Kushtetutës, në rast se Kuvendi nuk zgjedh me shumicë votash njërin prej tre kandidatëve, atëherë KLP emëron kandidatin i cili është renditur i pari në klasifikimin.



Por deri në dërgimin e emrave  në Parlament ka edhe një etapë tjeter, është intervista me gojë e secilit prej 3 kandidatëve.


A do të ndryshojë renditja e tyre deri më 13 Nëntor? Kjo mbetet për tu parë se çfarë vendimi do marrë KLP-ja.

Deklarata e plotë për mbledhjen e ditës së sotme:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar sot në mbledhjen e radhës e zhvilluar në sallën e mbledhjeve në Prokurorinë e Përgjithshme listën me emrat e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të cilët plotësojnë kushtet ligjore pas vlerësimit paraprak. Mbledhja është mbajtur në praninë e 9 anëtarëve dhe në mungesë të anëtarëve Besnik Cani dhe Nurihan Seiti.

Në bazë të nenit 148/a të Kushtetutës, të nenit 22 të ligjit nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe nenit 17/pika 4 të rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi miratimin e listës me emrat e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të cilët plotësojnë kushtet ligjore sipas rendin alfabetik si më poshtë:

  1. Arta Marku
  2. Fatjona Memçaj
  3. Olsian Çela

Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, njofton se në datën 13 nëntor 2019 duke filluar nga ora 9,30 do të zhvillohen intervistat me të tre kandidatët në garë sipas rendit alfabetik.

Në zbatim të nenit 19, pika 1 te rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video.

Kandidatët do të njoftohen nominalisht dhe në adresën e postës elektronike që ata kanë deklaruar në momentin e aplikimit.

 


Etiketa: , , , ,

Pas