Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, po zhvillon një bashkëbisedim me gazetarët. Basha edhe njëherë foli për situatën e koronavirusit në vend, ku tha se vdekjet dhe rastet e reja janë shumë herë më të larta nga ajo se çfarë raporton qeveria.
Basha gjithashtu lexoi mesazhin e një qytetari nga Korça, i cili thotë se nuk po i bëjnë tamponin.
“Ky është mesazhi i një qytetari nga Korça: Nuk na bëjnë tamponin në Korçë. Nuk ka tampon. Në shtëpi vjen vetëm policia. Mjekët kanë qenë shumë të mirë, por nuk ka tampone dhe na thanë se edhe mund të mos na e bëjnë.
Shifrat e infeksioneve janë më të larta nga ajo çfarë po raportohet. Edhe numri i vdekjeve të raportuar, është shumë më i ulët se sa vdekjet reale nga koronavirusi.
Duhet të bëhen të paktën 2500 testime në ditë. Edi Rama dhe qeveria e tij janë fajtor për fshehjen e së vërtetës”, – tha kryedemokrati Basha.
Kreu i opozitës u ndal sërish tek çështja e inceneratorëve, duke thënë se paratë e derdhura për inceneratorin e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit mund të përdoreshin për bizneset, mjekët e pensionistët.
“Pagesat totale për mafien e plehrave kanë arritur 13.7 milionë euro gjatë kohës së pandemisë. Kjo është dita e zezë, që mund të kishe përdorur paratë për shqiptarët dhe jo t’i jepje për inceneratorët.
Pse nuk e rrit numrin e testimeve, po vijon merret me fjalë? Pse nuk rimburson ilaçet për të prekurit nga koronavirusi? Pse nuk u jep bonusin 13 mijë bizneseve që po falimentojnë. Pse nuk i jep bonus pensionistëve?“, – tha Basha.