Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri flet për mediat pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, që riktheu për gjykim çështjen ndaj tij.
Tahiri tha se me vendimin e sotëm, Apeli bëri padrejtësi ndaj tij, ndërsa shtoi se me drejtësinë u përball si qytetar dhe të njëjtën gjë do të bëjë edhe tani kur gjithçka për të fillon nga e para.
Ai përsëriti se do të vijojë të jetë ministri kampion.
Reagimi i plotë i Tahirit
Nuk e prisja këtë vendim. Mendova se pas 3 vitesh do të merrte një drejtim. Rikthimi në pikën zero është një padrejtësi. Më vjen keq që zvarritem kështu gjykatave, duke pasur parasysh edhe punën time si ministër. Është e pakuptueshme për mua kjo histori që vazhdon për tre vite.
Do t’i shkoj deri në fund me drejtësinë kësaj çështjeje. Beteja fillon nga e para. Gjykata e Lartë nuk ekziston. Nuk mund ta flas para se ta shoh vendimin. Më duket e qartë se zvarritja është padrejtësi. Në politikë kam qenë shumë i hapur dhe shumë i drejtpërdrejtë, dhe nuk kam bërë asnjë kompromis, me askënd në kurriz të asaj që kam besuar. Nëse kjo po më kthehet pas, atëherë unë sërish në këmbë do të jem.
Kam luftuar, padyshim që kam bërë gabime. U jap të drejtë atyre që më paragjykojnë dhe thonë pse nuk futet në burg ky dhe futet ai që ndërton pa leje. Kam kusuret e mia në politikë pas asnjë hesap, por kurrë nuk kam bërë faj. E kam ndjekur këtë proces me korrektesën më të madhe, duke ikur edhe si deputet, për t’u përballur si qytetar, jo si ata vemjet që janë përballur me pushtet. Mua më mbajnë këmbët e mia.
Nuk më shkon ndër mend që t’i shkoj me gjykim të shkurtuar këtij procesi. Jam i dedikuar në këtë proces, pasi është jeta ime. Pa asnjë diskutim do të gjej një mënyrë që të përballem. Mua në këmbë më mbajnë këmbët e mia dhe lëkurën e kam mbi supet e mia.
Unë kam luftuar më shumë se gjithë ata të tjerët në raport me kanabisin. E vetmja gjë që i kam vënë në pikëpyetje vetes, është a duhet të ishim aq transparent sa duhet me rezultatet e asaj që bënim deri te çdo bimë, apo t’i fshihnim dhe ju nuk do të merrnit vesh asgjë dhe për rrjedhojë nuk do të kishte as debat.
Unë zgjodha të thoja të vërtetën publikut dhe Shqipërisë. Kjo ishte Shqipëria jonë. Do të ketë edhe një kohë që do të flas edhe politikisht, ndërsa tani po flas për punën që kam bërë.
LEXO EDHE: