“Sot fitoi e Ardhmja, Shteti, Qytetaria”. Kështu deklaroi nga selia e PS-së, Edi Rama në mbyllje të votimeve të 30 qershorit.
Më tej Rama tha se dita e sotme ishte historike sepse zgjedhjet u mbajtën të qeta, pas 6 muajsh tension, dhunë e kërcënime të fosileve të historisë. Rama falenderoi për mbështetjen SHBA-të, shtetet e BE-së.
“Sot 30 qershori qe dukej sikur s’do vinte kurrë, po ikën paqësisht, duke marrë me vete ankthin, pasigurinë dhe kaosin institucional. Një faleminderit miqve dhe partnerëve, që u kërcënuan, por nuk u lëkundën në mbrojtje të demokracisë, lirisë së zgjedhjeve dhe të së drejtës për të zgjedhur.
Faleminderit SHBA, BE, Misionit të OSBE dhe çdokujt tjetër nga përfaqësuesit e nderuar të botës demokratike që dhanë një dorë në këtë betejë. Jo vetëm faleminderit, por edhe ndjesë, shumë ndjesë, miqve të huaj që u bënë objekt e sulmeve të turpshme. Me ato sulme na turpëruan të gjithëve, si vend, si popull, si njerëz. Pas pas hyn një ditë e re që e gjen Shqipërinë të çliruar nga makthi, por vjen e ngarkuar nga plagët që hija e marrëzisë ka lënë pas”, tha Rama.