Sikundër njoftuan të mërkurën, naftëtarët e Ballshit janë mbledhur sot përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës për të protestuar për 20 paga të pamarra dhe pezullimin nga puna.
Forcat policore kanë ndërhyrë për shpërndarjen e protestës, për shkak të situatës pandemike. Ndërsa naftëtarët po tentojnë të çajnë kordonin e policisë; ka edhe nga ata që po përpiqen të hyjnë brenda godinës së MIE.
“Prej shumë vitesh ne, naftëtarët e Ballshit, jemi vjedhur, tallur e nëpërkëmbur nga pronarët dhe pushtetarët. Kemi thuajse 20 paga pa marrë, edhe pse i kemi fituar me gjyq. Jemi të papunë këta 11 muaj të fundit, pa bukë për fëmijët dhe familjet tona!”– u shpreh një naftëtar.
Ata kanë paralajmëruar prej ditës së hënë, kur protestuan në të njëjtën formë përpara rafinerisë së naftës në Ballsh, se detyrimet e prapambetura duhen shlyer një orë e më parë, përndryshe mund të ndodhë një “Gërdec i dytë”.
Naftëtarët kishin arritur një dakordësi me kompaninë “Allum Enterprises” për rifillimin e punës, por u është dhënë vetëm një letër pa firmë e vulë, ndaj nisi protesta në fillim të javës.
Të martën kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Turqi me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aljev. Ky i fundit kërkoi zgjidhje afatgjatë të problemit të krijuar në rafineri nga kompania “Allum Enterprises”.