fbpx

Mapo Letrare

Llotaria e pezhishkës mes Shqipërisë dhe Amerikës





               Publikuar në : 14:40 - 02/11/19 |
Nga Erli Kanina

Nga Erli Kanina


“Të presësh është e dhimbshme. Edhe të harrosh është e dhimbshme. Por të mos dish se cfarë vendimi do të marrësh, kjo ështe një nga vuajtjet më të mëdha.” – thotë Paulo Coelho.



Me këtë vuajtje njerëzit jetojnë, lexojnë, shkruajnë, provojnë,argëtohen, mërziten, madje edhe vetvriten… deri atëherë kur kjo jetë s’do të ketë më nevojë për vendime. Vendimmarrja bëhet e pakuptimtë kur kupton se asgjë nuk është përgjithmonë …Kështu njerëzit i shtyjnë ditët duke aplikuar llotari e duke luajtur bingo me fatin e vet…


Para pak kohësh dolën përgjigjet e Llotarisë Am erikane që koinçiduan me kohën e leximit prej meje, të romanit PEZHISHKAT të autorit devolli Thani Naqo. Nuk e di pse më vuri në mendime ky roman. Më vuri edhe disa pikëpyetje për të gjithë ata njerëz që aplikojnë çdo vit në këto Llotari, me shpresën e gjetjes së një parajse tokësore, larg vendit të tyre.

Autori, duke qenë se edhe vetë është një emigrant i hershëm nga Devolli në USA, na sjell përditshmërinë e jetesës së shqiptarëve atje nëpërmjet detajeve jetësorë dhe sipas karakterit të personazheve. Një stil amerikan jetuar alla shqiptarçe! Sepse kudo që shkon, mbart deri në gen vendin nga erdhe.

Mund të integrohesh në jetën perëndimore, por s’mund ta eleminosh identitetin dhe karakterin tënd si është formuar. Thjesht perëndimi të krijon kushte për të zhvilluar ato që s’ke mundur, të kesh ato që s’ke patur, të jetosh ato që s’i ke ditur në vendin tënd.

Por ky perëndim, është edhe kaq intesiv, programues dhe njëkohësisht presionues sa e bën njeriun të duket aparaturë, instrument apo një pjesë e ingranazhit të kësaj makinerie gjigande, shoqërisë amerikane. Dhe nëse disa ia dalin të bëhen pjesë e asaj shoqërie,si rasti i Donikës, të tjerët veç mbijetojnë. Sepse Amerika ta mat kokën me pé, nëse s’mundesh.

Kriza globale është po kaq prezente edhe atje, ku standarti jetesës, është një përfytyrim i ëndërrt për shqiptarët dhe vendet e lindjes. Kjo krizë vihet re sidomos në moshën e tretë, ëndrrat e të cilëve nuk mund të ngrohen e urbanizohen më, veçse drejt stacionit të fundit të jetës.Jeto ose vdis! Por ka edhe një mënyrë për ta zbutur këtë devizë të egër.

Janë lidhjet me vendlindjen e ndryshuar nga përmbysja e sistemit, kujtimet që të lidhin me të shkuarën, njerëzit e komunitetit shqiptar, emigrantët që gënjejnë e zhgënjejnë amerikanizimin e ëndrrave të tyre . Është Artan Bareli, që mbart dhe përcjell jetën e tij mes Shqipërisë si intelektual i dikurshëm, dhe si qytetar në krizën e sotme në Amerikë.

Në dilemë për vendimet që duhet të marrë për të ardhmen, ai shtyn ditët dhe bën llogarira që nuk dalin siç i do kjo kohë dhe njerëzit që e rrethojnë.

Autori Thani Naqo, nëpërmjet Artan Barelit si personazh kryesor, ka ditur të sjellë paralelisht me faturat e taksave të jetës amerikane, edhe copëzat e jetës së tij si agronom nga Bërxhuku e Shëmturi i dikurshëm.

Duket se ai ngrohet e ngushëllohet me atë jetë province,që edhe pse me mungesa sociale, kishte filozofinë dhe motivin e vet.Jeta e dikurshme i shërben si jastëk amortizues për problemet e realitetit të sotëm.

Përshkruar me një dialekt të veçantë me shprehje dhe batuta sa të mençura aq edhe ironike(sidomos bërxhukase), karakteristikë kjo e penës së këtij autori, romani të çon drejt fundit, pa e kuptuar fundin.

Fatet e personazheve dikur dhe sot, jeta e tyre në dy sisteme të ndryshëm, por edhe në dy realitete të ndryshme, Shqipëri e Amerikë, janë në funksion të mesazheve që jepen nga autori. Mesazhe që çdo lexues i merr sipas nivelit, shijes dhe këndvështrimit të vet.

Artan Bareli, Anita Trabonini, Durim Agalliu, Gëzim Skuraj, Profesor Trabonini, Lenini i Vogël dhe e bija Migena, Kaurka e Bukur, Peshku i Tymuar, Driza, Sherli dhe të tjerë personazhe të së djeshmes e të së përditshmes,janë penjtë që thurin rrjetën e kësaj PEZHISHKE, që të mbështjell nëpër faqe.

Me shpresën dhe kuriozitetin se kënaqësinë e kësaj letërsie do ta gjej edhe në librat e tjerë të autorit nga Devolli, , i uroj suksese penës së tij!

Një falenderim edhe për botuesin dhe mikun tim Mark Simoni që më mundësoi leximin e këtij romani botuar nga MUZGU në 2015!

“Nganjëherë fjalët nuk mjaftojnë. Atëherë nevojiten ngjyrat, format, tingujt dhe emocionet” – thotë Alessandro Baricco. Për këtë ftoj lexuesit ta lexojnë vetë këtë libër për ta plotësuar me këndvështrimet e tyre refleksionin tim mbi romanin PEZHISHKAT !


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas