Mapo Letrare

Lodrat e tufës (tregim)







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:31 - 04/10/20 |
Nga Murat Aliaj

Atë kohë duhet të kem qënë rreth dhjetë vjeç. Si më i vogli i një shtepie të madhe, po rritesha pa rënë në sy, siç rriten ca lule delikate mes gjembave pafund të ferrave. Askush nuk kishte kohë të lirë për t’u marrë me mua.


Të luanim bashkë a të më mësonte ndonjë gjë nga e shkuara, kështu që kohën më të madhe e kaloja i vetëm nëpër oborrin e shtepisë, të shtruar me pllaka guri. Sajoja lodra të shumta me vetveten dhe humbesha në botën që ndërtoja brenda çastit.


Luaja me pulat, të cilat më vinin pas, nga që e dinin se prej xhepave të mi do binin kokrra gruri. Po kështu edhe një viç, që e desha shumë, por ai u rrit shpejt. I dolën brirët dhe u bë i frikshëm.



Kisha gjetur mënyrën për të kaluar vetminë, pa i rënë në qafë kujt. Diku kisha varur një shilarës në të cilin vërtitesha, derisa më merreshin mëndtë. Një herë u këput litari dhe unë u rrokullisa nëpër bar. Ndrydha vertëm njerën këmbë, por mësova që ta lidh fort litarin e të mos rrëzohem më. Diku kisha hapur një gropë dhe nja dhjet metra larg kisha shenuar një vizë nga ku, duhej të hidhja topin për të rënë në gropë. Diku tjetër, kishin mbetur vizat e lojës mos u nxeh, që e luaja mbrëmjeve me tim vëlla, duke përdorur njeri kokrra misri e tjetri manaferra. Kjo ishte lojë e rrezikshme, që përherë mbaronte me grindje e me thyerje hundësh të njëri tjetrit. Ndaj një ditë nëna e cila nuk e duronte dot grindjen tonë, i prishi katrorët e lojës. Por të nesërmen ne vizatuam katrorë të tjerë dhe u grindëm edhe më keq se herët e tjera. Jo më kot kësaj loje i kishin vënë emrin: loja mos u nxeh! Kurse ne vetëm nxeheshin dhe i thyenim hundët njëri tjetrit, por lojën nuk e braktisnim derisa të mësonim të mos nxeheshim.


E ku numëroheshin lodrat tona të asaj kohe! Ishin e vetmja mënyrë për t’u kënaqur në varfërinë që kishte mbuluar shtepitë tona. E si të mos mjaftonte kjo, ato kohë ndodhi edhe diçka e tmerrshme, që na detyroi të largoheshim nga shtepia. Plasi një luftë e egër që ndërsa trembi të rriturit, po zbaviste fëmijët, të cilët nuk i njihnin tmerret e saj. Kur filluan bombardimet prindërit u detyruan të merrnin një vendim: të largoheshim nga shtepia dhe të strehoheshim në ca të afërm që jetonin larg zonës së luftës. Neve nuk na dhanë asnjë shpjegim, pasi nuk ishte koha për shpjegime. Duhej të bëheshim gati për të mos vonuar nisjen. Ne nuk e pritëm me qejf këtë vendim, por askush nuk guxoi t’ja bënte fjalën dysh babait. Megjithatë, para se të niseshim, vëllai guxoi ta pyeste babain:


−Përse po ikim nga shtepia jonë baba?

−Sepse po bëhet luftë dhe fshati po bombardohet.

−Le të bombardohet fshati, ne nuk i kemi bërë njeriu ndonjë të keqe.

Babai u mendua për një hop dhe fjalët iu lidhën në grykë e s’dinte ç’të thoshte. Por ne e dinim se dy tri fshatra të tjerë ishin bërë bashkë dhe po bombardonin fshatin tonë. Kishte vite që grindeshin për ca kullota që ndodheshin në kufijtë e dey fshatrave.

Ishin vrarë shumë njerëz për ato bokërrima ku kullosnin dhitë. Herë nga fshati ynë, e herë nga fshatrat fqinje. Ato çaste nuk ishin për të treguar ndodhitë e shkuara, ndaj babai na përkëdheli flokët e kërleshur dhe duke na fshehur nën krahët e tij të fuqishëm, siç fsheh klloçka zogjtë e vegjël, po priste që të merrnim rrugët.

Ishte një ikje e frikshme, që s’na lejonte të merrnim me vete as gjërat më të nevojshme. Nuk dinim ku do ndaleshim, sa rrugë do bënim dhe kur do ktheheshim prapë. Fytyrat e prindërve ishin ngurtësuar e nuk jepnin asnjë shpjegim. Mbi samarin e mushkës së plakur vunë gjyshin, i cili ishte i paralizuar prej një kohe të gjatë dhe nuk i zvarriste dot këmbët, kurse ne të tjerët vazhduam të çapiteshim pas tyre.

Gjithë ditën ecëm duke bërë dy tri pushime të shkurtëra. Gjatë rrugës na shoqëronin ca gjëmime të largëta. Kishte rënë mbrëmja dhe andej nga dëgjoheshin gjëmimet, dukeshin edhe vazhda me drita shumëngjyrëshe, sikur rrëzoheshin yje.

Kur arritëm tek njerëzit tanë, ne ishim pothuajse të vdekur nga lodhja. Nuk mundëm as të hanim, por ja futëm gjumit dhe u zgjuam në mbrëmjen e ditës së dytë të ardhjes. Kaluan ditët e para dhe ne s’po mësoheshim dot me shtepinë e re. Ndiheshim të huaj e të papërfillur.

Na mungonin lodrat e mbetura në avllinë tonë të gurtë. Kur errësira mbuloi gjithshka unë me vëllain u mblodhëm pranë njëri tjetrit dhe po vështronim nga dritarja. Gjëmimet e largëta dëgjoheshin të vuvëta, kurse ca vazhda drite që ndizeshin dhe shuheshin shpejt, ndriçonin gjurmët nga kishim kaluar ne.

Ishte hera e parë që flinim bashkë me vëllain. Na shtruan ca rroba në një qoshe të dhomës dhe nuk u morën më me ne. Këtu u afruam me njëri tjetrin e iu nënështruam fatit të përbashkët. Grindjet e zakonshme mes nesh i harruam dhe po kërkonim të gjënim mënyrat për të kaluar atë kohë mospërfillje.

Mbrëmjeve para se të shtriheshim për të fjetur, herë unë e herë vëllai përsërisnim të njëjtën pyetje:

−Përse ikëm nga shtepia jonë?

−Sepse ajo u bë zonë lufte, që e rreh zjarri i të dyja palëve.

−Ç’punë kanë këto palë me shtepinë tonë?

−Ato nuk kanë punë me shtepinë tonë, por kanë me njëri tjetrin dhe shtepia jonë ndodhet në zonën e tyre të veprimeve.

−Po pse nuk u dalim përpara e t’u themi, që të largohen nga ajo zonë?

Babai nuk më përgjigjej dot, veç më ledhatonte flokët e palarë prej shumë ditësh e më thoshte:

−Flini tani se sido që të ndodhë, lufta nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe ne prapë do kthehemi në shtepinë tonë.

Ne e shikonim me mosbesim dhe e dallonim mundimin e babait për të na qetsuar. Dukej që as vet ai nuk e dinte sa do vazhdonte kjo luftë. Ai na uronte natën e mirë dhe largohej, por neve nuk na zinte gjumi. Bisedonim me vëllain për fatet e luftës. Ai më tha se kjo ishte një luftë e çuditshme, që s’kishte të huaj në mes. Të dyja palët ishin pjesë e këtij populli e këtij vendi që ziheshin si gjelat kush të dilte në majë të plehut.

Kur nisnin bombardimet, ne i linim në mes bisedat dhe nxitonim tek dritarja për të parë. Ato vinin andej nga kodra ku ishin shtepitë tona. Predhat që binin larg, linin pas ca vezullime ngjyrash dhe ne krijuam një lojë për të kaluar kohën. Ah lodrat tona që s’përfunduan kurrë pa sherre!

Vendosëm një radhë. I pari ishte ylberi im, tjetri ishte i vëllait. Të miat ishin më të bukura dhe zgjatnin më shumë. Por vëllai nuk pajtohej me këtë dhe për të ma thyer kryeneçësinë më goditi me grusht. Gjaku më plasi sheshit dhe duke gulçuar kapa një vazo lulesh dhe e vërvita në drejtim të vëllait, i cili u mënjanua dhe vazua goditi xhamin e dritares, duke e bërë copë copë. U bë zhurmë e madhe dhe në dhomë hyri nëna e cila u frikësua nga gjaku që kishte mbuluar fytyrën time. Ishim në shtepi të huaj dhe kjo rrëmujë nuk mund të lejohej. Ne vështronim njëri tjetrin të inatosur dhe prisnim të largohej nëna, për ta vazhduar grindjen e mbetur në mes. por ajo nuk mund të na linte më vetëm. na i njihte kokën të dyve dhe nuk e fshehu dot brengën e saj:

−Si do u vejë filli këtyre djemve që s’e duan fare njëri tjetrin.

−Ata janë pjesë e këtij vendi, që s’gjen derman prej bijve të vet−shtoi babai dhe u kthye nga ne, na kapi për veshi dhe na tha:

−Më keni pyetur shumë herë pse ikëm nga shtepia jonë dhe unë shpresoja që ju ta kuptonit vet. E me që akoma s’keni kuptuar gjë, po u them se kur grinden dy vëllezër, prishet shtepia e të dyve, ndërsa kur grinden dy fshatra, shkatërrohen të dy dhe asnjë të mirë s’ka vendi. Tani shkoni të flini gjumë.

Ne pamë njëri tjetrin në sy dhe e kuptuam marrëzinë tonë. Shkuam drejt shtratit dhe u shtrimë. Futëm edhe kokat nën mbulesë nga turpi. Prindërit dolën nga dhoma dhe ne dëgjuam babain të thoshte ato fjalë që s’na u shqitën kurrë nga mëndja:

−Kemi gjak të hidhur ne dhe s’hapim rrugë, pa e parë njërin të mposhtur. Këtë kryeneçësi bijsh po vuajnë fshatrat tona që shuajnë e përvëlojnë njëri tjetrin.

Atë natë nuk mbylli sy asnjëri. Për fat edhe bombardimet nuk vazhduan aq dendur sa netët e tjera. Dukej se inati po mbaronte dhe shpejt do të vendosej paqa e ne do ktheheshim në shtepinë tonë.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas