Aktualitet

Lojërat pushtetare “me ushtri”, një shkelje e ndershmërisë së zgjedhjeve














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:01 - 10/04/21 |
Ilir Nikolla

Përgjatë dy viteve të fundit, është bërë gjithmonë e më i qartë raporti përçudnues që kryeministri ka me forcat e armatosura. Shumë shpesh ai është përpjekur t’i nxjerrë ato nga roli i tyre kushtetues dhe t’i shfaqë ato si zëvendësuese, sipas nevojës, herë të policisë, herë të shërbimeve të emergjencës, e kohët e fundit ka mbërritur kulmin, duke i shpallur ato edhe si kontrollore aeroporti.






Marrëdhënia e sëmurë e pushtetarëve me forcat ushtarake nuk është e re, përkundrazi, është mjaft e njohur dhe mjaft e studiuar. Politologjia ka përpunuar edhe termin e juntës, për ato pushtete që përziejnë ushtrinë në çështjet e pushtetit.


Karakteristike për vendet e Amerikës Latinë e të Afrikës, në Evropë ky term s’para gjente zbatim, pasi në kontinentin tonë, gjërat ishin të qarta, o kishim demokraci, o kishim regjime transparente diktatoriale, të cilat s’e kishin për gjë që ta shpallnin diktaturën e tyre si forcë lëvizëse edhe në kushtetutat e vendit.







Fraza “diktatura e proletariatit” përmendej aq shpesh në Kushtetutën tonë, sa askush s’kishte nevojë të thoshte “junta e Enver Hoxhës”, pasi regjimi diktatorial ishte vetëpërcaktuar si i tillë, pa pasur nevojë të fshihej pas fasadave të demokracisë.



Por 30 vjet pas shpalljes së pluralizmit, kryeministri ynë përditë konfirmon marrëdhënien e sëmurë me forcat në uniformë, dhe fatkeqësisht, pak rezistencë ka kundër këtyre sjelljeve të papërshtatshme. E kapërdijmë vendosjen e forcave ushtarake në Rinas si një sjellje prej babloku e kryeministrit, që ndëshkon kontrollorët trazovaçë, i marrim me sportivitet edhe deklarimet kohë e pa kohë të ministrave të rendit, se nuk do të ngurronin të përdornin edhe forcat e ushtrisë, në rast se protestat e opozitës politike dalin nga kontrolli.



Në fakt, ushtria në Shqipëri gjendet jo rrallë në ligjërimet e së majtës. Duke anashkaluar agun e keqpërdorimit të ushtrisë, në muajt e parë të 1991, në përpjekje për të ndaluar rrëzimin e regjimit, praninë e tankeve e gjejmë si objekt triumfi në rebelimin komunist të 1997, i hasim autoblindat në tentativat e PS për të vjedhur votat në Paskuqan (e gjetkë) në 2001-shin. E majta e Edi Ramës ishte e fundit që hoqi dorë nga retorika kundër NATO-s dhe në 2008-n e kremtoi anëtarësimin e vendit në aleancë me një protestë që sot bën të skuqet çdo shqiptar.

Kujtesa më e re e keqpërdorimit të ushtrisë nga Edi Rama është e mbushur me precedentët e autoblindave që patrullonin rrugëve vitin e shkuar “kundër koronavirusit”, me ushtarët që çoheshin pranë rrënojave të tërmetit në Durrës e Krujë, pavarësisht se s’posedonin kurrfarë mjeti që mund të përdorej për të shpëtuar jetë, dhe së fundmi me njerëzit me uniformë që dërgohen në Rinas, për të marrë nën kontroll “territorin” nga rebelimi i kontrollorëve.

Dikush mund ta lidhë aversitetin që ka Edi Rama ndaj ushtrisë dhe rolit të tyre “në mbrojtje të rendit kushtetues” me dëshmitë e shumta që ka përcjellë media se atij nuk i lejohej mbajtja e armës gjatë zborit ushtarak. Askujt s’i intereson mitologjia që kryeministri mund t’i ketë veshur rolit të ushtrisë në mbajtjen e pushtetit. Fakti është se në një vend anëtar të NATO-s, ushtria s’ka kurrfarë roli për të kryer gjatë një fushate elektorale.

Edhe në pastë ndonjë detyrë për të kryer, atë le ta kryejë në heshtje, në prapaskenë, larg syve të publikut, të cilin dashur padashur, mund ta intimidojë.

Shfaqjet “me ushtri” janë një shkelje e hapur e rregullave gjatë një fushate zgjedhore. Le ta shënojmë precedentin e Rinasit si precedentin më të rëndë të shkeljes së rregullave “për një fushatë të ndershme”.

Për shkeljet e tjera që ngërthen ky precedent, ndoshta koha do t’ia nxjerrë petët lakrorit, por tani është momenti t’u thuhet “stop” ëndrrave me juntë.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas