Disa ditë më parë, më saktë të dielën e 22 Korrikut 2018, në ish-terminalin e stacionit të trenit të Tiranës (sot bulevardi i ri), Bashkia e kësaj të fundit vendosi një lokomotivë të vjetër me avull, si objekt muzeal.
Shumë qytetarë që e panë këtë lokomotivë historike, ose lexuan lajmin në rrjetet sociale, menduan se ajo ishte sjellë nga jashtë.
“Mapo.al” ju sjell sot historinë e kësaj lokomotive të vjetër, por mjaftë të hijshme, përgatitur me mjeshtëri nga profesionalja “Albanian-Transport.com”.
Kjo lokomotivë, një model “Tkt-48”, është prodhuar në Poloni në vitin 1951. Shqipëria bleu 6 lokomotiva të tilla në fund të viteve ‘50-të, që mbanin numrat nga “01” deri në “06”.
Ato përdoreshin fillimisht për linjat jo të gjata hekurudhore (Durrës-Peqin) që kishte Shqipëria, duke kryer si transporte udhëtarësh ashtu edhe mallrash.
Më vonë, përdorimi i këtyre lokomotivave u kufizua kryesisht për transportimin e vagonëve të mallrave brenda Portit detar të Durrësit, si dhe nga Porti deri në stacionin qëndror hekurudhor të Shkozetit, aktivitet që zgjati deri në vitin 1986.
Ekzemplari që është vendosur në ish-stacionin e trenit në Tiranë, aktualisht bulevardi i ri, mban numrin “02” dhe për shumë vite ka qenë si “objekt muzeor” në stacionin e Shkozetit, por siç shihet nga fotot, me muzeun kishte shumë pak të bënte…
Deri pak vite më parë, në Shkozet ishin 5 të tilla (02, 03, 04, 05 dhe 06), ndërsa ajo me numër 01 ishte shkatërruar.
“Ishin”, sepse nuk janë më, së bashku me disa avullore të tjera dhe me gjysmën e shinave të stacionit!
Mund të vendosej nga një në disa qytete kryesore të hekurudhës dhe Durrësi, kryeqyteti i hekurudhës të kishte muzeun e plotë.
Një urim për restauruesit dhe suksese me punë të tjera. Por, përse nuk janë ruajtur ngjyrat origjinale (jeshile)?/Mapo.al/Foto: Gent Domi/Albanian-Transport.com/