Lorini është nga ata regjisorët e rinj që e di mirë se me këtë profesion nuk jetohet mirë, nuk ka ekonomi. Ndaj bën dhe punë të tjera për të mbijetuar. Ai mendon se filmi i shkurtër do të ketë të ardhme, dhe është shtegu më i sigurt drejt filmit të gjatë.
Lorini është një regjisor i ri, 33 vjeç, nga ata që s’kanë shumë kohë që janë diplomuar në Universitetin e Arteve dhe rravgon e gjakon pa fund të ecë përpara në këtë profesion të bukur, po në kohë të vështira si këto, ku për kinemanë nuk ia kanë shumë ngenë njerëzit.
Me flokë të gjatë që premtojnë se do të qëndrojnë ashtu disidentë, me mjekër të shkujdesur, ai ka tipikisht pamjen e një artisti të ri, pak bohem.
Pak ditë më parë, emri i tij u shpall si fitues i çmimit më të rëndësishëm në një festival mjaft të njohur në Australi. Lorin Terezi, shkruhet në krye të faqes zyrtare të Flickerfest, që është në fakt, kualifikimi që i bëhet një krijimi për në rrugën e salloneve më të mëdha të botës në këtë zhanër, si Oskar dhe Bafta.
Lorini ka pasur disa dalje në publik pas kësaj. Ai nuk e ka fare ndërmend të shesë mend, madje përshtypje bën gjithnjë qëndrimi i tij modest, i përulur.
Me filmin me metrazh të shkurtër, 23 minuta, Lajmi, Lorini ka arritur suksesin e parë ndërkombëtar. Nëse merret parasysh se aplikuesit në këtë festival, janë diku 3 mijë, dhe pranohen të kalojnë në konkurrim mbi 200, kjo tregon se ai ia ka dalë të prodhojë diçka me vlerë.
Filmi duket se sjell një realitet të çuditshëm, na transferon në kohë dhe në hapësirë. Gjendesh në një fshat të vogël, të harruar, ku bota sillet përmes disa absurditeteve dhe personazheve të çuditshëm. Asgjë nuk ndodh në këtë rrethinë, deri ditën kur një nuse e re gjen te burimi i fshatit kufomën e një gruaje.
Nga ky moment ndryshon jeta e të gjithëve. Dhe ka elementë komikë pa fund, ku sekush kërkon të marrë autorësinë e bën protagonistin për zbardhjen e ngjarjes. Më pas, i gjithë ai mikrokozmos, del në dritën e prozhektorëve të mëdhenj, pasi aty zbarkon media.
Aktorët kryesorë janë nga Shqipëria dhe Kosova, por në një farë mënyrë të gjithë banorët e fshatit Shkallë në Shëngjergj, kanë marrë pjesë në film.
Lorini është nga ata regjisorët e rinj që e di mirë se me këtë profesion nuk jetohet mirë, nuk ka ekonomi. Ndaj bën dhe punë të tjera për të mbijetuar. Ai mendon se filmi i shkurtër do të ketë të ardhme, dhe është shtegu më i sigurt drejt filmit të gjatë.
Lorin Terezi është diplomuar në Akademinë e Arteve për Regji Teatri në vitin 2010 dhe më pas po aty ka bërë masterin për Regji Filmi dhe Televizioni në 2016. Ai ka fituar Çmimin e parë në vitin 2011 në Festivalin e Regjisorëve të Rinj me shfaqjen “Koleksioni i Qelqtë”. Gjithashtu, me dokumentarin “Mungesë” ka fituar Çmimin e Parë në Konkursin Rrathë III. Ka vënë shfaqje të suksesshme në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar si “Këmbëzbathur në Park”, si dhe është skenarist dhe regjisor i filmit me metrazh të shkurtër “Tirana 100 km”. Është pjesëmarrës në mbi 30 festivale ndërkombëtare.
Mapo.al