Mapo Letrare

Lotët e parë na mbushën sytë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:13 - 30/01/21 |
mapo.al

Poezi nga nobelistja Louise Glück
Solli në shqip: Marsela Neni



Prelud mëngjesor


At’ i paarritshëm, kur në fillim ishim
të internuar nga parajsa, ti riprodhove vetveten
në një kopje, një vend, si të thuash,
ndryshe nga qielli, qenësor
për të na dhënë një mësim: përndryshe
e njëjta gjë … bukuri në të dy anët, bukuri
pa asnjë alternativë zgjedhjeje… Vetëm se
nuk e kuptuam cili ishte mësimi. Mbetur vetëm,
e rraskapitëm njëri-tjetrin. Rrodhën
vite errësire; ne me radhë
e punuam kopshtin, lotët e parë
na mbushën sytë kur toka
u njollos me petale, këtu
e kuqe e errët, atje ngjyrë mishi …
Nuk menduam asnjëherë për ty
që po mësonim të adhuronim.
Ne thjesht e dinim se
nuk ishte në natyrën njerëzore të duash
vetëm të këmbesh dashuri.




Bota e Re



Siç e shoh unë,
gjithë jetën e nënës sime, babai im
e vuri poshtë, si
plumb i lidhur në kyçet e këmbëve.


Ajo ishte
e gjallë nga natyra;
ajo donte të udhëtonte,
të shkonte në teatër, në muze.
Ajo çka ai dëshironte
ishte të shtrihej në divan
me “Times”-in
mbi fytyrën e tij,
kështu që vdekja, kur erdhi,
nuk dukej një ndryshim i rëndësishëm.

Në çifte si kjo,
ku marrëveshja
është të bësh gjëra së bashku,
është gjithmonë ai aktivi
që pranon, që jep.
Nuk mund të shkosh në muze
me dikë që nuk do
t’i hapë sytë.

Mendova se vdekja e tim eti
do ta çlironte nënën time.
Në një kuptim, ajo ka:
ajo bën udhëtime, shijon
artin e madh, por ajo po pluskon .
Si tullumbacja e një fëmije
që e humbet në një minutë
e nuk e kap dot më.
Ose si një astronaut
që humb anijen
dhe duhet të rrijë pezull në hapësirë
duke ditur që do të zgjasë,
ja çka mbetur nga të qenit gjallë: ajo është e lirë
në këtë kuptim.
Asnjë lidhje me tokën.

Jasemin

Po të them, nuk është hëna
Janë këto lule
Që përndrisin kopshtin.

I urrej.
I urrej siç urrej seksin.
Gojën e burrit
Kur heshton gojën time, kurmin
E burrit që paralizon timin.

Dhe hungërima që del gjithnjë
e ulët, poshtëruese
si premisë e bashkimit.

Sonte, brenda vetes
Dëgjoj pyetje e përgjigje
të shkrira në një tingull të vetëm
që rritet e zmadhohet e pastaj
thyhet në të vjetrën vetvete,
antagonizma të lodhura. E sheh?
Ata u tallën me ne.
Dhe aroma e jaseminit
përjarget në dritare.
Si mund të pushoj? Si mund të ndihem e kënaqur nëse në botë kundërmon ende ajo aromë?

I pari kujtim

Kohë më parë,
isha krejt e plagosur. Kam jetuar
veç për të marrë hak
kundër tim eti, jo
për atë që ishte –
për atë që isha: që prej fillesës,
në fëmijëri, mendova se
kjo dhimbje më thoshte:
se nuk më donin.

Por unë, i doja.

Perëndim dielli
Lumturia ime më e madhe
është tingulli që bën zëri yt
duke më thirrur edhe në dëshpërim; brenga ime
se nuk mund të t‘përgjigjem
me shprehje që i pranon si të miat.
Ti nuk ke besim në gjuhën tënde.
Ndaj ti e harxhon
fuqinë në shenja
që nuk mund t’i lexosh me saktësi.
E megjithatë zëri yt më arrin gjithmonë.
Dhe unë të përgjigjem vazhdimisht,
zemërimi im kalon
ndërsa dimri shkon. Butësia ime
duhet të jetë e qartë për ty
në flladin e mbrëmjes së verës
dhe në fjalët që bëhen
përgjigja jote.
Nga vëllimi poetik ʺIrisi i egërʺ

Luleshqerra
Vazhdo: thuaje atë që mendon. Kopshti
nuk është bota e njëmendtë. Makineritë
janë bota e njëmendtë. Thuaje sinqerisht atë që çdo budalla
mund të lexojë në fytyrën tënde: ka kuptim
për të na shmangur, për t’i rezistuar
nostalgjisë. Nuk është
mjaft moderne, shushurima e erës
kur trazon një livadh me luleshqerra: mendja
nuk mund të ndriçojë duke ndjekë erën. Dhe mendja
dëshiron të shndrisë, qartësisht, siç
shkëlqejnë makinat dhe jo
të kultivohet thellësish, si, bie fjala, rrënjët.
Është shumë prekëse,
megjithatë, të shohësh me kujdes
t’i avitesh kufirit të livadhit në prag t’agimit
kur askush nuk ka mundësi
të t’i hedhë sytë. Sa më gjatë të qëndrosh në zgrip
aq më nervoz dukesh. Askush nuk dëshiron t’i dëgjojë
përshtypjet e botës natyrore: ju do përqesheshit
përsëri; përbuzja do të të grumbullohej.
Sa i përket asaj që je në të vërtetë
duke dëgjuar këtë mëngjes: mendohu dy herë
para se t’i tregosh dikujt se çfarë është thënë në këtë fushë
dhe nga kush.
Nga vëllimi poetik ʺIrisi i egër”

Folës i pandershëm

Mos më dëgjoni; zemra ime është thyer.
Unë nuk shoh asgjë objektivisht.

Unë e njoh veten; Kam mësuar të dëgjoj si psikiatër.
Kur flas me pasion,
kjo është kur më së paku mund të më besoni.

Është shumë e trishtë, me të vërtetë:
gjithë jetën time, jam vlerësuar
për inteligjencën time, fuqitë e mia të gjuhës, të depërtimit.
Në fund, ato shkuan kot.

Unë kurrë nuk e shoh veten,
duke qëndruar në shkallët e përparme,
duke mbajtur dorën e motrës sime.
Prandaj nuk mund të jap llogari
për mavijosjet në krah, ku mbaron mënga.

Në mendjen time, unë jam e padukshëm: ndaj jam e rrezikshme.
Njerëz si unë, të cilët duken vetëmohues,
ne jemi gjysmakët, gënjeshtarët;
ne jemi ata që duhet të faktorizohemi
për hir të së vërtetës.

Kur jam e qetë, atëherë del e vërteta.
Një qiell i pastër, retë si fijet e bardha.
Nën, një shtëpi të vogël gri, azaleas*
e kuqe dhe rozë e ndritshme.

Nëse doni të vërtetën, duhet të fokusoheni
brenda vajzës së madhe, lëreni jashtë atë:
kur një gjë e gjallë lëndohet,
në evoluimin e saj më të thellë,
i gjithë funksioni është ndryshuar.

Kjo është arsyeja pse nuk duhet të më besoni.
Sepse një plagë në zemër
është gjithashtu një plagë në mendje.

*azalea- lule me veti toksike.

Averno* (III)

Nga njëra anë, shpirti endet.
Nga ana tjetër, humanët jetojnë mes frikës.
Midis dy brigjeve, hon i zhdukjes.

Disa vajza më pyetën
në do ishin të sigurta pranë Avernos-
kanë ftohtë, duan të shkojnë për pak kohë drejt Jugut.
Njëra thotë, si me shaka, por jo shumë larg në Jug.-

U them, aq i sigurt sa çdo vend tjetër
dhe kjo i bën ato të lumtura.
Por asgjë nuk është e sigurt.

Merre një tren, zhduku.
Shkruaje emrin në një dritare, dhe avullo.

Vende të tilla ka kudo,
vende ku shkon vajzë,
nga ku nuk ka kthim pas.

Ashtu si fusha, ajo që digjet.
Pas kësaj, vajza zhduket.
Sikur të mos kish ekzistuar kurrë,
e ne s‘kemi prova për asgjë.

E tëra që dimë është:
fusha digjet.
Dhe ne e kemi parë tek digjet.

Kështu që duhet ta besojmë vajzën,
në atë që bëri. Përndryshe
janë veç forca që s’ i kuptojmë
që sundojnë botën.

Të lumtura vajzat, mendojnë për pushimet.
Mos e merrni trenin, u them.
Ato shkruajnë emrat në xhamat e avujt të udhëtimit.

Sa do doja t’u thoja, ju jeni vajza të mbara,
që përpiqeni të lini emrat tuaj pas.

*Averno/us/-i është emri i lashtë i kraterit të një vullkani në provincën e Napolit (Itali) ku gjendet dhe një liqen i vogël.Në shoqërinë e lashtë romake besohej se Avernus ishte portë hyrëse për në përtejbotë (bota e nëndheut/ përtejvarrit) dhe është portretizuar si e tillë në veprën “Eneida” të Virgjilit. (sqarim i shqipërueses)
Nga vëllimi poetik Averno, 2006

4



CLOSE
CLOSE
Pas